25 vjet peng i komandantëve dhe politikanëve të shpërdorimit dhe korrupsionit që zgjodhën pasurinë e jo shtetin
“Vota e 28 dhjetorit 2025 – momenti kur qytetarët do të gjykojnë ata që tradhtuan interesin e Kosovës dhe shndërruan lirinë në kapital të tyre personal politik.”
Një çerek shekulli keqpërdorim politik, ku të kaluarën e luftës e përdorin si kapital personal, ndërsa shteti dhe qytetarët mbeten peng i interesave private.
“Data e 28 dhjetorit është një moment i rëndësishëm për vendin. Çdo qytetar ka të drejtën dhe përgjegjësinë të gjykojë me kujdes se kush e ka ndihmuar atdheun dhe kush e ka dëmtuar, në mënyrë që njerëzit e pandershëm dhe hileqarë të mos mbajnë më peng të ardhmen e Kosovës, por të vlerësohen drejt përmes votës.”
“Një çerek shekulli keqpërdorim politik, ku disa prej atyre që dikur mbanin armët sot mbajnë peng shtetin, institucionet dhe të ardhmen — madje duke futur në politikë edhe fëmijët e tyre. Dija e tyre, bashkë me ‘diplomat’ e fëmijëve të tyre të pamunduara e të pamerituara, vlen sa allgjuka në grazhd, ndërsa Kosova rrënohet nën peshën e arrogancës dhe pasurimit të tyre.”
Qytetarët e Kosovës kanë kaluar më shumë se dy dekada prej luftës, por vendi ende mbahet peng nga njerëz që e përdorin të kaluarën si kapital personal. Disa prej atyre që dikur morën armët për lirinë e vendit, sot i kanë kthyer ato merita në monopol politik, në pasuri marramendëse dhe në një arrogancë që e ka lodhur popullin deri në palcë.
“Për çerek shekulli, ky mentalitet e ka shkatërruar shtetin duke anashkaluar profesionistët: juristët, ekonomistët, akademikët dhe të gjithë ata që do t’i kishin dhënë vendit mendje e drejtim të duhur janë lënë mënjanë. Në vend të kompetencës, u soll mediokriteti. Në vend të vizionit, interesi personal. Në vend të shtetndërtimit, kapja e shtetit.”
“Sot, shumë prej tyre derdhen nëpër ekrane televizive duke folur për politikë, ndërsa veprimet e tyre tregojnë qartë se nuk e kanë pasur hallin e shtetit, por hallin si të pasurohen. E për këtë punë atyre nuk u duheshin njerëz të mençur e profesionistë, por servilë dhe ndjekës të verbër që u shkojnë pas për një thes miell.”
Atë që armiku s’e bëri dot me dhunë, disa prej “çlirimtarëve” të futur në politikë e bënë me paaftësi, korrupsion dhe kultin e rremë të një çlirimi të shndërruar në dekor të përhershëm politik. Në emër të luftës dhe tri shkronjave UÇK, shumë prej tyre u bënë milionerë e miliarderë, ndërsa Kosova rrënohej në duart e tyre. Kjo nuk është padituri — është shfrytëzim dhe keqpërdorim i besimit të popullit.
Këta të vetëquajtur çlirimtarë u shndërruan në një kastë politike të paprekshme që i trajton institucionet si pronë private dhe popullin si dekor fushatash.
“Populli është lodhur. Një kastë politike opozitare, e lidhur me interesa të errëta dhe ndikime të jashtme, ka kapur për vite me radhë institucionet, pasuritë publike dhe drejtimin e shtetit, duke dëmtuar skajshmërisht Kosovën me marrëveshje të dëmshme që kanë çuar deri te shpërbërja e institucioneve dhe bllokimi që vazhdon tash e 11 muaj.”
Ky rreth i ngushtë, që ndër vite ka funksionuar si grup i mbyllur interesash, e ka trajtuar pushtetin si pronë personale, ndërsa rezultatet e qeverisjes së tyre shihen qartë në xhepat e tyre të fryrë dhe në pasuritë marramendëse që nuk mund të justifikohen me punë të ndershme.”
Këto zgjedhje duhet të jenë një moment kthese – një gjykim qytetar, ku qytetarët të vlerësojnë me maturi se kush ka punuar për shtetin dhe kush ka punuar vetëm për veten. Vetëm kështu mund të mos u jepet më mundësia që të rikthehen dhe të vazhdojnë të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.
Disa prej tyre, pasi e panë se janë bërë bajat dhe se askush nuk u beson më, tani po shtyjnë partitë e veta që t’u fusin fëmijët e tyre në politikë. Kjo ngjan si ajo lopa dëmëtore që nuk linte shteg pa e thyer. I zoti i shtëpisë e mallkonte:
“Oç, oç, ta hangërt dreçi viçin në bark!”
Fqiu pyeti: “Pse bre po e mallkon viçin?”
Ai u përgjigj: “Këtë vit po e pres dhe po e bëj mish për vegshë. Por i kam edhe tre vjeta të tjerë – e me i prerë e me i bërë mish të tanë nuk kam mundësi, se jam fukara. Droj se kam me hjekë me farën e kësaj lope derisa të jam gjallë.”
Të tillët nuk ndalen vetë; vetëm vota mund t’i ndalë dhe t’i çojë aty ku e meritojnë.
Nëse këta politikanë mendojnë se Kosova u ka borxh, le ta thonë hapur. T’u paguajmë borxhin dhe le të largohen nga politika. Por e vërteta është e thjeshtë: për 25 vjet i kanë cenuar dinjitetin këtij vendi më shumë se çdo kërcënim i jashtëm. Atë që premtuan se do ta ndërtonin, e rrënuan vetë.
“Prandaj, largimi i tyre nga skena politike nuk është çështje dëshire — është domosdoshmëri kombëtare.
Ky vend nuk mund të mbetet peng i një brezi politikanësh që herë fshihen pas emrit të Rugovës, si Abdixhiku dhe Çuni dhe çunat tjerë që mburren me luftën, duke treguar me mendjemadhësi se ‘kur e kam kapur unë pushkën, ju s’e keni ditur çfarë është pushka’.
Të tillët vazhdojnë të ndërtojnë mit rreth vetes dhe të shesin sakrificë, ndërkohë që popullin e kan lodhur me këto rrëfime të stërpërdorura.”
Të tillët jetojnë nga hija e së kaluarës dhe jo nga puna për të ardhmen. Populli nuk mund të mashtrohet më me rrëfime të stërpërdorura; ai e meriton të vërtetën dhe një politikë që shikon përpara.”
“O njerëz, hapni sytë dhe lexoni kohën në të cilën jetojmë. Epoka e luftës ka mbaruar prej shumë vitesh, ndërsa bota sot përballet me rreziqe të reja.
Nuk ka më vend që disa të mburren pafund me të kaluarën, sikur e gjithë Kosova u detyrohet përjetësisht. Lufta ka qenë sakrificë kolektive — jo monopol personal.
Ata që u pasuruan pa masë duhet ta kuptojnë se koha e tyre ka perënduar. Është momenti të hapin rrugë dhe të lejojnë rininë, profesionistët, të shkolluarit dhe njerëzit me integritet të ndërtojnë shtetin. E ardhmja nuk mund të mbahet e ngecur në hijen e së kaluarës.”
“Unë, Halil Geci, u them atyre që po e quajnë veten çlirimtarë: kah më paska qenë ai çlirim që po e merrni për vete? Kontributin tuaj e rrethoj me një metër pe prej leshi, të tjerrur në furkën e hallës Mihane — aq vlen ‘çlirimi’ që po ia mveshni vetes.”
Kosovën e ka çliruar Amerika, aleatët ndërkombëtarë dhe gjaku i derdhur si lumë i dëshmorëve, i grave dhe i fëmijëve të pafajshëm. Aty qëndron e vërteta, jo në lavdet e rreme të disa individëve që sot duan ta mbajnë peng historinë.
Kosova meriton më shumë.
Koha e tyre ka mbaruar.
