Nga përjashtimi në LDK te krijimi i Partisë Guxo – Geci flet për rugovistët e rinj
Veprimtari Halil Geci ka vlerësuar se rugovistët e përjashtuar nga LDK-ja kanë ndërtuar shtëpinë e tyre të re politike, Partinë Guxo, duke ruajtur me përkushtim frymën e Presidentit Ibrahim Rugova.
Ai thekson se përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre, këta veprimtarë kanë kontribuar në rikthimin e Kosovës në rrugën e shtetndërtimit modern, ashtu siç e kishte vizionuar Rugova.
Geci potencon se anëtarët e Partisë Guxo vazhdojnë ta nderojnë figurën e tij, duke përkujtuar ditëlindjen dhe veprën e Presidentit të ndjerë, i cili mbetet i pavdekshëm për sa kohë shqiptarët besojnë në paqe, demokraci dhe zhvillim.
Postimi i plotë:
RUGOVISTËT E PËRJASHTUAR NGA LDK NDËRTUAN SHTËPINË E RE ME EMRIN “PARTIA GUXO” DHE ME FANATIZËM RUAJTËN FRYMËN E RUGOVËS
Rugovistët e përjashtuar, të nënçmuar dhe të dëbuar pa vullnetin e tyre nga shtëpia e tyre politike LDK-ja, sot ata kanë ndërtuar shtëpinë e tyre të re: me emërin Partia Guxo.
Me vendosmërinë dhe guximin e tyre, ata kanë kontribuar që Kosova të rikthehet në parametrat e një shteti modern, ashtu siç e kishte ëndërruar dhe e kishte projektuar Presidenti Ibrahim Rugova.
Duke mos harruar kurrë të zotin e shtëpisë, Rugovën e madh, ata vazhdojnë t’i bëjnë nderime pranë varrit të tij, duke përkujtuar me respekt ditëlindjen, jetën dhe veprën e tij. Për Rugovën e madh, vdekja nuk ekziston: veprimet, ideali dhe puna e tij mbeten të gjalla për aq kohë sa mbi këtë tokë do të ketë shqiptarë që besojnë në paqe, shtetndërtim dhe demokraci.
