TË FUNDIT

Lista për 28 dhjetorin: Vetëvendosje prezanton ekipin që ‘nuk përkulet dhe nuk negocion mbi interesin e shtetit’

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar listën e saj zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të njihen me emrat që do të garojnë nën këtë subjekt.

Listës i prinë kryetari i partisë dhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ndërsa mbyllet me Salih Zyban, në vendin e 110-të.

Brenda kësaj liste vihen re edhe emra të rinj, që synojnë të sjellin energji dhe perspektiva të reja në skenën politike.

Rexhepi: Vazhdim i reformave me njerëz që nuk ndalen, nuk përkulen dhe nuk negociojnë mbi interesin e shtetit

Anëtari i Guxo, Agim Rexhepi thotë se lista e Lëvizjes Vetëvendosje për 28 dhjetorin reflekton vendosmërinë për të mbrojtur reformat dhe për të vijuar punën pa kompromis.

Sipas tij, përzgjedhja e emrave tregon prioritet luftën kundër korrupsionit dhe pasigurisë, duke theksuar përgjegjësinë dhe angazhimin e tyre në funksionet publike.

“Publikimi i listës së Lëvizjes Vetëvendosje për 28 dhjetorin duket qartë si një përgjigje e prerë ndaj të gjitha kritikave dhe zhurmave politike të viteve të fundit. Kjo listë nuk është thjesht një dokument zgjedhor është një pozicionim i fortë: “Kemi punuar, kemi mbajtur fjalën dhe po vijojmë me njerëz që nuk i frikësohen barrës së shtetit.”

Në dallim nga listat e kaluara, këtë herë bie në sy një vendosmëri brutale për të mos kthyer asnjë hap mbrapa. Emrat e përzgjedhur mbajnë mbi supe jo vetëm funksione, por beteja të fituara kundër korrupsionit, pasigurisë dhe mënyrave të vjetra të politikës. Kjo e bën listën të duket si një strukturë që synon të mbrojë çdo centimetër të reformave të nisura”, ka thënë ai.

Më tej, ai thotë lista e Vetëvendosjes për 28 dhjetorin synon të vazhdojë reformat pa kompromis, duke përfshirë të rinj, profesionistë dhe gra për të sfiduar sistemin e vjetër dhe privilegjet e kaluara, duke shtuar se ky është një mesazh i qartë: koha e pasivitetit ka mbaruar, dhe mbrojtja e interesit të shtetit është prioritet.

“Përfshirja e të rinjve dhe profesionistëve nuk është dekor politike është kundërvënie e hapur ndaj mentalitetit që ka mbajtur vendin peng. Është mesazhi se nuk ka më vend për njerëz që jetojnë prej privilegjeve të vjetra, prej lidhjeve të vjetra dhe prej padrejtësive të vjetra. Lista thotë hapur: “Koha e tyre ka mbaruar.”

Nga ana tjetër, pesha e grave në listë tregon një qasje që sfidon drejtpërdrejt sistemet e vjetra të mbyllura. Kjo nuk është thjesht simbolikë është sinjal i një politike që godet aty ku sistemi është më i brishtë: tek mungesa e barazisë dhe tek mungesa e profesionalizmit. Prandaj, lista ka një energji që të jep përshtypjen e një ekipi që nuk toleron më karrige të trashëguara, pazare të fshehta apo kompromise të dobëta.

Mesazhi politik është i qartë dhe i pakompromis:

Vazhdim i reformave me njerëz që nuk ndalen, nuk përkulen dhe nuk negociojnë mbi interesin e shtetit.

Kushdo që kërkon ta kthejë Kosovën pas, e ka përballë një listë njerëzish që kanë vendosur të mos lejojnë që ky vend të kthehet në duart e atyre që e lodhën për vite të tëra.

Kjo listë nuk është thjesht për zgjedhje është një betejë për drejtimin e vërtetë të Kosovës” – përfundon ai.

Hajdaj: Bashkë, koalicioni LV-GUXO-ALT-PDSHK po hynë në këto zgjedhje si koalicioni më i gjerë dhe kualitativ në raport me partitë tjera

Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se koalicioni LV-GUXO-ALT-PDSHK hyn në zgjedhjet e 28 dhjetorit si koalicioni më i gjerë dhe kualitativ, me kombinim të emrave të rinj dhe atyre të njohur, duke treguar mobilizim dhe përgatitje të fortë për parlamentin e ardhshëm.

“Po, dje dhe sot u pa publikimi i listave zgjedhore i partive politike me të përzgjedhurit e vet, i kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të me 28 dhjetor në Kosovë. Tek bashkë koalicioni LV-GUXO-ALT pamë emra të rinjë të kandidatëve por edhe emra tjerë që ishin në zgjedhjet e 9 shkurtit e nuk janë më në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Risi ishte edhe koalicioni i lidhur me Partinë Demokristiane shqiptare të Kosovës, që mund të jetë një përforcim i duhur për Lëvizjen Vetëvendosje.

Dhe po, mund të them se bashkë koalicioni LV-GUXO-ALT-PDSHK po hynë në këto zgjedhje si koalicioni më i gjerë dhe kualitativ në raport me partitë tjera. Edhe tek Partia GUXO si pjesë përbërëse e këtij koalicioni të madh zgjedhor, pamë disa ndryshime me emra të rinjë si kandidat për deputet, siq janë Viktor Buzhala , Blerim Gashi, dhe i riu Fatos Geci. E kur këtu i kemi parasysh edhe emrat e njohur të deputetëve të ligjislaturave të kaluara, si Donika Gërvalla, Haxhi Avdyli, Jeta Statovci, Albena Reshitaj dhe Nezir Kraku, atëherë mund të themi se Partia GUXO po hynë shumë e mobilizuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit”, thotë ai.

Tutje, ai thotë në këto zgjedhje, pyetja kryesore nuk është se cili kandidat do të fitojë mandatin e kryeministrit, por sa e madhe do të jetë diferenca mes Albinit Kurti dhe kundërkandidatëve të tij. Sipas tij, elektorati, brenda dhe jashtë vendit, tashmë ka një qartësi të madhe për nevojat e Kosovës dhe për formacionin politik që mund ta çojë vendin përpara.

Ai shton se bllokada politike e 10 muajve të kaluar e tregoi qartë se Kosova ka nevojë për qartësi dhe qëndrueshmëri politike – ndoshta më shumë se kurrë që nga shpallja e pavarësisë më 2008 – sidomos duke marrë parasysh sfidat e brendshme dhe ato ndërkombëtare që e presin vendin. Siguria më e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj është që Kryeministri Albin Kurti të vazhdojë të qeverisë edhe për një mandat të ri.

“Risi pamë edhe tek kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe marrë në përgjithësi, mendoj se bashkë koalicioni LV-GUXO-ALT dhe PDSHK i hynë më vetëbesim të madh kësaj gare zgjedhore dhe është dukshëm ma kualitativ se ai i partive tjera politike në Kosovë. Por, përparësia më e madhe e bashkë koalicionit LV-GUXO-ALT-PDSHK është se këtij i prinë në zgjedhje lideri i madh Albin Kurti, që aktualisht është figura politike dhe kombëtare më e përqafuar tek populli shqiptar në Kosovë. E që në anën tjetër, mund të shihet si hendek për partitë tjera deri dje opozitare.

Dhe sigurisht, edhe në këto zgjedhje nuk bëhet pyetja se cili prej mandatareve për kryeministër do t’i fitoj zgjedhjet, por cila do të jetë diferenca e Albinit Kurtit kundrejt kundër kandidatëve të vet. Unë besoj se tanimë elektorati i jonë në Kosovë dhe jashtë saj, e kanë shumë të qartë se çka i duhet sot më së shumti Kosovës dhe me cilin formacion politik mund të ecim përpara.

Bllokada politike e 10 muajve të kaluar na tregoi se Kosova ka nevojë të madhe për një qartësi politike ndoshta me të madhen prej pavarësisë së Kosovës, me 2008, duke i pasur parasysh shumë procese politike që e presin Kosovën në aspektin e brendshëm nacional dhe atë të jashtëm ndërkombëtar. Dhe siguria më e madhe për Kosovën dhe popullin tonë është që Kosovën ta qeverisë edhe për një mandat qeverisës, Kryeministri Albin Kurti 3” – përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *