TË FUNDIT

Fotomontazhi i turpit/ Sulm ndaj Presidentes Osmani – Preqi: “Sëmundje” që …

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë objekt i një fotomontazhi të shpërndarë kundër saj. Imazhi, i publikuar nga Nuredin Drenica, e paraqet Osmanin duke ecur krah Ana Bërnabiqit dhe ministrit të Jashtëm serb, përmes një turme qytetarësh ku shihet edhe një fëmijë.

Presidenca ka reaguar duke theksuar se fotografia është tërësisht e rreme, një montazh i fabrikuar me qëllim krijimin e konfuzionit te publiku dhe dëmtimin e reputacionit të Presidentes.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.

Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka reaguar ndaj fotomontazhit ku presidentja Vjosa Osmani shfaqet pranë Ana Bërnabiqit dhe Marko Gjuriqit, montazh që dyshohet se është bërë nga Nuredin Drenica.

Ai e cilëson këtë veprim si të turpshëm dhe të dëmshëm, duke theksuar se një gjë e tillë vjen nga njerëz që përmes dizinformimit synojnë të baltosin autoritetet e shtetit dhe t’i shërbejnë narrativave të huaja kundër Kosovës. Preqi e quan këtë sjellje “sëmundje të brendshme” që dëmton imazhin e vendit dhe vlerat e Drenicës heroike.

“Këto ditë është shpërndarë një fotomontazhë në të cilën shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke ecur përkrah Ana Bërnabiqit dhe ministrit të jashtëm serb Marko Gjuriq, që dyshohet se e kishte montuar i ashtuquajturi Nuredin Drenica.

Do të ishte pak sa e çuditshme, pse këta emra të dyshimtë vijnë nga Drenica martire, siq ishte edhe pak ditë më parë rasti i fjalorit të ndyer të Sami Lushtakut, ndaj deputetes Adriana Matoshi, duke i dhënë këtij vendi një mesazh të keq, të cilin e njeh edhe bota për heroizmin dhe atdhetarinë e bijave dhe bijëve të saj.

Ky lloj fotomontazhi që qarkulloj këto ditë ndaj presidentës së vendit dr. Vjosa Osmani, ka sjellë reagime të shumta nga gjitha anët, si edhe reagime nga presidenca e vendit, se montazhet e tilla janë forma dhe narrativa që u përshtaten shërbimeve të huaja, për të dëmtuar imazhin dhe pozitën e njerëzve të rëndësishëm të vendit tonë.

Sikur vetë fakti tregon se ky lloj montazhi lidhet me organizimin dhe përpjekjet e atyre njerëzve që përmes dizinformatave të fotomontazheve të tilla, të shtrembërojnë faktet dhe të baltosin autoritetet kryesore të këtij vendi, si tendencë që i shtyen diçka nga brenda, apo si ndonjë sëmuarje që lëngon në vazhdimësi pa gjetur shërim”, thotë ai.

Tutje, Preqi thotë se fotomontazhe të tilla bëhen lehtësisht sot përmes inteligjencës artificiale dhe se shpesh keqpërdoren për përfitime dhe për të shërbyer agjenda të huaja, sidomos serbe. Ai thekson se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë, sepse këto veprime nuk dëmtojnë vetëm figurat shtetërore, por cenojnë edhe imazhin dhe sigurinë e shtetit. Preqi kujton se Kosova, pas Ibrahim Rugovës, ka pasur dy presidente femra, një arritje që duhet respektuar, prandaj sulmet ndaj tyre janë të turpshme.

Ai kritikon edhe persona brenda Kosovës që, sipas tij, duke ndjekur interesa pushteti, pranojnë madje të bashkëpunojnë me forca që kanë lidhje me Serbinë, vetëm për të sulmuar udhëheqjen aktuale të vendit.

“Fotomontazhe të tilla mund të arrihen sot kudo përmes teknikave të Intelegjencës Artificiale, që shumica e njerëzve i keqpërdorin dhe i interpretojnë vend e pa vend, duke përfituar shuma të mëdha të parave prej padronëve të tyre, sikur që flitet se Serbia, ka futur në Kosovë, elemente të formave të tilla, për ta destabilizuar dhe shantazhuar këtë vend.

Se sa mund të realizohen dhe depërtojnë format dhe veprimet e tilla, kjo është çështje e institucioneve tona ligjore dhe njerëzve kopetent ndaj veprimeve të tilla, të një qëndrimi që mund ti bashkangjitet edhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi, duke e kuptuar peshën e një rreziku jo vetëm ndaj një përsonaliteti shtetëror, por në këto rrethana privohet përgjegjësia edhe më e gjerë e një shteti në tërësinë e vet.

Si asnjëherë Kosova, në historinë e vet, që mbas presidentit historik Ibrahim Rugova, arriti të zgjedh presidente një femër si z.Atifete Jahjaga dhe tani z.Vjosa Osmani, e cila do të ishte femra më e votuar në historinë e këtij vendi, që do ta lakmonte gjithë bota demokratike.

Për fat të keq, sjelljet e ngjarjeve të tilla, e atyre që me vetëdije veprojnë dhe investojnë në këto forma djallëzore, jo vetëm që i japin mesazh të keq këtij populli dhe shteti, por thjeshtë i japin zë të keq ndjenjës së ekzistencës njerëzore të këtij vendi, sikur ka një element mospajtimi, kontradikte dhe ligësie, e cila shpaloset përmes individëve të tillë, përmes të cilëve pretendohet të baltoset historia e këtij vendi.

Shërbëtorë të këtij lloji dhe llojeve të tjera Kosova ka mjaftë, ndoshta edhe sikur më parë, kur ishte nën okopimin serb, të cilët marrin urdhërat e Serbisë dhe me programet e saj e duan këtë vend ta kthejnë edhe njëherë në «Kosovo Metohi».

Por, ç’bëhët vallë me përmbajtjen e një kategorie tjetër, të ashtuquajtur ish-opozitë, e cila me tiparin e etjes dhe dehës për «pushtet», nuk e ka problem fare palën kriminale nga Lista serbe, por e ka problem palën tjetër në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, që konsiderohen si palë okupuese me pushtetin e tyre në këtë vend”, përfuundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *