SHBA fokusohen te Lugina, Ragmi Mustafi: Një moment historik për shqiptarët – paralajmërim i qartë për Beogradin
Në fjalën e tij, Self kritikoi ashpër atë që e quajti “pasivizim administrativ” dhe diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve etnikë nga autoritetet serbe — duke theksuar se këto praktika janë “të papranueshme” dhe se mund të destabilizojnë mbarë rajonin.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, i tha “Bota Sot” se diskutimet në Kongresin amerikan shënojnë një moment historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, fakti që në një seancë zyrtare të politikës së jashtme të SHBA-së u denoncua hapur diskriminimi, pasivizimi i adresave dhe politikat represive të Serbisë, dëshmon se çështja ka hyrë në një fazë të re të ndërkombëtarizimit.
Mustafi thekson se është hera e parë që në Kongres thuhet publikisht se trajtimi i shqiptarëve në Luginë është i papranueshëm dhe rrezikon stabilitetin rajonal, duke e cilësuar këtë si një “standard të ri politik” dhe një “paralajmërim të qartë për Beogradin.”
“Deklarimet në Kongresin e SHBA-ve përbëjnë një moment historik për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Fakti që diskriminimi sistematik, pasivizimi i adresave dhe politikat represive të Serbisë u trajtuan hapur në një dëgjim zyrtar të politikës së jashtme amerikane, tregon se kjo temë ka hyrë në një fazë të re ndërkombëtarizimi.
Kjo është hera e parë që në Kongresin amerikan thuhet publikisht se trajtimi i shqiptarëve në Luginë është “i papranueshëm” dhe se përbën rrezik për stabilitetin rajonal.
Ky është një standard i ri politik që vendoset nga një fuqi e madhe si SHBA, dhe për ne është konfirmim se shqetësimet tona tanimë janë të dokumentuara dhe të besueshme në sy të aleatëve tanë strategjikë.
Në thelb, është një paralajmërim i qartë për Beogradin”, thotë ai.
Mustafi thekson se roli i SHBA-së është vendimtar, duke vepruar në tre drejtime.
“Roli i SHBA është vendimtar në tri drejtime:
Presion politik mbi Serbinë për të ndalur pasivizimin dhe diskriminimin;
Vendosjen e çështjes në një kornizë të sigurisë, jo vetëm të të drejtave të njeriut — që rrit prioritetin e saj në drejtim reciprociteti.
Sa herë që SHBA e përfshin Luginën në agjendë, rriten gjasat për një zgjidhje institucionale dhe të qëndrueshme”, theksoi ai.
Në fund, Mustafi, thotë se deklaratat e kongresistit Self dhe ekspertëve amerikanë tregojnë se praktikat e Serbisë ndaj shqiptarëve dëmtojnë imazhin e saj si shtet demokratik, zbulojnë diskriminimin ndaj pakicave dhe e paraqesin si faktor destabilizues. Ky zhvillim, rezultat i një pune të gjatë avokuese, është vetëm fillimi.
“Deklaratat e kongresistit Self, të mbështetura edhe nga ekspertët amerikanë, e theksojnë qartë se praktikat e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë:
dëmtojnë imazhin e Serbisë si shtet demokratik
demaskojnë politikat e saj diskriminuese ndaj pakicave,
dhe e shfaqin Serbinë si faktor të destabilitetit.
Овој трик ги отстранува брчките на која било возраст!
Skin Care
Kjo e dobëson pozicionin e saj politik në arenën ndërkombëtare, sidomos në raport me SHBA-në dhe me aleatët euro-atlantikë.
Në përfundim, ky zhvillim nuk është rastësi, por rezultat i një pune të gjatë avokuese, vizitave në Washington, takimeve me kongresistë dhe koordinimit institucional.
Dhe është vetëm fillimi” – përfundon ai.
