TË FUNDIT

Politikani serb: Betimi i kryetarëve në veri, provë e pranimit të shtetit të Kosovës

Politikani serb Nikolla Sanduloviq ka reaguar pas betimit të kryetarëve të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se ata kanë pranuar institucionet dhe ligjet e shtetit të pavarur të Kosovës.

Sipas tij, të gjithë dhjetë kryetarët e komunave serbe në Kosovë, në të cilat u rizgjedhin nën presionin e Listës Serbe dhe në një atmosferë frike e shantazhi, kanë dhënë betimin e tyre ndaj shtetit të Kosovës, me himnin e Kosovës dhe para figurës së Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Sanduloviq thekson gjithashtu se dokumentet u dhanë në dy gjuhë, “në serbisht dhe shqip, që të mos kishte pretendime më pas se dikush po mbron gjuhën, zakonet dhe kulturën serbe në Kosovë”.

Në postimin e tij, politikani serb ngre një pyetje retorike për ata që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Çfarë tjetër është e paqartë në konkluzionin se Kosova është shtet i pavarur dhe se serbët në autoritetet e tyre komunale e njohin si të tillë?”, ka shkruar ai.

Gjithashtu, Sanduloviq kritikon politikanët serbë jashtë Kosovës duke shtuar se “Çfarë pastaj doni nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina? Heshtje aty… ashtu siç ju është drejtuar tashmë shefi juaj Aleksandar Vuçiq”.

Sipas Sanduloviqit, fakti që kryetarët e komunave serbe kanë dhënë betimin e tyre dhe janë angazhuar të respektojnë ligjet e Kosovës është një provë e qartë se institucionet lokale serbe funksionojnë brenda strukturave të shtetit të pavarur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *