Partitë opozitare rrezikuan të ardhmen e qytetarëve, më 28 dhjetor Vetëvendosje pret mbështetje më të madhe se kurrë
Intervistë me kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Adelina Grainca
Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur rreth zgjedhjeve të reja, rezultatet e pritshme nga këto zgjedhje si dhe qeverisjen e deritanishme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo ka konfirmuar edhe rikandidimin e saj në zgjedhjet e 28 dhjetorit duke thënë se do të angazhohet për politika sociale, për fuqizim të rolit të grave dhe zhvillim ekonomik.
Deputetja Grainca ka folur edhe për strategjitë e partive tjera politike duke thënë se të gjitha si një bllok i vetëm politik kanë rrezikuar pagat e mbi 80 mijë zyrtarëve publikë në vitin e ardhshëm, pastaj shtesat për fëmijët dhe gratë, pensionet dhe një varg politikash sociale që prekin drejtpërdrejt familjet në vendin tonë.
“Bota sot”: Së shpejti do të mbahen zgjedhjet e reja. A mendoni se kjo ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën?
Adelina Grainca: Sa i përket zgjedhjeve më 28 dhjetor, u pa gjatë tërë kohës se kjo mbeti zgjidhja e vetme meqenëse pas një periudhe të gjatë bllokimi dhe sabotimi nga opozita, fillimisht për Kryetarin e Kuvendit që si proces e zvarritën për mbi 4 muaj, ata nuk pranonin as të uleshin për diskutim si partnerë, pastaj nuk e votuan Kryeministrin Kurti si mandatar dhe në fund nuk e pranuan as kompromisin me mandatar për Kryeministër Glauk Konjufcën. Në një klimë të tillë politike, institucionet u bënë peng i kalkulimeve të partive që kërkonin krizë, e kurrsesi zgjidhje. Prandaj zgjedhjet e reja u bënë mekanizmi i vetëm për ta rikthyer normalitetin dhe për t’ua kthyer vendimmarrjen qytetarëve.
“Bota sot”: Ҫfarë prisni nga rezultatet e zgjedhjeve të reja?
Adelina Grainca: Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të reja, më lejoni të theksoj se qytetarët e kanë parë qartë tendencën bllokuese të opozitës në çdo formë ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrit Kurti, andaj besoj se kësaj here do të votojnë masivisht për Qeverinë Kurti 3, për stabilitet institucional dhe për vazhdimësi të progresit të dëshmuar në mandatin e kaluar. Bllokada opozitare i ka sjellë shumë dëme vendit, ndërsa rezultatet e qeverisjes janë të matshme. Kjo e bën atmosferën elektorale më të kthjellët: njerëzit tashmë e dinë se kush ka punuar dhe kush provoi të pengojë. Unë në këto zgjedhje pres mbështetje më të lartë se kurrë.
ImageDeputetja Adelina Grainca
“Bota sot”: A planifikoni të rikandidoni në zgjedhjet e ardhshme?
Adelina Grainca: Në raport me kandidimin tim, më lejoni ta konfirmoj, po, do të rikandidoj dhe do të vazhdoj e përkushtuar të jem në shërbim të politikave të mira. Këtë angazhim e shoh si detyrim ndaj besimit qytetar që e kam marrë deri më tani. Unë do të vazhdoj të punoj për politika sociale, për fuqizim të rolit të grave dhe zhvillim ekonomik.
“Bota sot”: Çfarë mendoni se ende mbeti e pazgjidhur nga qeveria sa i përket zhvillimit ekonomik dhe punësimit?
Adelina Grainca: Referuar zhvillimit ekonomik dhe punësimit, të gjitha të dhënat dhe statistikat zyrtare tregojnë se Kosova, nën Qeverinë Kurti, rritjen mesatare vjetore ekonomike pas kalkulimit edhe të inflacionit e ka pasur mbi 4%. Edhe punësimi statistikisht është rritur sipas të dhënave të regjistrimit në Fondin e Kursimeve, ndërsa numri i bizneseve të reja është rritur dukshëm vazhdimisht. Bruto Produkti Vendor nga 7 miliard në fillim të mandatit është bërë mbi 10 miliard. Këta janë tregues të një gjendjeje ekonomike që ka marrë drejtim të mbarë. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë, me ç ‘rast duhen zgjeruar kapacitetet prodhuese, duhet përshpejtuar formalizimi i tregut të punës dhe nevojitet më shumë orientim në sektorë që krijojnë vlerë afatgjatë. Rruga është e nisur mirë dhe duhet forcuar më tej e të gjithë këto do të ndodhin gjatë mandatit të ardhshëm ku vetëm në prodhim janë paraparë mbi 1 miliard euro.
“Bota sot”: Lista Serbe nuk u ҫertifikua nga KQZ-ja. Cili është mendimi juaj për këtë vendim?
Adelina Grainca: Unë e vlerësoj veprim shumë të mirë që nuk u certifikua Lista Serbe. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 14, shkruan qartë në pikën 1.1 se ndalohet regjistrimi i një partie kur është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, parandalimin e çrregullimeve, dhunës e krimit, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Institucionet e sigurisë kanë prova të besueshme për aktivitetet e paligjshme të Listës Serbe, prandaj vendimi për të mos e certifikuar është i drejtë dhe i ligjshëm. Ky është precedent i rëndësishëm dhe ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë dhe shteti duhet të mbrojë integritetin e vet politik dhe ky është një shembull shumë i mirë.
“Bota sot”: Si i vlerësoni deklarimet e LDK-së, a ishte strategji e tyre mosvotimi i buxhetit për ta përdorur në fushatën zgjedhore?
Adelina Grainca: Në fakt, nuk është se vetëm LDK-ja nuk e votoi buxhetin. Atë nuk e votoi as PDK-ja, as AAK-ja me Nismën, e as Lista Serbe. Pozicionimi ishte i qartë si një bllok i vetëm politik nga të gjitha këto subjekte. Ky veprim është i dëmshëm për vendin sepse rrezikohen pagat e mbi 80 mijë zyrtarëve publikë në vitin e ardhshëm, pastaj shtesat për fëmijët dhe gratë, pensionet dhe një varg politikash sociale që prekin drejtpërdrejt familjet në vendin tonë. Të kalkulosh politikisht me buxhetin e shtetit është e turpshme dhe tejet e ulët. Qytetarët e kanë kuptuar këtë lojë dhe e dinë mirë se ky bllokim ishte akt i ulët kundër vendit dhe interesave tona qytetare e shtetërore.
“Bota sot”: Si i shihni përfaqësimin e grave në vendimmarrje në Vetëvendosje?
Adelina Grainca: Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më demokratik në vend dhe u jep më së shumti hapësirë grave për angazhim politik në jetën publike. Në Qeverinë Kurti, politikat më të rëndësishme janë marrë me synimin e ndikimit pozitiv për gratë dhe vajzat, qoftë përmes mbështetjes ekonomike, qoftë përmes përfshirjes në pozita kyçe vendimmarrjeje apo politikat sociale si dhe shtesat për fëmijë e lehona, ndërtimi i çerdheve e kështu me radhë. Përfaqësimi i grave në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk është dekor, por pjesë e qenësisë politike të subjektit. Rruga drejt barazisë nuk mbyllet me disa emërime, por ajo konsolidohet përmes politikave të përditshme. Dhe ky është parimi me të cilin ka qeverisur e që vepron Lëvizja VETËVENDOSJE!.
