OPINIONTË FUNDIT

Paralajmërohen ndryshime të mëdha në skenën politike – ja çfarë pritet nga zgjedhjet e reja

Zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, të cilat pritet të mbahen më 28 dhjetor, po konsiderohen si një ndër momentet më të rëndësishme politike të viteve të fundit. Ato zhvillohen në një kontekst të ngarkuar me tensione të brendshme politike, polarizim të theksuar, rënie të besimit të qytetarëve te partitë tradicionale dhe një dinamikë të re elektorale që mund të riformësojë raportet e forcave në skenën politike.

Një prej çështjeve më të diskutuara është fati i partive të vogla, të cilat rrezikojnë të mos e kalojnë pragun zgjedhor. Fragmentimi i skenës politike, rritja e votuesve të papërcaktuar dhe përplasjet e ashpra mes partive të mëdha kanë krijuar një terren të vështirë për grupimet më të vogla, të cilat tradicionalisht kanë luajtur rol kyç në koalicionet qeverisëse.

Në këtë atmosferë të pasigurtë, pyetja kryesore është:

Çfarë do të ndodhë realisht me skenën politike në Kosovë pas 28 dhjetorit?

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të japin përgjigje për këto dilema, duke përcaktuar jo vetëm përbërjen e re të Kuvendit, por edhe drejtimin e zhvillimeve politike dhe institucionale të vendit për vitet në vijim.

Maloku: Sa i përket paszgjedhjeve të 28 dhjetorit, zhvillimet mbeten të hapura dhe vështirë të parashikohen

Analisti Albinot Maloku, i vlerësoi si shumë të natyrshme koalicionet e partive të vogla me partitë e mëdha.

Mirëpo, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se afrimet mes partive politike duhet të ishin më të natyrshme.

ImageAlbinot MalokuFoto galeri
“Disa subjekte politike, veçanërisht ato jashtëparlamentare apo me përfaqësim më të vogël, po kërkojnë hapësira bashkëpunimi me subjektet më të mëdha, gjë që është plotësisht e natyrshme në realitetin tonë politik. Megjithatë, do të ishte e dëshirueshme që këto afrime të zhvilloheshin në mënyrë më të natyrshme dhe me respekt të ndërsjellë”.

Krahas kësaj, analisti komentoi edhe mënyrat e bashkëpunimeve mes partive, e që sipas tij kohën e fundit po përdoren disa praktika të ndryshme, por që po pranohen si realitet politik

“Praktika e fundit, ku subjektet më të mëdha nuk e reflektojnë tërësisht identitetin e subjekteve më të vogla në listat zgjedhore, përfshirë edhe mosnjohjen e akronimeve të tyre, krijon perceptimin e mungesës së barazisë në partneritet. Pavarësisht kësaj, për arsye pragmatike ose personale, disa prej subjekteve më të vogla po e pranojnë këtë model si realitet politik”, shtjelloi Maloku.

Ndër të tjera, ai shtoi se mund të ketë zhvillime të shumta pas 28 dhjetorit.

Por, sipas tij, më me rëndësi është të mos ketë bllokada dhe të rifunksionalizohen institucionet e shtetit.

“Sa i përket paszgjedhjeve të 28 dhjetorit, zhvillimet mbeten të hapura dhe vështirë të parashikohen. Ajo që mbetet e domosdoshme, siç mund ta vërejë kushdo që i ka ndjekur proceset politike prej 9 shkurtit e këndej, është nevoja që 28 dhjetori të mos prodhojë bllokada të reja, por të mundësojë ecje përpara. Kosova ka nevojë për rifunksionalizim të shtetit, forcim të institucioneve dhe orientim të qartë drejt zhvillimit ekonomik, diplomatik dhe politik. Çdo tendencë për të rikthyer logjikën e bllokimit do të ishte e dëmshme për vendin”, përfundoi Albinot Maloku për “Bota sot”.

Zogaj: Skenën politike të Kosovës e ka kapluar një mallkim i frikshëm

Kurse, sa i përket zhvillimeve dhe ndryshimeve të mundshme në skenën politike në Kosovë, foli edhe publicisti Skënder Zogaj.

Ai vlerësoi se skena politike po degjeneron, derisa dëshira për pushtet është bërë më e madhe, se dëshira për interes të shtetit e popullit.

“Në një vend si Kosova ku tranzicioni në vend se të ecën përpara me reforma dhe ngritje të vetëdijes politike dhe shtetërore, po ndodh e kundërta, skena politike po degjeneron, dhe po degjenerojnë edhe ambiciet për pushtet, të cilat në vend të interesit të vendit dhe popullit, shohin interesat e ngushta personale e grupore, që janë në gjendje ta shesin vendin për një përfitim minor, e sidomos për të pasur një fotele pushteti!”

Krahas kësaj, Zogaj tha se duke parë zhvillimet e fundit, mund të thuhet se në Kosovë nuk është asgjë e pamundur.

Madje, sipas tij, nuk do ketë ndryshim pas 28 dhjetorit.

“Kjo tregon se në Kosovë asgjë nuk është e pamundur, pra mund të ndodhin absurde! Është e pamundur të dihet fjala vjen, çka pritet të ndodh në Kosovë pas 28 dhjetorit, por gjasat janë që gjëra pozitive të ketë pak, fare pak, sepse, investimet e sinqerta politike mungojnë, kështu që, është e pamundur që të mbjellin misër e të korrim grurë! Merreni me mend fushatë e verbër të koalicioneve hardalle, ku partitë historike bin në gjunjë para partive minore që nuk kanë një autobus anëtarësh dhe, partitë e mëdha i marrin për të shënuar fitore!” – shpjegoi ai.

Në fund, publicisti potencoi se, skenën politike të Kosovës e ka kapluar një mallkim i frikshëm, derisa e krahasoi me atë të Shqipërisë pas shpalljës së pavarësisë.

“Në këtë situatë delirante, e keqja e të gjitha të këqijave është se, kushdo që të jetë fituesi, Kosova do të vazhdojë të jetë humbësja edhe pas këtyre zgjedhjeve! Skenën politike të Kosovës e ka kapluar një mallkim i frikshëm. Kosova po e përsëritë historinë e Shqipërisë pas Pavarësisë, kur shqiptarët e kanë ngrënë njëri tjetrin dhe e vazhdojnë këtë edhe sot!

Kosova dhe kosovarët e kanë këtë rast dhe nëse e humbasin, nuk do ta kenë më kurrë!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *