Alban Zogaj flet për mundësinë e bashkëpunimit me VV-në: LDK hyn në zgjedhje me profil të qartë qeverisës
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për deputet, Alban Zogaj në një intervistë për “Bota sot”, ka folur për zgjedhjet nacionale dhe perspektivat e LDK-së në këto zgjedhje.
Zogaj thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në zgjedhje me profil të qartë qeverisës, bazë të konsoliduar dhe ofertë politike mbi përvojën dhe stabilitetin institucional, duke u shfaqur si alternativa më e besueshme për qytetarët.
Ai thekson se prioritet është një qeveri e qëndrueshme, e bazuar në parime dhe partneritet me Perëndimin, duke synuar të shërbejë me përgjegjësi qytetarëve të Kosovës.
Sa i përket një koalicioni me VV-së, Zogaj thotë se LDK mbetet opozitë kritike, por përgjegjëse, dhe bashkëpunimi me partitë e tjera do të shqyrtohet vetëm në bazë të programit të përbashkët dhe vullnetit për qeverisje serioze.
Ai ka bërë të dikur se sërish do të jetë kandidat për deputet.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si i shihni perspektivat e LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit?
Alban Zogaj: Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në këto zgjedhje me një profil të qartë qeverisës, me një bazë të konsoliduar dhe me një ofertë politike të ndërtuar mbi përvojën, seriozitetin dhe stabilitetin institucional. Përballë një situate politike të tensionuar në vend, LDK shihet gjithnjë e më shumë si alternativa me e besueshme për qytetarin, ajo që siguron kthimin e normalitetit dhe qeverisjes së përgjegjshme. Andaj, jam i bindur se do te dalim me rezultat shumë më të mirë.
“Bota sot”: LDK-ja ka pasur periudha konsolidimi dhe sfida brenda partisë. Si po përgatitet për këto zgjedhje?
Alban Zogaj: Si çdo subjekt politik me histori të gjatë, LDK ka kaluar faza reflektimi të brendshëm dhe riorganizimi. Këto zgjedhje e gjejnë partinë më të qartë në pozicionime dhe më të përgatitur në strukturë. Degët dhe nëndegët janë në terren, programi zgjedhor po prezantohet hap pas hapi, ndërsa fushata do të fokusohet tek ekonomia, zhvillimi dhe qeverisja e përgjegjshme, e jo tek retorika konfliktuale.
“Bota sot”: A ka plane për bashkëpunime strategjike me parti të tjera ose koalicione pas zgjedhjeve?
Alban Zogaj: Prioritet mbetet një qeveri stabile dhe funksionale, e orientuar ne partneritet me perëndimin. Në politikë nuk përjashtohet asnjë skenar bashkëpunimi që i shërben interesit të vendit, mirëpo çdo partneritet duhet të jetë i bazuar në parime, jo vetëm në aritmetikë politike. Kosovës i duhet një shumicë që punon, jo që improvizon. Kemi diferenca me partitë tjera politike, dhe po kërkojmë që qytetari i Kosovës te na pozicionoj, ashtu qe te udhëheqim me qeverinë e vendit.
“Bota sot”: A ka hapësirë për bashkëpunim mes LDK-së dhe VV-së pas zgjedhjeve, apo do të mbetet opozitë konstruktive?
Alban Zogaj: LDK ka qenë dhe mbetet opozitë konstruktive, kritike aty ku duhet, por gjithmonë e përgjegjshme për vendin. Bashkëpunimi me çdo forcë politike është i mundur vetëm kur ekzistojnë vija të përbashkëta programore dhe vullnet i sinqertë për qeverisje serioze. Nëse pas zgjedhjeve krijohen kushte reale për një agjendë zhvillimore, ato do të shqyrtohen.
“Bota sot”: Si i komentoni aderimet e fundit në LDK, a ndikojnë ato në balancën e pushtetit brenda partisë?
Alban Zogaj: Aderimet e reja, sidomos nga figura profesionale dhe komuniteti i të rinjve, janë një shenjë e besimit në seriozitetin institucional të LDK-së. Ato nuk prishin balanca të brendshme, përkundrazi, sjellin energji, kapacitete dhe zgjerim elektoral. LDK është shtëpi politike me vizion afatgjatë, jo klub i mbyllur me dyer te mbyllura brenda vetes.
“Bota sot”: Si e vlerësoni performancën e Vetëvendosjes në qeveri në detyrë deri tash?
Alban Zogaj: Ecuria e qeverisjes aktuale është shoqëruar me tensione institucionale, mungesë të rezultateve në ekonomi, rënie të investimeve dhe përplasje të vazhdueshme me aleatët ndërkombëtarë. Paraqitja retorike nuk e mbulon mungesën e zbatimit dhe të rezultateve matshme. Këto zgjedhje do të jenë një moment reflektimi për vendin, mes populizmit dhe qeverisjes me përgjegjësi.
“Bota sot”: A do të jeni sërish kandidat për deputet?
Alban Zogaj: Po. Unë do të jem kandidat, me bindjen se angazhimi politik duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe rezultat. Mandati i parë edhe pse i vështirë dhe i ndërprerë para kohe ka qenë një përvojë e çmuar, ndërsa synimi për mandatin e dytë mbështetet në punën konkrete, në angazhimin qytetar dhe në vizionin për një Kosovë më të zhvilluar.
