TË FUNDIT

Maloku kritikoi gjuhën fyese të politikanëve: Qytetari meriton përgjegjësi, jo spektakle para kamerave

Analisti politik, Albinot Maloku, ka reaguar ndaj përshkallëzimit të gjuhës agresive në diskursin politik në Kosovë, duke e cilësuar atë si një dukuri të rrezikshme dhe të papranueshme.

Ai ka thënë se modeli i një gjuhe agresive, ofenduese dhe të papërshtatshme nga politikanët ka kohë që ka marrë përmasa shqetësuese, duke theksuar se ky fenomen nuk po ndalet dhe se palët në politikë po i kontribuojnë vazhdimisht këtij komunikimi të ulët.

Maloku ka kujtuar se prej vitesh ka ngritur zërin kundër përhapjes së kësaj gjuhe në hapësirën politike.

“Në vazhdimësi kam tërhequr vërejtjen për këtë lloj komunikimi, i cili është i dënueshëm katërçipërisht dhe i pafalshëm skajshmërisht,” ka deklaruar ai.

Maloku e ka cilësuar fenomenin si thellësisht degradues për standardet që një shtet demokratik duhet të ketë.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një diskurs të tillë.

“Qytetari ynë nuk e meriton këtë fenomen antivleror, publiku pret përgjegjësi, maturi dhe profesionalizëm nga përfaqësuesit politik, jo spektakle fyerjesh”, thotë ai.

Analisti ka kritikuar edhe mënyrën si politika po i formëson figurat e reja publike.

“Politika në Kosovë ka kohë që ka filluar të prodhojë jo politikanin serioz, por figurën që ofron pikanteri për syrin e kamerës,” ka thënë ai.

Sipas Malokut, disa politikanë nuk po shihen më si përfaqësues të përgjegjshëm të interesit publik, por si atraksione për publikun, të cilët luajnë për efekt mediatik, e jo për përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe Republikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *