“Kur simbolet flasin”: Çfarë do të thotë betimi i serbëve për të ardhmen e veriut të Kosovës?
Në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, ku kryetarët e rinj nga Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në vend, morën zyrtarisht detyrën përmes betimit.
Ceremonitë e betimit u zhvilluan në prani të simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi në Facebook se procesi është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë funksionimin e pushtetit lokal. Ai u uroi kryetarëve të rinj një mandat të suksesshëm dhe punë të mbarë.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e vlerësoi pozitivisht dorëzimin “pa pengesa” të qeverisjes komunale, përfshirë edhe në katër komunat në veri, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm drejt një angazhimi më konstruktiv në të ardhmen.
E vëmendje të madhe në këtë ceremoni, mori fakti se kryetarët serbë u betuan para simboleve të Kosovës, gjë që nuk ishte parë më parë.
Ky u cilësua si zhvillim me rëndësi për sovranitetin e institucioneve të Kosovës në veri, e që për të cilin folën njohësit.
Burjani: Kryetarët serbë duhet të respektojnë shtetin e Kosovës, simbolet, kushtetutën dhe rendin
E për këtë temë, së pari për “Bota sot” foli juristi Blerim Burjani.
Fillimisht, tha se kryetarët serbë duhet ta respektojnë shtetin dhe simbolet e Kosovës.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Ai tha se nuk mund të veprojnë si në të kaluarën.
“Kryetarët serbë duhet të respektojnë shtetin e Kosovës, simbolet, kushtetutën dhe rendin.
Ata nuk mund të veprojnë më si në të kaluarën; duhet të respektojnë shtetin ku jetojnë, simbolet dhe punën që kryejnë, si për vete ashtu edhe për shtetin”.
Gjithashtu, juristi tha se kryetarët serbë duhet të largohen nga dirigjimi i Beogradit, pasi ajo epokë do përfundojë shpejt.
“Po ashtu, duhet të lënë anash dirigjimin nga Serbia nga Beogradi.
Ajo epokë duhet të përfundojë sa më shpejt”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.
Komunat me shumicë serbe në veri kishin qenë nën drejtimin e kryetarëve shqiptarë që nga maji i vitit 2023. Kjo kishte ndodhur pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë.
Gecaj: Mesazh politik për komunitetin ndërkombëtar dhe Beogradin
Ndërsa, edhe eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm betimin e serbëve para simboleve të Kosovës.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tregoi disa shembuj që e mbështesin këtë gjë dhe mesazhet që përcjellin këto betime.
ImageHysen GecajFoto galeri
“Po japë disa shembuj pse është i rëndësishëm ky betim
• Pranimi simbolik i autoritetit të Kosovës: Kur kryetarë serbë të komunave në veri betohen para simboleve shtetërore të Kosovës (p.sh. flamurit, himnit, institucioneve zyrtare), kjo nënkupton njëfarë “legjitimiteti institucional” — pranimin se këta përfaqësues lokalë do të ushtrojnë detyrat e tyre brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.
• Zgjidhje lokale brenda institucioneve të Kosovës: Kjo rrit mundësinë që edhe veriu — tradicionalisht zonë me tension dhe barrikada politike — të integrohet më mirë në sistemin lokal qeverisës të Kosovës, me kryetarë që formalish ushtrojnë detyrën sipas ligjeve të Kosovës.
• Mesazh politik për komunitetin ndërkombëtar dhe Beogradin: Për institucionet ndërkombëtare, përfshirë BE-në dhe SHBA, një hap i tillë mund të interpretohet si progres drejt normalizimit dhe stabilitetit në veri. Ndërkohë, për Serbinë, mund të jetë presion/impuls për të pranuar realitetin politik të Kosovës — ose të reflektojë një lloj kompromisi lokal”.
Krahas kësaj, eksperti foli edhe për aspektet pozitive dhe negative të këtij zhvillimi.
Si pozitive, vlerësoi faktin e respektimit të kushtetutës dhe institucioneve të Kosovë dhe përfshirjen e serbëve pa izolim.
Mirëpo, sipas tij ka edhe anë negative apo skeptike, duke marrë parasysh politikat e serbëve, mund të hidhen dyshime se betimi është bërë më shumë edhe si simbolik, se sa që njëmend mund të sjellë bashkëpunim konkret me institucionet e vendit tonë.
“Pozitivisht
• Mund të shërbejë si lëvizje konstruktive për stabilitet — sepse me kryetarë të zgjedhur që njohin institucionet e Kosovës, shpërndarja e shërbimeve publike (komuna, infrastruktura, arsimi, shëndetësia) mund të bëhet më rregullisht e transparencë.
•Forcon idenë se komuniteti serb në veri mund të përfshihet në politikën lokale pa izolim — duke ulur tensionet dhe ndarje dypalëshe.
Me rezervë / skepticizëm
• Ndonëse betimi është simbolikisht i rëndësishëm, s’mund të garantojë domosdoshmërisht bashkëpunim real ose integrim të plotë: mund të mbetet formalitet, ndërsa rezistenca sociale dhe politike në veri – ndaj institucioneve të Kosovës – të vazhdojë.
• Për disa serbë lokalë ose në Beograd, ky hap mund të shihet si “thyerje kompromisi” – rrezik që të shkaktojë reagime negative, edhe politizim të detyrave komunale”, shtjelloi ai.
Po ashtu, Gecaj parashikoi se çfarë pritet të ndodhë në ditët/javët e ardhshme, derisa përmendi edhe përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë zhvillim politik.
“• Fuqizim i institucioneve komunale në veri – kryetarët e rinj mund të përpiqen të ofrojnë shërbime publike (ujësjellës, kanalizim, mirëmbajtje, administratë) nën kuadër të institucioneve të Kosovës, që do të rriste praninë institucionale aty.
• Reagime nga komuniteti serb lokal / liderë politikë serbë — mund të ketë pakënaqësi, protesta ose presion politik për ata kryetarë që “u nënshtruan” simboleve kosovare.
• Shtytje për rifillim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë — përmes institucioneve lokale dhe ndërkombëtare mund të ketë nisma për stabilizim dhe bashkëpunim në veri, ndoshta edhe vizita/diskutime me kryetarët e rinj.
• Monitorim nga bashkësia ndërkombëtare BE, SHBA e organizata të tjera mund të vlerësojnë këtë lëvizje si shenjë përparimi dhe të inkurajojnë më shumë integrim”.
Krejt në fund, eksperti zbërtheu atë se si do ndikojë kjo gjë në të ardhmen e veriut të Kosovës dhe dialoguy me Serbinë.
Në këtë pikë, tha se do jetë provë për Beogradin dhe ndërkombëtar.
“• Ndërlidhje më e madhe me Kosovën: Nëse institucione komunale në veri bëhen funksionale në kuadër të shtetit të Kosovës, kjo mund ta ulë izolimin e veriut dhe të krijojë më shumë bashkëjetesë institucionale.
• Model i zgjidhjes pa dhunë: Kjo mund të paraqesë shembull se edhe me komunitet serb, mund të punosh brenda kornizës së shtetit pa konflikte — mund të frymëzojë për dialog më të butë me Serbinë.
• Provë për Beogradin dhe ndërkombëtarët: Nëse Serbia pajtohet (së paku indirekt) me këtë realitet — kryetarë serbë që punojnë me institucione të Kosovës — atëherë mund të shohim lëvizje më të madhe drejt normalizimit, mbase me marrëveshje të reja politike.
• Rikthim i besimit mes komuniteteve: Nëse kryetarët lokalë arrijnë të përmirësojnë jetën e përditshme — infrastruktura, shërbime — kjo mund të rrisë besimin e serbëve të veriut në institucionet kosovare dhe të ulë urrejtjen/përçarjen”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.
