OPINIONTË FUNDIT

Kritika e Ymerit ndaj politikanëve shqiptarë: Tradhti dhe servilizëm ndaj të huajve

Profesori Eshref Ymeri, në një prononcim për “Bota sot”, ka ofruar një pikëpamje të ndryshme dhe kritikues për datën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin, duke shprehur qëndrimin e tij se shpallja e pavarësisë nuk i ka përfshirë të gjitha trojet etnike shqiptare

Sipas tij, Ismail Qemali ka bërë një gabim të madh duke shkuar në Londër për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare pas shpalljes së Pavarësisë, duke mos u angazhuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga shovinizmi serbo-grek.

“Këndvështrimi im për 28 Nëntorin është krejtësisht i kundërt me pikëpamjen e përgjithshme për këtë ditë. Sepse shpallja e pavarësisë u bë për krejt trojet tona etnike, duke filluar që nga Arta e Preveza, Janina, Shkupi, Nishi dhe Tivari.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në vend që të lëshonte kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë dhe për krijimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga shovinizmi kafshëror serbogrek, u çua e shkoi në Londër, që t’i lutej Eduard Greit të mos na copëtoheshin trojet etnike. Domosdo që Eduard Grei do ta shpërfillte, siç edhe e shpërfilli konkretisht, dhe do të bënte humor me Isa Boletinin lidhur me fshatin e lindjes së këtij të fundit. Ky qëndrim i Ismail Qemalit reflektonte mungesën e besimit të tij në forcat krijuese dhe energjitë e pashtershme të popullit shqiptar. Ai qëndrim nxirrte në pah edhe një tipar tepër të shëmtuar të politikanëve shqiptarë, të cilët respektojnë shumë më tepër të huajt sesa vetveten, sesa popullin e vet. Një qëndrim i tillë ka sjellë si pasojë që të huajt të na shikojnë me mospërfillje dhe, për pazotësinë tonë, t’i qeverisin trojet tona etnike si një arë pa zot që kushdo vjen e kullot.

Diplomati, filozofi dhe historiani i Rilindjes italiane, Nikolo Makiaveli (1469-1527), ka thënë:

“Populli gjithmonë është më i zgjuar, më i vendosur dhe më i arsyeshëm, sesa kryeshtetari””, është shprehur ai.

Gjithashtu, Ymeri ka kritikuar politikanët shqiptarë për pasivitetin e tyre pas shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se asnjë prej tyre nuk kërkoi ribashkimin e trojeve shqiptare në forumet ndërkombëtare.

“Gjatë viteve 1920-1921, kryetrimi dibran Elez Isufi, pa thirrjen e ndonjë “udhëheqësi” nga Tirana, ngriti më kombë popullin e Dibrës kundër ushtrisë pushtuese sebe dhe, si përfundim, lumin Drini i Zi e mbushi me kufoma ushtarësh serbë, çka edhe sot kujtohet me tmerr në Beograd. Prandaj sikur Ismail Qemali, menjëherë pas firmosjes së dokumentit për shpalljen e pavarësisë, t’i ishte drejtuar mbarë popullit të ngrihej më këmbë për mbrojtjen e trojeve etnike nga agresorët grekosllavë në të katër vilajetet tona, a mund të përfytyrohet dot se sa trima të formatit të kryetrimit Elez Isufit do të kishin dalë në skenën historisë sonë kombëtare?

Qëndrimi i kryepolitikanëve shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë dhe deri në ditët tona, është edhe më shumë skandaloz. Anjëri prej tyre nuk u bë burrë dhe të ngrinte zërin, qoftë edhe një herë të vetme, në forumet ndërkombëtare, duke filluar nga Europa, Kongresi dhe Senati amerikan e deri në Këshillin e Sigurimit dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kundër padrejtësisë kriminale që bënë shtetet shoviniste europiane, me në krye shovinizmin rusokriminal për copëtimin e trojeve ton etnike dhe të kërkonin me ngulm ribashkimin e tyre. Por, çuditërisht, për turpin e kryepolitikanëve tanë, ribashkimin e trojeve tona etnike e kanë kërkuar dy personalitete të shquara të politikës botërore – Henry Kissingeri (1923-2023), Sekretar i Departamentit të Shtetit në vitet 1973-1977 dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare prej vitit 1969 deri në vitin 1975, dhe Anglela Merkel (1954), Kancelare e Gjermanisë prej vitit 2005 deri në vitin 2021”, ka deklaruar ai.

Më tej, Ymeri ka deklaruar se për shkak të tradhtisë së klikave politike shqiptare, trojet etnike nuk janë ribashkuar, dhe për këtë arsye 28 Nëntori nuk duhet festuar si ditë pavarësie.

“Përderisa trojet tona etnike nuk janë ribashkuar për shkak të tradhtisë së klikave politike shqiptare, si mercenare dhe servile të pështira të të huajve, dita e 28 Nëntorit nuk duhet festuar abolutisht si dita e pavarësisë. Ju, në Dardani, ditën e pavarësisë e festoni më 17 shkurt, kur u shpall pavarësia e Dardanisë. Kurse shqiptarët e Malit të Zi, të Sanxhakut, të Maqedonisë së Veriut, të Çamërisë, nuk kanë ditë pavarësie, se ata vazhdojnë të jenë të shtypur nga shovinizmi grekosllav. Prandaj festimi i ditës së pavarësisë në atdheun amë, në Shqipërinë Londinze, është një mugesë e theksuar respekti ndaj mbarë kombit tonë, i cili, ditën e pavarësisë duhet ta festojë vetëm atëherë kur të jenë ribashkuar krejt trojet tona etnike. Por, me sa duket, shqiptarët me brymosje nacionaliste, nuk do të arrijnë t’i përjetojnë gëzimet e një feste të tillë, sepse klasa e politikanëve shqiptarë, virusin e tradhtisë dhe të servilizmit ndaj të huajve, e ka në çdo qelizë të trupit të vet”, ka përfunduar Ymeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *