Profesori universitar: Dialog me serbët e Kosovës, po! Dialog me Serbinë, jo!”
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.Dr. Enver Bytyҫi në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se presioni për rifillimin e dialogut është i pavend, pasi Serbia ka përfituar gjithçka ndërsa Kosova nuk ka institucione të legjitimuara. Ai thekson se zgjidhja duhet kërkuar brenda vendit, jo në Beograd.
Prof. dr. Bytyҫi vlerëson se përpjekjet e kohëve të fundit për të shtyrë rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi po ndodhin në një moment të gabuar dhe pa kushte të nevojshme politike në të dy vendet. Ai thekson se presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga BE-ja, është intensifikuar, por realiteti në terren e bën dialogun pothuajse të pamundur.
“Kohët e fundit janë shtuar kërkesat në formë presioni që dialogu të rifillojë. Sorensen ka bërë vizita të shumta në Kosovë, Serbi dhe vendet mosnjohëse të BE-së, me synimin për ta riformatuar dialogun”, thotë ai.
Megjithatë, sipas tij, as Kosova e as Serbia nuk kanë treguar gatishmëri për t’u rikthyer në tryezë.
“Sorensen ka më shumë se një vit në atë detyrë dhe nuk ka mundur të ulë dy liderët kryesorë në tavolinë,” thotë ai.
ImageEksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.Dr. Enver BytyҫiFoto galeri
Profesori thekson se Serbia ndodhet prej më shumë se një viti në një situatë politike të tensionuar për shkak të protestave kundër presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa Kosova prej dhjetë muajsh nuk ka institucione të reja e të legjitimuara për të vazhduar procesin.
“Serbia ka marrë gjithçka, Kosova asgjë. Pas 14 vitesh dialog, bilanci është krejt i pabarabartë. Serbia ka përfituar gjithçka që ka dashur, ndërsa Kosovës nuk i ka dhënë asgjë,” thekson ai.
Sipas tij, edhe ato marrëveshje që duken si lëshime nga Serbia, si njohja e dokumenteve apo patentave të shoferëve, janë bërë për interes të saj ekonomik, pasi Serbia vazhdon të shkëmbejë mallra me Kosovën.
Ai paralajmëron se Serbia gjithmonë e ka rritur oreksin politik sa herë ka marrë diçka.
“Nëse Serbisë ia jep njërën dorë, ajo ta kërkon edhe tjetrën. Nëse i jep veriun, do të kërkojë Pejën e Deçanin. Dhe nëse ia jep edhe ato, do të kërkojë Prizrenin e më pas Fushë-Kosovën. Serbia nuk ngopet. Me të nuk ka dhe nuk do të ketë paqe”, vlerëson ai.
Profesori rikujton idenë e parë të kryeministrit Albin Kurti për dialogun brenda vendit.
“Kurti kishte një ide brilante: të dialogojë me serbët e Kosovës, jo me Beogradin”, tha ai.
Sipas tij, edhe pse Kurti shpesh akuzohet për veprime të njëanshme në veri, realiteti sot është ndryshe.
“Serbët në veri jetojnë më të lirë tani që bandat kriminale po luftohen nga institucionet e sigurisë. Kjo, ka sjellë edhe rritje të mbështetjes për partitë serbe që njohin shtetin e Kosovës. Por një pengesë e madhe mbetet ende. Lista Srpska ka ndikim të madh dhe ky ndikim pengon dialogun e brendshëm”, thotë ai.
Sipas tij, Kosova, në veçanti presidentja Osmani, duhet të shpallë qartë se dialogu i vërtetë zhvillohet me serbët e Kosovës.
“Me Beogradin ka vetëm një çështje: njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo nuk arrihet me dialog, por me vullnet politik të Serbisë. Dialogu është shndërruar në mit”, vlerëson ai.
Bytyҫi vlerëson se Serbia ka ngritur një narrativë të rreme për gjendjen e serbëve në Kosovë.
“Prej 21 vitesh nuk ka ndodhur që ndonjë prej 105 mijë serbëve të goditet qoftë edhe me shpullë nga një shqiptar. Ku nuk ka dhunë, ka liri dhe demokraci,” thekson ai.
Ai e krahason këtë narrativë me propagandën e Memorandumit të vitit 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.
“Serbia sillet njësoj si atëherë. Ndërton mite, shpifje, akuza të rreme. Dhe, fatkeqësisht, ka europianë që u besojnë këtyre narrativave. Dialog me serbët në Kosovë? Po! Dialog me Serbinë? Jo!”, përfundon profesor Bytyҫi për ‘Bota sot’.
