OPINIONTË FUNDIT

Gjendja ekonomike nën lupën e ekspertëve: A sjellin zgjedhjet e 28 dhjetorit një model të ri zhvillimi?

Edhe pak javë kanë mbetur deri tek mbajtja e zgjedhjeve të reja parlajmetare. Me formimin e institucioneve të reja, qytetarët shpresojnë se do të ketë ndryshime në vend dhe zhvillim të mëtutjeshëm, e kësisoj edhe përmirësim të jetës së tyre.

Aktualisht gjendja ekonomike konsiderohet se është në një pozitë jo edhe aq të mirë dhe rritja e të ardhurave nga qeveria në detyrë, duket e pamjaftueshme për qytetarët.

Qeveria Kurti ka rritur disa herë të ardhurat e qytetarëve, duke përfshirë shtesat për fëmijët, lehonat, pensionistët e punëtorët e shërbimit publik. Megjithatë qytetarët presin një zhvillim më të hovshëm ekonomik që do të përmirësonte më tutje gjendjen.

Por zgjedhjet e reja sa do të jenë ‘ҫelës’ i këtij zhvillimi?

Njohësit e ҫështjeve politike dhe ekonomike në vend kanë dhënë qëndrimet e tyre. Kështu, njohësi i ҫështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa ka analizuar gjendjen aktuale duke krahasuar me periudha të mëhershme.

Bellaqa: Inflacioni ushqimor e vështirëson jetën e ekonomive familjare dhe shportën e konsumatorit

“Sipas treguesve makroekonomikë, gjendja ekonomike nuk është në nivelin normal, sepse inflacioni është rritur gjatë këtij viti pothuajse çdo muaj. Për shembull, në muajin korrik të këtij viti inflacioni ishte 4.3% në krahasim me korrikun e vitit të kaluar; pastaj në gusht ishte 4.5%, në shtator 4.7%, ndërsa në tetor 5.1%”, vlerëson ai.

ImageJakup BellaqaFoto galeri
Sipas tij, tek ne kemi sidomos inflacion ushqimor, i cili është shumë i lartë.

“Sipas ASK-së, inflacioni ushqimor ka arritur në 17.2%, ndërsa inflacioni total është 4.2%. Inflacioni ushqimor e vështirëson jetën e ekonomive familjare dhe shportën e konsumatorit, duke ndikuar ndjeshëm sidomos te kategoritë me të hyrat e ulëta, si pensionistët dhe përfituesit socialë, por gjithashtu edhe te të punësuarit në sektorin privat dhe publik”, thotë eksperti Bellaqa.

Ai del edhe me rekomandime se ҫfarë duhet bërë qeveria në këtë drejtim, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Rrjedhimisht, shtrohet pyetja se çka duhet të bëhet në ditët në vijim. Qeveria që del pas 28 dhjetorit duhet të marrë masa kundër inflacionit dhe të ndryshojë politikat monetare, fiskale, tatimore dhe doganore. Po ashtu, duhet të rritet prodhimi i brendshëm, pra të zvogëlohet importi dhe të rritet eksporti”, thotë ai për ‘Bota sot’.

Këtë gjendje e ka vlerësuar edhe njohësi i ҫështjeve në vend, Visar Dili. Ai thotë se kjo gjendje ekonomike nuk është pasojë e një qeverie, por që është përcjellë dekada me radhë.

Dili: Pa prodhim, pa eksport, pa inovacion – mbetemi ekonomi konsumi

ImageVisar Dili.Foto galeri
“Të flasim sinqerisht: gjendja ekonomike në vend nuk është rezultat i një viti apo i një qeverie. Kjo është pasojë e një modeli ekonomik që ka funksionuar keq për më shumë se dy dekada model i bazuar në konsum, jo në prodhim; në remitenca, jo në inovacion; në mbijetesë, jo në zhvillim”, thekson ai.

Analisti Dili tutje thekson se a mund t’i ndryshojnë zgjedhjet këto rrethana?

“Po, por vetëm nëse sjellin një mentalitet të ri qeverisjeje. Vetë votimi nuk e zgjidh ekonominë. Por mund ta zgjidhë drejtimi politik që vie pas votimit. Nëse politika vazhdon të menaxhojë ekonominë si “zjarrfikës”, duke shuar kriza me masa ad-hoc, atëherë as zgjedhjet e reja nuk sjellin asgjë. Nëse pas zgjedhjeve krijohet një qeveri që e sheh ekonominë si projekt afatgjatë, atëherë po mund të ketë kthesë”, thekson ai.

Ai thotë se për këto ndryshime duhet nisur nga tri gjëra themelore.

“Sundimi i ligjit, jo si slogan, por si atmosferë ekonomike. Nëse biznesi nuk ndihet i mbrojtur, nuk investon. Pa investime s’ka rritje. Është aq e thjeshtë. Tregu i punës dhe arsimi. Ne nuk kemi papunësi ne kemi mungesë të aftësive. Pra ekonomia nuk ngec se s’ka punë, ngec se s’gjen punëtorë me aftësi të kërkuara. Kjo kërkon reforma të thella në arsim dhe trajnime profesionale. Ndryshimi i modelit ekonomik. Pa prodhim, pa eksport, pa inovacion – mbetemi ekonomi konsumi. Zgjedhjet nuk e zgjidhin këtë, por mund të hapin rrugë për qeveri që e kupton se si funksionon rritja reale”, thotë ai.

Ai thotë po ashtu se, pyetja nuk është “a sjellin zgjedhjet ndryshim?”, por “a ka vullnet elita politike të ndryshojë mënyrën si e kupton ekonominë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *