A do të arrijë LDK të rikthejë elektoratin me aderimet e reja? Ja çfarë mund t’i ndodh kësaj partie me kandidimin e Ukë Rugovës
Ukë Rugova është kandidati i radhës “i ri” për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Rugova u prezantua po në ditën e lindjes së presidentit historik dhe babait të tij Ibrahim Rugova, nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës. Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Rugova nuk është figurë e para “e re” në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo pasi kjo e fundit që nga shpallja e zgjedhjeve të reja është kujdesur të prezantojë kandidatë të rinj që tashmë janë në kuadër të kësaj partie për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ermal Sadiku, Gëzim Kasapolli, Janina Ymeri, Gëzim Hazrolli, janë disa nga emrat e fundit që i janë bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në garën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Gabimi” i LDK-së dhe nevoja për reformim
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se Ukë Rugova është një simbol emocional, jo politik.
Sipas tij, LDK po përpiqet të ringjallë hijen e Ibrahim Rugovës.
“Ukë Rugova është një simbol emocional, jo politik. LDK po përpiqet të ringjallë hijen e Ibrahim Rugovës sepse nuk ka më program, vizion, as autoritet moral për t’i kthyer votuesit me vepra reale. Emri “Rugova” është kapital i madh historik, por keqpërdorimi i tij si marketing elektoral tregon pikërisht boshllëkun ideor të LDK-së së sotme. Votuesit tradicionalë nuk kthehen me nostalgji — kthehen vetëm kur shohin vlera, qëndrueshmëri dhe integritet. Sot LDK nuk i ofron këto. Prandaj, efekti simbolik i Ukë Rugovës është i kufizuar: i prek zemrat për disa sekonda, por nuk i bind mendjet për katër vite”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
LDK më shumë sesa të rinjtë, përpiqet t’i rikthejë ish- votuesit e saj të zhgënjyer, thotë Gashi, gjersa e konsideron problem një gjë të tillë.
“LDK duket sikur nuk e ka të qartë çka po synon. Nga njëra anë flet për “të rinjtë”, por nga ana tjetër sillet si parti që jeton në vitin 2006. Në fakt, më shumë sesa të rinjtë, LDK po përpiqet t’i rikthejë ish-votuesit e saj të zhgënjyer. Problemi është se për t’i rikthyer ata votues duhen reforma reale, transparencë dhe reflektim i thellë për gabimet 20-vjeçare — e jo prezantime figurash të hijshme nëpër billboard-e dhe konferenca. Të rinjtë nuk i mashtron dot as me premtime të vjetra e as me emra të rinj pa substancë. Ata duan guxim, modernitet, vizion dhe pastërti politike. LDK nuk i ka këto ende”, shprehet opinionisti.
I pyetur nëse LDK rrezikon që duke u mbështetur shumë te figura simbolike të anashkalojë nevojën për reforma të thella brenda partisë, Gashi e sheh këtë, madje shton se këtë gabim e ka bërë vazhdimisht dhe pikërisht për këtë arsye është rrëzuar në nivelin më të ulët historik.
“Jo vetëm që rrezikon — por këtë gabim e ka bërë vazhdimisht dhe pikërisht për këtë arsye është rrëzuar në nivelin më të ulët historik. Kur një parti e ka më të lehtë të mbështetet te një emër, një fotografi ose një kujtim, atëherë ajo parti e pranon vetë se nuk ka substancë të mjaftueshme për t’i bindur qytetarët me punë reale. Nëse LDK vazhdon me këtë logjikë, atëherë do të ketë edhe më pak hapësirë për reforma të brendshme, sepse figurat simbolike do t’i shërbejnë si alibi për të mos ndryshuar asgjë: as strukturat, as mentalitetin, as përgjegjësit për dështimet shumëvjeçare. LDK nuk ka nevojë për fytyra — ka nevojë për purgator. Për pastrim. Për transformim. Për një nismë të thellë ku spikat llogaridhënia, jo retorika, përfundon Gashi.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2021 kishte dalë e treta, me një përqindje 12.73 % dhe 15 ulëse, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ajo përsëri doli e treta, por këtë herë me një përqindje më të lartë krahasuar me vitin 2021 (18.27 %) dhe 20 ulëse.
“Dëbimi” i kuadrove të vjetra, aderimet e reja dhe tërmeti zgjedhor
Ndërsa, analisti Gani Qarri, thotë problemi kryesor për mos emancipimin e LDK-së e rrëshqitja e saj nga parti shtetformuese dhe më e madhja në Kosovë në vendin e tretë, është pikërisht vetë kryetari i saj.
Sipas tij, kryetari i LDK-së dëboi edhe kuadrot më të njohur të partisë.
“Derisa legjislatura e lX do të mbahet mend gjatë nga qytetarët për precedentin e pashembullt të bllokadës mbi 9 mujore, Lumir Abdixhiku nuk do të harrohet asnjëherë për kundërshtimin e krijimit në çfarëdo forme dhe mënyrë të institucioneve legjitime, duke mos pranuar të bashkëpunojë me pozitën as opozitën, i cili me kundërshtimet e tij të paprecedent është kthyer në figurat më zhgënjyese politike para qytetarëve të Kosovës veçanërisht për mosmiratimin e asnjë ligji, mosvotimin e buxhetit, mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare etj., duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit dhe humbjen e qindra miliona eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën. Faktikisht problemin kryesor, për mosemancipimin e LDK-së e rrëshqitja e saj nga parti shtetformuese dhe më e madhja në Kosovë, në vendin e tretë, unë e shoh pikërisht te vet kryetari dhe katapultimi i tij, në krye të partisë, pa qenë asnjëherë dhe për asnjë ditë apo edhe një orë të vetme anëtar i këtij segmenti politik, duke u bërë kryetar pa u angazhuar kurrë dhe me kontribut”0″ për LDK-në, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë parti tjetër, në gjithë historinë e pasluftës të Kosovës. Dhe sikur mos të mjaftonte kjo, kryetari aktual dëboi edhe kuadrot më të mirënjohur të partisë, deri edhe te anëtarët më prestigjioz të kryesisë së LDK-së dhe të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie si z, Faton Bislimi etj, largoi kuadrot më të shquar shumëvjeçarë dhe anëtarë të devotshëm të LDK-së, që nga themelimi i saj, me Dr. Ibrahim Rugovën në krye, duke sjellë ish partinë e parë dhe më të madhe në vend, të ngelet në duart e dy-tre personave si Lumir Abdixhiku, zonja Doarsa Kica Xhelili që edhe votat për deputete i pati marrë në LVV, apo dhe Kimete Bajrami që deklaron publikisht se nuk e ka fare problem “listën serbe” por problemin e ka me Albin Kurtin, me çka fyen mese gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe lëndon rëndë ndjenjat e mbi 90% të shqiptarëve në Kosovë, pa harruar plagët shpirtërore që u shkakton familjeve të heronjve të vrarë në veri të Kosovës, si Enver Zymberi e Afrim Bunjaku, nga bandat serbe të kryeterroristit Millan Radojçiq i cili ishte hiq më pak se numri 2 dhe udhëheqësi praktik i të ashtuquajturës “listë serbe”!”, deklaron Qarri.
Ai nuk sheh pozitivitet që me Ukë Rugovën LDK-ja do t’i rikthejë votuesit e zhgënjyer nga zgjedhjet e kaluara, përkundrazi sipas tij, mund ta dëmtojnë seriozisht LDK-në.
“Madje derisa Lumir Abdixhikiu & Co detyrojnë largimin e kuadrove më të shquar të kryesisë së partisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe njëherë turren të marrin në parti njerëz nga Lista e Zezë e SHBA-ve, si Fatmir Limaj, ndërsa tani fusin pa asnjë kriter në parti persona si Ukë Rugova, i cili ishte arrestuar bashkë me 7 të tjerë, për krim të organizuar, dhe të njëjtin e nominojnë edhe për deputet të ardhshëm, për të cilin fund dhjetorin e vitit të kaluar PSRK ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ndaj tyre të shpallet aktgjykim dënues për veprën penale “Krim i organizuar”, pa harruar deklarimet e habitshme si ato të Hikmete Bajramit se ajo nuk ka fare problem “listën serbe”, por problemin e ka me Albin Kurtin, nuk arrij ta kuptojë se një kryesi e deformuar deri në këtë masë dhe e zhveshur plotësisht nga idealet e partisë së Dr. Ibrahim Rugovës, me çfarë motivacioni do ti bind qytetarët shqiptar të Kosovës dhe mërgimtarët që, LDK-s aktuale, t`ia besojnë votën./Bota sot
