OPINIONTË FUNDIT

“Partitë politike me plagë të vjetra”, analisti “zbulon” çfarë fshihet pas kandidimit të Ukë Rugovës

“Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.

Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës.

Ukë, të priftë e mbara në këtë garë.

Me zonjën Fana biseduam edhe për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne. Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”, kështu ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të martën në rrjetin social “Facebook”.

Ukë Rugova, djali i presidentit historik, Ibrahim Rugova, nuk është i pari nga fëmijët që mëton kuvendin, kujtojmë këtu edhe vajzën Teuta Rugova e cila ishte deputete e LDK-së nga 11 qershori 2017 deri në zgjedhjet e vitit 2021.

Duke filluar nga rasti i Ukë Rugovës, analistët thonë se partitë politike janë ende me plagë të vjetra.

Analisti Afrim Kasolli, deklaron se partitë vazhdojnë të jenë të kapura nga mentaliteti klanor, kultet familjare dhe lidhjet e gjakut.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se është pajtuar me kërkesën e familjes Rugova që në ditëlindjen e ish- presidentit Ibrahim Rugova, i biri i tij Ukë Rugova të jetë pjesë e listës zgjedhore për deputet të LDK-së. Edhe vetë Ukë Rugova e pranoi se kjo lëvizje po bëhet duke marrë si pikënisje trashëgiminë e tij biologjike. Ky është vetëm një shembull nga plagët e vjetra politike të partive kosovare, të cilat vazhdojnë të mbeten të kapura nga mentaliteti klanor, kultet familjare dhe lidhjet e gjakut – shpesh të trajtuara si parakusht për aktivitet politik. Kjo dukuri është e pranishme pothuajse në të gjitha subjektet kryesore. Në LDK, përvetësimi i “gurës shpirtërore” të trashëgimisë rugoviste ka qenë konstant që nga ndarja nga jeta e Ibrahim Rugovës. Madje, kjo ka qenë burim i përhershëm fërkimesh të brendshme. Të gjithë e kujtojnë ndarjen mes krahut të Nexhat Dacit dhe atij të Fatmir Sejdiut, ku të dy palët pretendonin se ishin mbrojtësit më të denjë të “doktrinës” së themeluesit. E njëjta retorikë e shoqëroi edhe largimin e Vjosa Osmanit nga LDK dhe bashkimin e saj politik me Albin Kurtin, të cilin ajo e justifikoi me “tradhtimin e idealeve rugoviste” nga udhëheqja e partisë”, deklaron Kasolli.

ImageAfrim KasolliFoto galeri
Sipas tij, Abdixhikut i nevojitet mbështetja simbolike e familjes Rugova dhe kjo ka ngjashmëri me mënyrën se si partitë e dala nga lufta kanë tentuar të përvetësojnë sakrificën e familjes Jashari.

“Nëse kriteri familjar pranohet si element i rugovizmit, atëherë duhet pranuar se kjo trashëgimi ka kaluar në disa “metapsikoza partiake”. Ukë Rugova dikur ishte kundërshtar i hapur i LDK-së dhe u bashkua me AKR-në e Behgjet Pacollit, ndërsa bija e Rugovës u kritikua kur i dhuroi lule ish-presidentit Thaçi pas zgjedhjes së tij – një akt i interpretuar nga shumëkush si anti-rugovist. Sot, megjithatë, Lumir Abdixhikut i nevojitet mbështetja politike simbolike e kësaj familjeje, ngjashëm me mënyrën se si partitë e dala nga lufta kanë tentuar të përvetësojnë sakrificën e familjes Jashari. Por një qasje e tillë, më shumë sesa ruajtje e një fryme politike, tregon deficitin e liderëve tanë politikë dhe mungesën e nismave të mirëfillta reformuese. Për të ruajtur pushtetin e brendshëm, partitë shpesh mbështeten në aleanca familjare dhe operojnë me një mentalitet “semi-feudal””, shprehet analisti.

Ai e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje të dallueshme, por sipas tij, anëtarësia e këtij subjekti është e lidhur ngushtë dhe pothuajse në mënyrë organike me figurën e Albin Kurtit.

“Prandaj, nuk është rastësi që strukturat drejtuese të partive dominohen nga anëtarë të së njëjtës familje: babë e bir, dajë e nip, dhëndër e mbesë. Siç kam thënë më herët në analizën “Dallimi sociologjik ndërmjet Vetëvendosjes dhe subjekteve opozitare sa i përket pushtetit të brendshëm partiak” – ky është një dallim i rëndësishëm. Vetëvendosje mbështetet kryesisht në kultin e liderit, Albin Kurtit. Anëtarësia e këtij subjekti është e lidhur ngushtë dhe pothuajse në mënyrë organike me figurën e tij, ndërsa mekanizmat ndërmjetësues midis bazës dhe hierarkisë kanë rol të kufizuar.

Fatkeqësisht, konkurrenca politike në Kosovë vazhdon të zhvillohet midis dy modeleve: një autoritarizmi populist dhe një fryme semi-feudale. Dhe aderimet familjare si rasti i Ukë Rugovës vetëm e forcojnë këtë realitet të trishtë politik”, përfundon Kasolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *