TË FUNDIT

Mërgata në qendër të betejës politike – VV dhe Guxo: Diaspora është vendimtare, pengesat ndaj saj janë të padrejta

Mënyra e votimit të diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka hapur një debat të ri mes subjekteve politike në vend. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar ankesën e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e qendrave alternative të votimit jashtë vendit.

Sipas LDK-së, hapja e këtyre qendrave nuk është e paraparë me procedurat aktuale të administrimit të zgjedhjeve dhe, siç pretendohet, mund të rrezikojë integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Partia ka theksuar se vota e diasporës është e rëndësishme, por duhet të realizohet vetëm përmes mekanizmave ligjorë të miratuar më parë.

Ky vendim i PZAP-it ka nxitur reagim të menjëhershëm nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar atë si përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e diasporës në procesin zgjedhor. Sipas tyre, kufizimi i mundësisë së votimit jashtë vendit dëmton qytetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit.

Nga Vetëvendosje theksohet se hapja e qendrave shtesë të votimit do t’i lehtësonte procedurat për një numër të madh të qytetarëve dhe se kundërshtimi i këtij procesi përbën, sipas tyre, një manovër politike.

Dugolli: Vota e mërgatës është forcë, është drejtësi dhe është e ardhmja që askush nuk ka të drejtë ta ndalë

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kritikon disa parti, individë të shoqërisë civile dhe media për fyerjet dhe pengesat ndaj mërgatës, sidomos lidhur me procesin e votimit.

Ai thotë se mërgata ka dinjitet, ka mbështetur vazhdimisht Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, dhe se pengesat për votimin janë të qëllimshme për t’i privuar nga një e drejtë kushtetuese.

“Mërgata jonë ka dinjitet dhe meriton respekt. Ajo duhet trajtuar me dinjitet e jo me ndërsakamca e pengesa të panevojshme. Fatbardhësisht, mërgimtarët tanë e kanë kuptuar përherë situatën politike e shoqërore, jo vetëm sot, por ndër vite. Që nga koha kur mërgata e përkrahu masovikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për Kryeministër, disa parti politike, disa individë të shoqërisë civile dhe disa media kanë nisur fyerjet, linçimet dhe sulmet kundër tyre. Pengesat që ua vendosin për t’ua vështirësuar votimin nuk janë të rastësishme, ato bëhen me qëllim, sepse dikush dëshiron t’i privojë nga një e drejtë themelore dhe e garantuar me Kushtetutë”, thotë ai.

Ai kritikon veprimet e LDK-së nëpërmjet PZAP-it që, sipas saj, po e vështirësojnë votimin e mërgatës.

Dugolli thekson se sa më shumë qytetarë të votojnë, aq më demokratike bëhet Republika. Mërgata konsiderohet shtyllë e Kosovës, dhe thuhet se asnjë pengesë politike nuk duhet ta ndalë zërin dhe të drejtën e saj për të votuar.

“Nuk është se ne po e themi, por veprimet e fundit të LDK-së përmes PZAP-it ua pamundësojnë mërgimtarëve votimin më të lehtë dhe më të gjerë. Dhe kjo është e padrejtë. Ne besojmë fort se sa më i madh të jetë numri i qytetarëve që marrin pjesë në zgjedhje, aq më e shëndoshë, më e fuqishme dhe më demokratike bëhet Republika jonë. Ne nuk kemi frikë nga vota e qytetarëve, as nga ata në mërgatë, as nga ata brenda vendit. Përkundrazi, ne angazhohemi që secili prej tyre të gëzojë të drejtat që i takojnë.

Sepse mërgata jonë nuk është vetëm shikues i zhvillimeve në Kosovë, ajo është shtylla e vendit, zemra që rreh larg por që frymëzon këtu. Asnjë pengesë, asnjë lojë politike dhe asnjë padrejtësi nuk mund ta shuajë zërin e tyre. Vota e mërgatës është forcë, është drejtësi dhe është e ardhmja që askush nuk ka të drejtë ta ndalë” – përmbyll ai.

Hajdaj: Mërgata gjendet gjithnjë fuqishëm e mobilizuar rreth koalicionit për Kosovën, LV-GUXO-ALT

Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, thotë se LDK-ja nuk mund të fitojë përballë Vetëvendosjes në mërgatë dhe e akuzon për manipulim me votat jashtë vendit.

Ai mbështet vendimin e PZAP për më shumë qendra votimi në mërgatë, duke thënë se kjo vjen nga interesimi i madh i diasporës dhe është praktikë e zakonshme edhe në BE.

Sipas tij, opozita proteston sepse ka humbur mbështetjen e mërgatës, e cila dikur i takonte LDK-së, por u largua pas afrimit të saj me PDK dhe udhëheqjes së dobët të Isa Mustafës.

“Qysh në fillim dua të theksoj se Lidhja e Re s’mund të fitojë garën me mërgatën kundër Vetëvendosjes. Sigurisht, Lidhja e Re e Abdixhikut e ka vërejtur se vota e elektoratit të mërgatës e bënë diferencën e zgjedhjeve në Kosovë. Por, një parti serioze që e synon elektoratin tonë jashtë Kosove, ajo nuk manipulon dhe abuzon me votën e tyre. Deri dje, kjo praktikë e abuzimit me votat e mërgatës ka qenë e njohur vetëm tek PDK. Sa i përket vendimit të PZAP që në mërgatë të hapën me shumë qendra votimi përveç atyre që ekzistojnë në Konsulatat dhe Ambasadat tona, kjo është bërë për shkak të interesimit të madh të mërgatës sonë për të votuar në zgjedhjet e 28 Nëntorit.

Kjo nuk është praktikë e re që e aplikon vetëm Kosova, kështu ngjashëm veprojnë edhe vende tjera të UE. Prandaj, protesta e opozitës kundër vendimit të PZAP nuk është e qëndrueshme. Dhe t’u përkujtojë se partitë opozitare kishin protestuar edhe kundër caktimit të datës 28 dhjetor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, duke thënë se e “favorizonin” Albin Kurtin. Kjo u kuptua kështu ngase opozita po i fiksohet mbështetjes së madhe që Vetëvendosje gjithnjë e ka tek elektorati I vet jashtë Kosove. Pse partitë opozitare e kanë humb besimin tek elektorati i jonë jashtë Kosove? Nëse kthehemi në historikun e pas pavarësisë së Kosovës, atëherë LDK e kishte mbështetjen me të madhe të elektoratit jashtëKosove, dhe ajo ishte ashtu për arsye se LDK identifikohej me figurën e madhe politike dhe kombëtare të Presidentit Rugova. Atëherë elektoratit të LDK-së i mjaftone ai argument për t’u përcaktuar si elektorat i besueshëm i LDK jashtë Kosove. Por më kalimin e kohës LDK e humbi terrenin e mbështetjes nga së vet në mërgatë, kjo për shkak të afrimit të madh politik të LDK me politikat e PDK, ani pse këto dy parti qysh pas përfundimit të luftës në Kosovë kishin rivalitet të skajshëm politik në mes vete. Mirëpo, me ardhjen e lidershipit të ri në LDK, sidomos nën udhëheqjen e Isa Mustafës, çdo gjë e mori teposhtën për LDK-në”, shprehet ai.

Tutje, ai nënvizon asociacioni, ndikimi i Serbisë në veri, zgjedhja e Thaçit dhe korrupsioni e dobësuan LDK-në në mërgatë, duke çuar në largimin e figurave të rëndësishme. Ndërkohë, Vetëvendosje fitoi mbështetje të madhe falë politikave nacionale, luftës kundër korrupsionit dhe veprimeve në veri.

Sipas tij, kjo e forcoi koalicionin LV–GUXO–ALT, i cili sot ka përkrahje të gjerë në mërgatë dhe e pozicionon Albin Kurtin si favorit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Asociacioni, ndikimi i fuqishëm poltik i Serbisë i instaluar në Veri të Mitrovicës, zgjedhja e Thaçit për President të Kosovës dhe korrupsioni që ishte i shtrirë në shkallë të lartë në nivel vendi, bëri që LDK dalëngadalë, por fuqishëm, të humb terrenin mbështetës që e kishte tek mërgata e jonë jashtë Kosove. Sigurisht, në atë rënie drastike mbështetëse që i ndodhi LDK-ës jashtë Kosove, patën ndikuar edhe veprimet e pamatura të udhëheqjes së LDK ndaj disa figurave politike të LDK që kërkonin më shumë transparencë në vendimmarrje dhe reforma më të thella te brendshme politike. Por, meqenëse ato u kundërshtuan, solli si pasojë largimin e disa figurave kyçe politike nga LDK-ja, siç ishin Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Rexhep Gjergji, Haxhi Avdyli dhe të tjerë, pa harruar këtu edhe mos kënaqësinë e madhe që ishte krijuar tek degët e LDK jashtë Kosove.

Në anën tjetër, LV nën udhëheqjen e Albin Kurtit, fitonte gjithnjë e më shumë mbështetje jo vetëm në Kosovë, por edhe në mërgatë. Kjo kishte të bënte para së gjithash me politikat e vendosura nacionale të Vetëvendosjes, duke e denoncuar fuqishëm tradhtinë që i bëhej Veriut të Mitrovicës nën pushtetin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por duke mos harruar edhe protestën e madhe të LV të bërë kundër vendimit të qeverisë se LPAN, për faljen e 8200 hektarëve Malit të Zi. Sigurisht LV e kishte në duar edhe argumentin tjetër, denoncimin që i bënte shtrirjes korrupsionit të shkallë të gjerë në nivel vendi, siq quhej ‘PRONTO’ pushteti i PDK-së. Dhe si rrjedhojë e atyre ngjarjeve në etapa kohe, erdhi gjerë të bashkimi i Listës ‘Vjosa’ me Vetëvendosjen, apo të quajtur atëherë edhe si binomi Albini-Vjosa, që përfundimisht përmes zgjedhjeve të referendumit popullor me 14 shkurt 2021, i shkaktuan humbje të madhe pushtetit të vjetër, apo partive atëherë të quajtura si LPAN. Dhe sot, nëse i marrim parasysh të gjitha ato zhvillime politike.., dhe kur e shohim politikën efikase të LV-GUXO-ALT që e ndërtuan së bashku në luftimin e korrupsionit, në rivendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, dhe sidomos guximin politik që e treguan për t’i ndryshuar gjërat në Veri të Mitrovicës.., me thyerjen e bandave barrikaduese të Listës ‘Srpska’, rivendosjen e targave të Kosovës, ndalimin e dinarit të Serbisë, vendosjen e simboleve shtetërore, vendosjen e Postës së Kosovës…, e gjithë kjo politikë qeverisëse e Albin Kurtit me Kosovën, e fuqizoi edhe më shumë mbështetjen e vet në mërgatë. Dhe siç po e shihni edhe gjatë këtyre ditëve, mërgata gjendet gjithnjë fuqishëm e mobilizuar rreth koalicionit për Kosovën, LV-GUXO-ALT dhe shto këtu edhe përforcimin me Partinë Demokristiane të Kosovës, kjo e bënë me të fuqishëm pozicionin fitues të Albin Kurtit si mandatar për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit” – përfundon Hajdaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *