Serbia rikthen metodat e Stalinit? Alarmon eksperti austriak: Kosova nuk duhet të…!
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se mëngjesin e 30 nëntorit, autoritetet e Serbisë kanë arrestuar dhe e kanë liruar pas disa orësh një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, Nexhat Pireva, që kishte shërbyer në Policinë e Kosovës për rreth 14 vjet, u arrestua mëngjesin e së dielës në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre, tha MPJD-ja.
E në lidhje me arrestimet dhe ndalimet e vazhdueshme që Serbia ua ka bërë shqiptarëve të Kosovës, foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Së pari, ai tha se arrestimi i fundit nga Serbia është i papranueshëm dhe alarmues.
Sipas tij, këto arrestime janë një fushatë sistematike për frikësim të qytetarëve të Kosovës.
“Lajmi se Serbia ka ndaluar përsëri dhe ka liruar vetëm në mënyrë selektive ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës është thellësisht alarmues dhe plotësisht i papranueshëm.
Këto arrestime nuk janë incidente të izoluara – ato janë pjesë e një fushate sistematike frikësimi, një mjet politik i projektuar për të destabilizuar Kosovën, për të frikësuar qytetarët e saj dhe për të projektuar pushtet në rajon”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, ai tregoi se si i sheh këto arrestime, derisa i krahasoi edhe me metodat e Stalinit.
Fehlinger, tha se kjo është një sjellje autoritare dhe aspak ligjore, e që sipas tij kjo ka të bëj me një lloj “diplomacie pengjesh”.
“Ato janë marrje pengjesh në stilin Stalin.
Autoritetet e Serbisë qartësisht nuk po kryejnë procese legjitime ligjore.
Ato po arrestojnë shqiptarë në mënyrë arbitrare, pa proces të rregullt ligjor, pa transparencë dhe gjithmonë në momente të përshtatshme politikisht.
Kjo është sjellje klasike autoritare – të njëjtat metoda të përdorura nga regjimet staliniste për të frikësuar fqinjët demokratikë:
Ndalimi i shqiptarëve në kufi për të krijuar frikë dhe presion psikologjik.
Instrumentalizimi i gjyqësorit dhe policisë si armë politike.
Ky nuk është sundim i ligjit. Kjo është diplomaci pengjesh – autoritarizmi ballkanik në formën e tij më të keqe”, nënvizoi ai.
Më tej, eksperti austriak foli edhe mbi qëllimet dhe synimet që po përpiqet të arrijë Serbia, me këtë lloj politike.
Qartazi, ai u shpreh se synimi kryesor i Serbisë është të minohet shtetësia e Kosovës, si dhe të krijojë kriza në mënyrë që ta tërheq vëmendjen nga problemet e saj të brendshme.
“Beogradi ka një strategji të qartë:
Të minohet shtetësia e Kosovës përmes frikës dhe detyrimit.
Dënim të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pavarësisë dhe NATO-s.
Krijim krizash për të shkëputur vëmendjen nga prishja dhe autoritarizmi i brendshëm i Serbisë.
Sabotim të stabilitetit rajonal për të fituar ndikim në negociatat ndërkombëtare.
Kjo është e njëjta Serbi që strehon rrjetet Wagner, armatos ekstremistët dhe refuzon të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë.
Këto arrestime përshtaten në modelin më të gjerë të taktikave pro-ruse të destabilizimit”.
Në vazhdim, Fehlinger kërkoi edhe reagim ndërkombëtarët për këto veprime dhe arrestime të vazhdueshme nga autoritetet serbe.
Ai kërkoi që akterët ndërkombëtarë t’i dërgojnë disa mesazhe të qarta Beogradit, e madje dha edhe disa propozime të tij për masat që duhet të ndërmerren.
“BE, NATO, OSBE dhe Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojnë një mesazh shumë të qartë:
Ndaloni arrestimet.
Lironi të gjithë të ndaluarit shqiptarë.
Të ndërpritet menjëherë fushata e frikësimit.
Unë bëj thirrje për:
Sanksione të synuara të BE-së ndaj zyrtarëve serbë përgjegjës për arrestimet politike.
NATO të rrisë praninë dhe monitorimin e saj përgjatë kufirit.
Shtetet e Bashkuara të lëshojnë një paralajmërim të qartë se diplomacia e pengjeve ka pasoja.
OSBE-ja dhe EULEX-i të shqyrtojnë publikisht çdo ndalim dhe të kërkojnë transparencë të plotë.
Kosova është një demokraci. Serbia po rrëshqet më thellë në autoritarizëm. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndalojë së pretenduari se të dyja palët janë të barabarta – nuk janë”, shtjelloi eksperti austriak.
Gjithashtu, ai tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të frikësohen, pasi shteti i tyre ka zgjehdur rrugën e aleatëve të saj, derisa Serbia ka zgjedhur Rusinë dhe politikat e së kaluarës.
“Kosova nuk duhet të frikësohet.
Evropa duhet të qëndrojë me Kosovën.
Kosova ka zgjedhur rrugën e Botës së Lirë: Këshilli i Evropës së pari dhe së shpejti NATO, BE, OECD, Shengen – një e ardhme paqeje, dinjiteti dhe prosperiteti.
Serbia ka zgjedhur një rrugë tjetër: Rusia, destabilizimi, frikësimi dhe politika e së kaluarës.
Bota e Lirë duhet të qëndrojë qartë me Kosovën dhe kundër autoritarizmit të pengmarrjes”.
Në fund, ai dërgoi një mesazh të fortë për këtë pjesë, ku deklaroi se: “Dënoj fuqimisht arrestimet politike të qytetarëve të Kosovës nga Serbia. Bëj thirrje për veprime të menjëhershme ndërkombëtare.Dhe i kujtoj Beogradit: Kosova nuk do të frikësohet ose kontrollohet më kurrë nga taktikat e vjetra imperiale. Kosova është e ardhmja — dhe e ardhmja është në Evropë”, përmbylli Gunther Fehlinger.
