TË FUNDIT

Manifest për David L. Phillips – Një dorëheqje që nuk ishte thjesht largim, por thirrje për të mos tradhtuar Kosovën

Kur stuhitë e tradhtisë provonin të shembnin kufijtë e Kosovës, kur hartat filluan të vizatohen me laps të ftohtë, kur menduan se Kosova mund të ndahet pa e ndarë shpirtin heroik të popullit të saj, një amerikan, por jo një shqiptar, dha dorëheqje në shenjë proteste, si një akt nderi që peshon më shumë se çdo kartë politike, një qëndrim i qartë kundër një ideje që rrezikonte të cenonte stabilitetin, drejtësinë dhe vullnetin e një populli.

Me largimin e tij si këshillëdhënës i presidentit HTH, Phillips i dha politikës një mësim të thjeshtë, por të fuqishëm: kufijtë nuk gjymtohen, dhe dinjiteti nuk negociohet. Vendimi i tij mbetet një akt respekti për Kosovën dhe për integritetin e saj, për njerëzit e saj, dhe për parimin se paqja nuk ndërtohet me ndarje, por me respekt të sovranitetit.

Dorëheqja e David L. Phillips nuk ishte thjesht një largim nga detyra; ishte një shuplakë e fortë për politikën e ndarjes, një mesazh i prerë se Kosova nuk është tabelë shahu ku politikanë të pandërgjegjshëm vizatojnë kufij sipas interesit personal duke u përpjekur të legjitimonin absurditetin e copëtimit të një shteti, dhe Phillips vendosi t’i thotë ndal lojës cinike.

Ai e refuzoi rolin e dëshmitarit të heshtur, në një pazar që do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit dhe dinjitetin e një populli, dhe me 11 tetor 2018 dha dorëheqje sepse Kosova nuk ishte një copë letër pa njerëz, pa histori, pa sakrificë, dhe dorëheqja e tij ua mori iluzionin e legjitimitetit, ai nuk u arratis por u përball me problemin.

E titullova manifest për David L. Phillips-in këtë shkrim qe të mbahet mend ky akt, se dorëheqja e David-it është dëshmi se integriteti i një miku të madh amerikan, i një të huaji është ende i mundur por jo dhe integriteti i një politikani të zgjedhur shqiptar, sepse Kosova nuk mund të ndahet pa u thyer ndërgjegjja e atyre që e kurdisin këtë idile të rrezikshme.

Dorëheqja e David L. Phillips është më shumë se protestë, është precedent moral, është refuzim i lojës së pistë që synoi ndarje. Për atë guxim, për atë “jo” që peshoi më shumë se mijëra “po”-të e pavlera te politikanëve tanë që punojnë pas shpine. Pra ky është manifesti i dorëheqjes që u bë qëndrim, manifesti i qëndrimit që u bë shembull. Manifesti për David L. Phillips, që la postin, por mbajti nderin për një popull mik, me shumë se ai shqiptari për popullin e vet.

Kur HTH u përpoq ta shes copëtimin si kompromis modern, Phillips e ndjeu peshën e padrejtësisë. Ai e kuptoi se pas çdo vije të vizatuar në letër fshihen familje, fshihen trauma, fshihet historia e një populli që nuk u dorëzua as para luftës, as para gjenocidit, as para spastrimit etnik. David L. Phillips e kuptoi se ndarja nuk ishte lojë, por plagë, se nuk ishte opsion por rrezik dhe solli këtë vendim për dorëheqje:

“Kam punuar për pavarësinë e Kosovës për më shumë se tridhjetë vjet – si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në think-tank-e si Council on Foreign Relations, dhe si studiues në Columbia University. Qeveria e Kosovës më kërkoi së fundi të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova sepse besova që mund të arrihej një marrëveshje duke forcuar pushtetin, sundimin e ligjit dhe duke shtuar presionin e komunitetit ndërkombëtar mbi Serbinë që ta njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve ekzistues.

Por disa institucione në Kosovë ndjekin një rrugë ndryshe. Ata mbështesin “korrigjimin e kufijve”, dorëzimin e territorit Serbisë. Mendoj se ndarja ose korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe — që nuk do të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, e as nuk do të vendosë Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të gjerë ndërkombëtare. Proponentët e korrigjimit të kufijve mendojnë se shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës do ta njohin një Kosovë të ri-konfiguruar dhe se SHBA mund të bindë Rusinë e Kinën të heqin veton për anëtarësim në OKB. Nuk ka asnjë bazë të njohur për këtë përfundim.

Për më tepër, rregullimi i kufirit përfaqëson një tradhti historike ndaj popullit të Kosovës. Ai minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik, për të cilat shumë kanë dhënë jetën në Ballkanin Perëndimor. Është potencialisht i rrezikshëm, destabilizues dhe mund të çojë drejt dhunës së përtërirë dhe fragmentimit.

Nuk mund të marr pjesë në planin e propozuar të ndarjes, i cili është strategjikisht i gabuar dhe në mënyrë thelbësore bie ndesh me vlerat e mia. Si çështje parimi, kam informuar anëtarët e qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë dorëheqjen, në vend që të bëhem palë me ndarjen.” (David L. Phillips Prishtinë, Kosovë 11 tetor 2018)

Për këtë akt, (që tani më ka dështuar) pas dorëheqjes dhe protestës së David Phillips me 11 tetor 2018, çuditërisht shqiptarët heshtën, nuk protestuan as PDK e LDK, as Shoqata e veteranëve të luftës, as kryenegociatorja, as akademia, as studentët. Sërish amerikanët do të rishfaqeshin në skenë për ta parandaluar ndarjen e Kosovës.

Biografia e shkurtër

• David L. Phillips ishte drejtor i programit “Peace-building and Human Rights” në Institutin për Studime të të Drejtave të Njeriut në Columbia.

• Ai ka shërbyer më parë si këshilltar i lartë për çështje të jashtme në Shtetet e Bashkuara (nën presidencat Clinton, Bush dhe Obama).

• Në një intervistë më 2020, Phillips deklaroi se gjatë bashkëpunimit me Thaçin, atij i ishin kërkuar dy gjëra që ai refuzoi: ta hartonte një dokument që të argumentonte se Special Court for Kosovo ishte “jo legjitim”, dhe ta përkrahte publikisht idenë e korrigjimit të kufijve.

• Ai përshkroi se gjatë një vizite në Kosovë (mars 2019), kur po përpiqej së bashku me vajzat e tij të rinisnin punën për rindërtimin e një biblioteke në Mitrovicë përmes fondit të familjes, u përball me akuza nga Thaçi, sipas Phillips, Thaçi e akuzoi atë se ishte “i blerë” për të kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

• Phillips ishte mik i Presidentit Rugova, dhe punoi ngushtë me LQSHA, KKSHA dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Phillips u emërua këshilltar për marrëdhënie me jashtë i presidentit Thaçi — por dha dorëheqje kur qeveria e Kosovës filloi të konsideronte idenë e “korrigjimit të kufijve” me Serbinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *