“Kosova më afër standardeve të NATO-s”, Rexhepi vlerëson transformimin e FSK-së
Dita e Forcës u shënua të enjten në të gjithë territorin e Kosovës. Dita e Forcës në Kosovë është një nga datat më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e tij, pasi shënon themelimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës
Ish-hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot” se Dita e Forcës shënon një moment të rëndësishëm për shtetndërtimin dhe konsolidimin ushtarak të Kosovës.
Ai theksoi se FSK-ja është shndërruar nga një strukturë fillestare në një forcë moderne dhe të përgjegjshme, e gatshme për integrim euroatlantik
“Në Ditën e Forcës, ne shënojmë jo thjesht një datë simbolike, por një moment të rëndësishëm të shtetndërtimit dhe konsolidimit ushtarak të Republikës së Kosovës. Kjo ditë për mua përfaqëson dinjitetin e shtetit tonë, vendosmërinë për ta mbrojtur territorin dhe qytetarët tanë, si dhe pjekurinë institucionale që Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur me përkushtim dhe profesionalizëm.
Ecuria e FSK-së deri më tani është shembulli më i qartë i transformimit të një institucioni nga një strukturë fillestare me mandat të kufizuar, në një forcë moderne, të përgjegjshme dhe të gatshme për t’u integruar në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Nën qeverisjen e Albin Kurtit, është bërë një investim i drejtpërdrejtë dhe transparent në rritjen e kapaciteteve operacionale, në pajisje moderne, në trajnim të standardizuar, si dhe në rritjen e numrit të personelit. Këto reforma kanë treguar përkushtim të sinqertë që FSK-ja të jetë forcë profesionale, e besueshme dhe e aftë të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, ka thënë ai.
ImageAgim RexhepiFoto galeri
Po ashtu, Rexhepi ka potencuar se qeveria aktuale ka ndërmarrë hapa të qartë drejt anëtarësimit në NATO, duke shtuar se Kosova është më afër se kurrë standardeve të kërkuara.
Ai ka përmendur tre prioritete kryesore për avancimin e këtij procesi.
“Sa i përket procesit të anëtarësimit në NATO, qeveria aktuale ka ndërmarrë hapa të qartë dhe konsekuentë. Ne e dimë se anëtarësimi është proces i ndërlikuar dhe i lidhur me rrethana gjeopolitike, por Kosova sot është më afër se kurrë standardeve të kërkuara. Për të avancuar më tej këtë proces, duhet vazhduar në tre drejtime kryesore:
Thellimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në dhe vendet kryesore të NATO-s, duke dëshmuar stabilitet, parashikueshmëri dhe profesionalizëm të institucioneve tona.
Rritja e kapaciteteve të mbrojtjes, përmes modernizimit të mëtejmë të FSK-së, investimeve në teknologji, logjistikë dhe aftësi taktike që përputhen me standardet e Aleancës.
Forcimi i pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke punuar aktivisht për njohje të reja dhe për mbështetje direkte në forume ku aspirohet integrimi”, është shprehur ai.
Sipas tij, FSK-ja sot përfaqëson rezultatet e reformave serioze dhe vizionin për një Kosovë të fortë, të sigurt dhe të respektuar ndërkombëtarisht.
Në fund, ai ka vlerësuar se Dita e Forcës nuk është vetëm festë, por dëshmi e rrugës së bërë deri tani dhe e bindjes se Kosova po ndërton një shtet të qëndrueshëm, modern dhe të pavarur në vendimmarrjen strategjike.
“Në këtë drejtim, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka treguar qartësisht se është e orientuar drejt forcimit të shtetit, rritjes së Sigurisë dhe Integrimit Euroatlantik. FSK-ja sot është pasqyrë e reformave serioze dhe e vizionit për një Kosovë të fortë, të sigurt dhe të respektuar në skenën ndërkombëtare.
Prandaj, Dita e Forcës nuk është vetëm festë: Është dëshmi e rrugës që kemi bërë dhe e besimit se jemi duke ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, modern dhe të pavarur në vendimmarrjen e tij strategjike”, ka përfunduar Rexhepi.
