113 vite pas Pavarësisë jemi në ‘alarm të kuq’: Profesori godet aleancat e sotme shqiptare
Shqipëria kremton këtë të premte 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare. Në qytetin bregdetar ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi, u zhvilluan ceremonitë shtetërore që rikujtojnë momentin kur u vendos themeli i shtetit modern shqiptar.
Që në orët e para të mëngjesit, Sheshi i Flamurit u mbush me qytetarë, veteranë, nxënës dhe përfaqësues të institucioneve, ndërsa atmosfera festive u shoqërua me muzikë patriotike, nderime ushtarake dhe aktivitetet tradicionale të kësaj dite.
Ceremoninë zyrtare e kryesoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili udhëhoqi momentin simbolik të ngritjes së flamurit kombëtar. Në krah të tij ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Kryeministri Edi Rama. Prania e tyre në Vlorë u cilësua nga analistët si një mesazh uniteti institucional në këtë ditë të rëndësishme.
Gjatë ceremonisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të Pavarësisë dhe përgjegjësinë e brezave të sotëm për të forcuar shtetin dhe demokracinë. Atmosfera solemne u shoqërua nga nderimet e Gardës së Republikës dhe interpretimi i himnit kombëtar.
Ashtu si çdo vit, Vlora u kthye në qendrën e aktiviteteve festive. Shumë qytetarë, përfshirë vizitorë nga Kosova dhe diaspora, u mblodhën për të festuar ditën e themelimit të shtetit shqiptar. Panaire artizanale, ekspozita dhe aktivitete kulturore e zbukuruan qytetin bregdetar, duke i dhënë një atmosferë të gjallë dhe patriotike.
Kremtimi i 113-vjetorit të Pavarësisë mbërrin në një moment reflektimi për sfidat me të cilat përballen sot Shqipëria dhe Kosova, por edhe në një kohë kur bashkëpunimi mes dy vendeve po thellohet në shumë fusha.
Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se duhet pranuar se edhe me eksperiencën e shtetformimit, shteti modern u krijua me vonesë në kohë.
Sipas tij, ashtu si sot, edhe asokohe nuk ishin të bashkuar, nuk ka pasur unitet dhe nuk menduan njëjt edhe sa i përket ideve themelore të shtetësisë dhe kombësisë.
“Festa e pavarësisë erdhi edhe këtë vit. Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 113 vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë e njëkohësisht krijimin e shtetit shqiptar. U themelua kështu shteti modern i shqiptarëve, sepse ne kishim krijuar dhe dy herë tjera shtetin tonë të pavarur, në vitin 1204 shtetin e Arbërit dhe më 2 mars 1444 shtetin e dytë të Skënderbeut, Lekë Dukagjinit dhe princave të tjerë të Shqipërisë së asaj kohe.
Megjithatë duhet ta pranojmë. Megjithëse kishim eksperiencën e shteteformimit, shtetin modern e krijuam me vonesë në kohë. Sepse, ashtu si sot, edhe asokohe nuk ishim të bashkuar, nuk kishim unitet, nuk mendonim njësoj edhe sa i përket ideve themelore të shtetësisë dhe kombësisë. Ne fajësojmë Fuqitë e Mëdha, por po aq sa ishin përgjegjës ato fuqi të fillimit të shekullit XX, po aq jemi edhe vetë ne. Se lëshuam armët në momentin kur Serbia, Mali i Zi e Greqia sulmuan trojet shqiptare (shtetor-tetor-dhjetor 1912) dhe lejuam që armiqtë e kombit shqiptar të na presin në qafë si delet. Sipas Aleksandër Leo Freundlicht në vjeshtën e vitit 1912 vetëm Serbi masakroi 25 mijë shqiptarë, kryesisht në Kosovë e trevat shqiptare të Maqedonisë”, shprehet Bytyçi.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Sipas tij, ky 28 Nëntor festohet, por vetëm emocionalisht, kjo sepse veprat, faktet dëshmojnë të kundërtën.
“Por ajo që na dhemb akoma më shumë lidhet me faktin se sot shqiptarët kanë një klasë politike të fragmetarizuar dhe politika është e përçarë, gati njësoj si në vitin 1912. Ky 28 nëntor festohet, por vetëm emocionalisht. Flamuri është simboli kryesor i festës sonë. Ndërsa veprat, faktet dëshmojnë të kundërtën. Në vitin 1999 thamë se përfundimisht kombio shqiptar e fitoi betejën përfundimtare me Serbinë dhe më në fund do të jemi të lirë plotësisht të vendosim për fatin tonë. Por armiku na përçau. Disa prej nesh i ka blerë, njësoj si në vitin 1914. Disa i ka marrë peng. Stanishqi dhe Stanishiqët i kemi kudo. Madje ata janë të parët që valvitin flamurin kuq e zi dhe na hiqen si patriotët më të mëdhenj të kombit. E ndërkohë na kanë përçarë, na shajnë, na ofendojnë, na sulmojnë në emër të “civilizimit”, dmth të Serbisë fashiste”.
“Më duket se na ka humbur rruga në oborrin e shtëpisë. Mësa duket sikur gjithçka kurdiset nga një dorë e vetme. Krahasuar me vitin e 100 vjetorit të pavarësisë, ky 113 vjetor na gjen gati 40 përqind më pak shqiptarë në Shqipëri e madje shumë më pak edhe në Kosovë. Shqiptarët ikin prej shtetit të pavarur të Ismail Qemalit. Zyrtarëve të Shqipërisë u ka mbetur vetëm fotografia e themeluesit të shtetit, plakut të mençur të Vlorës. Asgjë nuk ka mga ato ideale. Vetëm vjedhje, grabitje, dhunë, paligjshmëri, pisllëk, perversitet gjendet në Shqipërinë e sotme. Si kurrë më parë. E ndërkaq ka akoma shqiptarë që besojnë te pallatet dhjetëta katëshe dhe shohin disa fazada, me të cilën mburrin qevrisjen e sotme”, deklaron profesori.
Ai përmend arsyet pse shqiptarët nuk janë të bashkuar.
Sipas tij, ndodh vetëm në Shqipëri të fitojnë zgjedhjet bandat kriminale dhe armiqësore, ndërsa partitë politike në Kosovë nuk merren vesh për të krijuar qeverinë ose institucionet e vendit.
“Harrojnë se qeverisja duhet të jetë më së pari e ndershme. Nuk duhet të jetë hajdute e pasurive të kombit. Nuk duhet të jetë politikë e përçarjes dhe e thikabve pas shpine. Ne shohim pallatin në mes të Tiranës, ku shfaqet figura e Skënderbeut dhe nuk shohim se figurat e sotme politike nuk flasin me njëri-tjetrin, nuk merren vesh midis tyre. Në Shqipëri për shkak të korrupsionit të tmerrshëm qeevritar, por edhe për shkaqe të egoizmit politik të të gjitha palëve. Në Kosovë për shkak të egoizmit të shfrenuar.
Shteti i sotëm, ndryshe nga shteti i Ismail Qemalit funksionon si shtet në duart e një njeriu në Shqipëri. Ndërsa në Kosovë nuk funksionon fare, sepse politika nuk bëhet bashkë për të krijuar institucione. Ndodh vetëm tek ne, që bandat kriminale dhe armiqësore (në Shqipëri) të fitojnë zgjedhjet dhe që partitë politike (në Kosovë) të mos merren vesh për të krijuar qeverinë ose institucionet e tjera të vendit. Kurrë nuk kemi qenë më të përçarë sesa sot. Rrezikojmë që ta humbasim pavarësinë dhe lirinë tonë kudo në trevat ku jetojnë shqiptarët”, thekson Bytyçi.
Nuk merren vesh me njëri- tjetrin as për funksionimin e shtetit, thotë Bytyçi, sepse në agjendë nuk janë interesat kombëtare, por interesat personale të politikanëve që drejtojnë.
“Aleancat tona sot nuk janë më ato të Ismail Qemalit, apo të Ahmet Zogut më vonë. Politika që e drejton Shqipërinë ka aleat Serbinë dhe miqtë e saj në Europë e kudo nëpër botë. Një pjesë e politikës së Kosovës është gati t’i rikthehet ideve serbe të ndarjes së Kosovës dhe paturpësisht kjo ide artikulohet ende publikisht prej disave prej tyre. Ne sot nuk merremi vesh me njëri-tjetrin as për funskionimin e shtetit. Sepse në axhendë nuk janë interesat kombëtare, por janë interesat personale të politikanëve që na drejtojnë.
Fatmirësisht jemi tashmë anëtarë të NATO-s (Shqipëria) dhe NATO është në Kosovë. Falë kësaj arritjeje ne nuk rrezikohemi për zhdukje. Por nëse vazhdon hemoragjia e shpopullimit në këto shifra, ne rrezikojmë të shuhemi. Një komb shuhet nga mosekzistenca fizike e tij. Ibrahim Rugova arriti që ta homogjenizojë Kosovën në kohën më të vështirë të saj dhe shqiptarët të ruajnë epërsinë numerike në Kosovë. Shtetarët e sotëm të Shqipërisë, por në një farë mase edhe politikanët në Kosovë, po e shpopullojnë Shqipërinë dhe trojet shqiptare nga elementi shqiptar. Kjo është tragjedia jonë e sotme.
Pra, sot pas 113 vitesh ne jemë në alarm të kuq! Ndërsa politika mburret me pasuritë e saj që i ka grabitur nga taksat e qytetarëve dhe pasuria kombëtare!”, përfundon Bytyçi.
