“Viti politik pasiv po prodhon aleanca të panatyrshme” – Majkovci analizon skenën politike
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të jetë kandidati i këtij subjekti për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme. Abdixhiku ka sinjalizuar gjithashtu hapjen e LDK-së drejt një konfigurimi më të gjerë politik, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes së Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt në listën e kandidatëve.
Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar këtë zhvillim, duke theksuar se në kushtet aktuale politike, koalicionet parazgjedhore që mund të duken ideologjikisht të panatyrshme nuk janë të pazakonta për Kosovën. Ai ka vlerësuar se LDK-ja dhe Nisma mbeten parti me orientime të kundërta, por rrethanat po i shtyjnë drejt bashkëpunimeve pragmatike.
“Për bindjen time, çdo kryetar partie duhet natyrshëm të synojë postin e kryeministrit. Përndryshe, vështirë të kuptohet motivi i qëndrimit në krye të një subjekti politik. Udhëheqja e një partie nënkupton përgjegjësi, vizion dhe ambicie për të qeverisur vendin.
Ecuria politike gjatë këtij viti ka qenë jashtëzakonisht pasive, çka ka prodhuar një situatë të pazakonshme: vendi po shkon drejt dy palë zgjedhjeve për Kuvend. Kjo anomali institucionale i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme Kosovës dhe, njëkohësisht, ka afruar disa parti ndërmjet vete, duke larguar të tjera.
Në këtë klimë, nuk përjashtohet as mundësia e koalicioneve që ideologjikisht duken të panatyrshme. Megjithatë, politika kosovare ka prodhuar edhe më herët shembuj të tillë. Prandaj, lënia e hapur e opsionit për përfshirjen e Nismës nga LDK nuk është befasuese, është më shumë reflektim i rrethanave aktuale, ku partitë po përpiqen të maksimizojnë rezultatin zgjedhor”, ka thënë ai.
ImagePolitologu Fahredin MajkovciFoto galeri
Gjithashtu, Majkovci ka shpjeguar më tej se LDK dhe Nisma mbeten parti me orientime të kundërta ideologjike, por rrethanat aktuale politike po i shtyjnë drejt konfiguruarjes së mundshme pragmatike.
“Ideologjikisht, LDK-ja dhe Nisma janë subjekte të kundërta, njëra e qendrës së djathtë, tjetra me prirje më të majta. Në teori, këto parti do të duhej të garonin kundër njëra-tjetrës, e jo të bashkoheshin. Por rrethanat aktuale politike po shtyjnë drejt konfigurimeve më pragmatike sesa ideologjike.
Nisma, duke qenë se rrezikon të mos e kalojë pragun zgjedhor, po kërkon një mënyrë për të mbetur pjesë e skenës parlamentare. Koalicionet parazgjedhore kanë qenë një praktikë e saj e përsëritur që nga themelimi. Kjo lëvizje, pra, mund të lexohet si tentativë për të siguruar mbijetesën politike.
Nga ana tjetër, LDK-ja mund të jetë e hapur për një marrëveshje të tillë nga motive krejtësisht pragmatike: rritjen e numrit të votave dhe konsolidimin e pozitës për t’u shndërruar në subjektin e dytë më të madh në vend.
Me pak fjalë, ajo që “i bashkon” këto dy parti nuk është ideologjia, por nevoja për t’iu përgjigjur rrethanave aktuale politike, secila në funksion të rezultatit sa më të favorshëm në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar ai.
Në vijim, ai ka theksuar se, pavarësisht dallimeve të theksuara ideologjike, LDK dhe Nisma mund të gjejnë pika të përbashkëta në disa fusha të rëndësishme për vendin.
“Edhe pse ideologjikisht janë të largëta, LDK-ja dhe Nisma mund të gjenden në të njëjtën linjë për disa çështje të rëndësishme për shtetin. Potencialisht, ato mund të bashkëpunojnë në fusha ku ndarja ideologjike nuk është vendimtare, si politika e jashtme, proceset integruese të vendit dhe menaxhimi i dialogut me Serbinë.
Këto janë tema ku zakonisht kërkohet konsensus i gjerë politik dhe ku interesat partiake shpesh vihen në plan të dytë përballë objektivave shtetërore. Prandaj, një agjendë e përbashkët mund të shfaqet pikërisht në këtë zonë, nëpërmjet harmonizimit të qëndrimeve mbi orientimin euro-atlantik, forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe trajtimin e proceseve sensitive negociuese.
Në fushat e brendshme, megjithatë, dallimet ideologjike mbeten më të theksuara”, ka theksuar ai.
Tutje, Majkovci është shprehur se kjo është një çështje që LDK duhet ta ketë analizuar me kujdes.
“Kjo është një analizë e brendshme që LDK-ja duhet ta ketë tashmë të elaboruar. LDK duhet të shikojë historikun e koalicioneve të mëhershme të Nismës, me koalicionin PAN, me AAK-në dhe me partneritete të tjera politike. Në të gjitha këto raste, Nisma ka ditur ta kapitalizojë potencialin e saj elektoral, duke orientuar votën drejt kandidatëve të vet dhe, si rezultat, ka arritur të sigurojë disa mandate deputetësh.
Përvojat e deritanishme tregojnë se Nisma zakonisht del fituese në koalicione të tilla në aspekt të numrit të deputetëve, ndërsa partia bartëse shpesh përfiton më pak sesa pret. LDK, me siguri, është e vetëdijshme për këtë dinamikë dhe duhet ta ketë të kalkuluar faktin që një hyrje e Nismës në listë mund të prodhojë të njëjtin skenar: Nisma të fitojë disa deputetë të rinj, ndërsa LDK të pësojë një farë dëmtimi në rezultatin e saj neto”, ka deklaruar ai.
Në përmbyllje të prononcimit, Majkovci ka dhënë një urim me rastin e Festës së Flamurit.
“Në fund, dua t’ua uroj Festën e Flamurit të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë. Le të jetë kjo ditë një kujtesë e përbashkët për sakrificat, idealet dhe rrugëtimin tonë kombëtar.
Uroj që politika shqiptare, në të gjitha trojet tona, të arrijë ta ngrejë nivelin e saj të përgjegjësisë dhe të performancës, në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe të avancimit të gjithanshëm të kombit tonë.
Gëzuar 28 Nëntorin!”, ka përfunduar Majkovci.
