TË FUNDIT

‘Krenari e siguri”, krerët e shtetit urojnë për Ditën e Forcës

Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Forcës të Ushtrisë së Kosovës, ku sot është organizuar Dita e Hapur në të gjitha kazermat e FSK-së.

Gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari”, Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot është një ditë krenarie për gjithë popullin e Kosovës. Është ditë krenarie, sepse ushtria jonë e sotme, është pasardhëse e denjë e krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e djemve, vajzave të cilët vunë themelet e lirisë sonë. Sot, këta djem e vajza na bëjnë krenarë , jo vetëm brenda vendit, por kudo që ata shërbejnë”, u shpreh Osmani.

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se janë të lumtur për punën e jashtëzakonshme të FSK-së, të cilën e quajti amanet të njerëzve që ranë për lirinë e Kosovës.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur për një punë të jashtëzakonshme të ushtrisë tonë, një vazhdimësi e një historie të lavdishme e popullit tonë, dhe trashëgimi e drejtpërdrejt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Basha.

E krejt në fund, një urim për Ditën e Forcës e pati edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Na bëjnë krenar, e ndihemi të sigurt si shtet”, tha ai për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

27.11.2025 – 10:36
“Dita e Forcës”/ Krerët e shtetit vizitojnë FSK-në, zemrat e qytetarëve rrahin sot me krenari të veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës në kuadër të shënimit të “Ditës së Forcës”.

Delegacioni u ndal fillimisht tek kompania e armëve të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, ku u prezantuan armatimet, automjetet dhe pajisjet me të cilat operojnë trupat e FSK-së.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një adresim të veçantë, uroi oficerët, nënoficerët, ushtarakët në pension dhe stafin civil, duke theksuar se ushtria e Kosovës është ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice dhe sot gëzon respekt ndërkombëtar.

“Ushtria e Kosovës është historia jonë e suksesit. Sot nderojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm të FSK-së, një forcë që po rritet e po fiton respektin e aleatëve tanë anë e mbanë botës. Ajo është e gatshme ta mbrojë vendin nga çdo kërcënim apo rrezik”, deklaroi Maqedonci.

Sipas tij, zemrat e qytetarëve rrahin sot me krenari të veçantë, teksa ushtria vazhdon të marrë një rol qendror në sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës.

27.11.2025 – 10:35
FSK shënon sot “Ditën e Forcës”
Forca e Sigurisë së Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në “Ditën e Hapur”, e cila mbahet me rastin e ‘Ditës së Forcës’, nga ora 09:00 deri në ora 14:00.

Në njoftim thuhet se në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, nga ora 09:30, do të jenë të pranishëm udhëheqës të lartë shtetërorë, mysafirë dhe ambasadorë të vendeve mike.

FSK-ja bën të ditur se të gjithë qytetarët janë të mirëseardhur të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.

“Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake, të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste”, thuhet në njoftim.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u ka uruar ushtarakëve, pjesëtarëve aktivë dhe rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, me rastin e “Ditës së Forcës”.

“Më lejoni t’ju përcjell urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për institucionin tonë dhe për gjithë qytetarët e vendit. FSK-ja, që nga themelimi deri më sot, ka dëshmuar përkushtim, profesionalizëm dhe disiplinë në përmbushjen e misionit të saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të vendit tonë.

Në këtë ditë të veçantë, ju falënderoj për përkushtimin dhe sakrificën e përditshme në shërbim të atdheut. Urime të gjithë pjesëtarëve të FSK-së! Bashkë me nder e përkushtim, do të vazhdojmë ta forcojmë Forcën tonë dhe ta mbrojmë atdheun tonë të dashur. Urime “Dita e Forcës”!”, thuhet në urimin e Komandantit të FSK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *