TË FUNDIT

“Krimea peng i Putinit, Kosova jo!” – Bytyçi rrëzon mitet dhe paralajmëron Vuçiqin

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, ka komentuar planin e presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Ukrainë, duke thënë se disa prej pikave janë të papranueshme për Kievin dhe Evropën, dhe se çdo lëshim territorial do të sillte pasoja të mëdha gjeopolitike – përfshirë rastin e Kosovës.

“Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një përpjekje tjetër për paqen në Ukrainë. Paraqiti planin e tij të fundit me 28 pika ose si të thuash marrëveshjen e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai plan përmban edhe çështje, të cilat nuk mund të pranohen dhe besoj se Ukraina dhe Europa nuk do të bien dakord për të,” thotë Bytyçi, duke theksuar se lëshimet territoriale në favor të Rusisë mbeten pika më e papranueshme.

Sipas tij, parashikimi që dy krahinat lindore të Ukrainës dhe Gadishulli i Krimesë t’i jepen Rusisë, si dhe pengimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, “e bëjnë të pamundur paqen”.

Edhe pse ai pranon se Krimeja është “kapitull i mbyllur” pas 14 vjetësh aneksim, profesori nënvizon një çështje që prek drejtpërdrejt Kosovën.

“E kam thënë dhe herë të tjera. Vladimir Putin e mban peng Kosovën deri në momentin që të përfitojë njohjen e Gadishullit të Krimesë si pjesë e sovranitetit të Rusisë. Kosova i shërben atij si kasus beli për të justifikuar shkëputjen e këtij gadishulli nga territori i Ukrainës”, shprehet Bytyçi.

Bytyçi thekson se, ndonëse Kosova dhe Krimeja janë raste krejtësisht të ndryshme, Kremlini ka rol shumë më vendimtar se Beogradi kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai rikujton se Kosova e ka dëshmuar kontrollin e territorit të saj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, duke bërë të qartë se veriu nuk është krahasueshëm me Donbasin.

“Institucionet, policia dhe forcat e sigurisë së Kosovës janë të afta t’i dalin zot çdo metri katror të territorit”, thotë Bytyçi.

Profesori kritikon edhe tendencën për të shpërblyer spastrimin etnik në veri.

Sipas tij, dëbimi i shqiptarëve në qershor 1999 “nuk mund të shpërblehet me territore apo me ndonjë zgjidhje si Asociacioni”, duke shtuar se Kosova ka dëshmuar se mund të integrojë pakicat dhe se duhet dialoguar “me serbët e Kosovës, jo me ata në Beograd”.

Sa i përket paraleles me statusin neutral që plani i Trump parashikon për Ukrainën, Bytyçi është i prerë.

“As që mund të mendohet se Kosova do të ketë të njëjtin fat. Aleanca Atlantike ka nevojë për Kosovën… NATO është në Kosovë dhe ajo mund të largohet prej andej vetëm atëherë kur Kosova të jetë në NATO.”

Ai shton se Serbia nuk është më në gjendje të kërcënojë ushtarakisht Kosovën, duke përmendur edhe krizën e thellë të regjimit të Vuçiqit dhe mundësinë reale të akuzimit të tij në Hagë:

“Nuk ka asnjë shans që në kushtet e sotme, kur Kosova është tashmë e armatosur dhe e motivuar ta mbrojë vendin e vet më shumë se kurrë, që Serbia të ndërmarrë ndonjë aventurë agresioni. Kjo kohë ka marrë fund gjithmonë”, shpjegon Bytyçi.

Me tej, Bytyçi e bën të qartë se projekti i Trump për Ukrainën “nuk përngjan në asgjë me Kosovën”, dhe se çdo krahasim me rastin ruso–ukrainas është i pabazë, pasi Kosova ka treguar stabilitet, kontroll territorial dhe orientim të pakthyeshëm perëndimor.

“Por edhe nëse marrim rastin ekstrem, me të cilim parashikojmë se Serbia do të sulmonte territorin e Kosovës, sërishmi nuk kemi të bëjmë me rastin e konfliktit Rusi-Ukrainë. Serbia nuk është Rusi dhe Kosova është më e motivuar sesa Ukraina për ta mbrojtur territorin e saj. Në Serbi e dinë se ka ikur përfundimisht koha e ndonjë sulmi ushtarak kundër Kosovës. Ka mbaruar ajo kohë. Serbia gjithmonë ka nisur luftëra dhe ka bërë masakra sidomos kundër shqiptarëve, kur ka qenë e bindur se ata isjhin krej të pambrojtur. Nuk asnjë shans që në kushtet e sotme, kur Kosova është tashmë e armatosur dhe e motivuar ta mbrojë vendin e vet më shumë se kurrë, që Serbia të ndërmarrë ndonjë aventurë agresioni. Sipas mendimit tim, kjo kohë ka marrë fund gjithmonë. Dardanët ishin të vemit popuj të Ballkanit që kishin guxuar të luftonin kundër Perandorisë Romake”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *