TË FUNDIT

​Osmani zbardh të pathënat: A ka rrezik për një qeveri antiamerikane në Kosovë?

Në Kosovë s’ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane, tha presidentja e vendit Vjosa Osmani. Sipas saj, në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush. Megjithatë, ajo tha se secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët.

E para e vendit, tha se ajo ka një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pasi e sheh si partner ekzistencial në zhvillimin dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Këtë koment ajo e dha pasi u pyet nga mediat të hënën për deklaratën e ish diplomatit amerikan, Philip Reeker, i cili ditë më parë tha se Kosova ka nevojë për një qeveri e cila mund të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani të hënën priti në takim edhe dy kongresistë amerikan, Mike Turner dhe Donald Norcross.

Në Kosovë s’ka pasur dhe nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane, thekson Osmani

“Në Kosovë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë qeveri anti-amerikane. Në Kosovë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë edhe në të ardhmen qeveri më proamerikane që mund të gjejë dikush. Ne e kemi popullin më pro amerikan në botë dhe secila qeveri e Kosovës që vjen është nga ky popull. Ne nuk mund të kemi dallime mes popullit që krijon qeveri apo votuesit që krijon qeveri dhe qeverisë, përderisa secila qeveri i ka metodat, strategjitë dhe mënyrën sesi punon me partnerët. Për atë sesi kanë punuar dhe si do të punojnë në të ardhmen unë iu sugjeroj të adresoni pyetjet në qeveri. Sa i përket punës sime si presidente mund t’iu siguroj se kam pasur dhe vazhdoj të kem një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në pasi i shoh si partner ekzistencial në zhvillimin e Kosovës dhe mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë sonë si dhe tejkalimin e sfidave të sigurisë që ballafaqohemi”, theksoi ajo.

Osmani foli edhe për krizën buxhetore në Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Ajo tha se ka përdorur të gjitha kompetencat e saj që javën e kaluar Kuvendi të miratojë buxhetet për këto tri komuna, mirëpo që partitë në legjislativ nuk arritën kompromis për një gjë të tillë.

Përkitazi me këtë, presidentja Osmani tha se kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhetin e kanë pasur mundësinë që para shpërndarjes së Kuvendit të miratojnë të njëjtin, madje edhe marrëveshjet ndërkombëtare si dhe buxhetin për RTK-në.

Sipas saj, një gjë e tillë ka qenë e ligjshme, kushtetuese madje edhe në bazë të praktikave të kaluara parlamentare, siç ka qenë në vitin 2020 pas shpalljes antikushtetuese të qeverisë Hoti.

Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhetin e kanë pasur mundësinë javën e kaluar, tha Osmani

“Çdo kompetencë që e kam, e kam shfrytëzuar. Fillimisht duke kërkuar që Kuvendi të mblidhet para se të votohet qeveria e mandatarit të dytë në mënyrë që një nga pikat e ndara të rendit të ditës të jetë edhe buxheti për kryeqytetin, Gjilanin dhe Zubin Potokun. Ajo ka qenë pikë e ndarë e rendit të ditës dhe nuk është lidhur fare me buxhetin për vitin 2026. Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet ka pasur mundësinë që të votojë si pikë të ndarë….. Unë nuk e kam nënshkruar dekretin për shpërndarje dhe i kam ftuar partitë politike ku i kam lutur që para se të shpërndahet Kuvendi të kthehen në sallë të Kuvendit dhe të miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin për komunat që s’kanë buxhet, RTK-në dhe zgjatjen buxhetore. Kam kërkuar nga kryeministri a mundesh me heq dorë nga buxheti i vitit 2026 që vetëm këto pikat e tjera t’i trajtojmë dhe ai është pajtuar që të hiqet çështja e buxhetit dhe të shkohet në seancë vetëm me pikat e tjera… Por fatkeqësisht s’ka pasur dakordim nga partitë të tjera. Mundësi ka pasur me miratu, por nuk ka pasur vullnet politik”, tha ajo.

E pyetur sa i përket kritikave dhe akuzave se “ajo është presidente e zyrtares së LVV-së, Dejona Mihalit”, Osmani tha se nuk ia vlen të merret as një sekond me akuza të tilla.

Akuzat për mbështetje të LVV-së, kjo është përgjigjja e Vjosa Osmanit

“Kush e ka thënë këtë punë. As nuk ia vlen të merrem as një sekond me akuzat e Ganimete Musliut”, theksoi ajo.

Osmani para mediave u deklarua edhe për zhvillimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ajo tha se janë duke analizuar procesin nga aspekti ligjor, sa i përket siç e quajti ajo tentim-shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, Besim Kelmendit.

Osmani ka një porosi për Këshillin Prokurorial të Kosovës

“Ne jemi duke analizuar procesin nga aspekti ligjor. Njëkohësisht si presidente e Republikës dhe garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve jam në bashkëpunim dhe koordinim me shtetet e QUINT-it, lidhur me këto zhvillime jashtëzakonisht serioze. Një çështje e cila është shumë shqetësuese është që pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial kanë deklaruar publikisht se nuk ndihen të sigurt dhe kanë kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë në vend. Si presidente jam marrë me këtë çështje në bashkëpunim me qeverinë. Është e pafalshme që 26 vite pas luftës të kemi anëtarë të Këshillit Prokurorial, qofshin ata prokuror apo jo prokuror që nuk ndihen të sigurt dhe ndihen të kërcënuar…. Është shumë me rëndësi që deklaratat e mia mos të shihen si ndonjë ndërhyrje pasi jam person politik që kurrë nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë që t’i lëjmë vend edhe analizës së përbashkët me partnerët lidhur me procesin që ka ndodhur as i përket tentim shkarkimit më mirë ta quaj”, përfundoi ajo.

Katër ditë më parë, në mbledhjën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, është marrë vendimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Me pesë vota për u shkarkua Kelmendi nga pozita e tij, ndërkohë vendin e tij do të zë nga dita e nesërme prokurori Agron Qalaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *