POLITIKATË FUNDIT

Një film horror për snajperin e Sarajevës, Aleksandër Vuçiq

Simo Häyhä ishte një snajper finlandez në luftën kundër Rusisë gjatë periudhës dhjetor 1939 – mars 1940. Për 104 ditë ai vrau mbi 500 rusë, ndërsa më 21 dhjetor 1939 kishte vrarë 25 rusë — rekordi i tij ditor. Vrasjet e tij i kishte shënuar në një ditar të zbuluar dekada më vonë. Për këtë snajper të famshëm është prodhuar edhe një film.

Po snajperi paramilitar i Vojisllav Sheshelit, më pas ministër i Millosheviqit, pra ky i kohëve moderne — presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq — sa viktima ka shkaktuar? Sa myslimanë ka vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës? Dhe a do të ketë ndonjë film me subjekt snajperin vrasës shumëdimensional, i cili sot është president i Serbisë?

Aleksandër Vuçiq nuk ishte thjesht një snajper në vitet 1993–1994 gjatë rrethimit të Sarajevës. Ai ishte shumë më tepër se kaq. Ishte shefi i protokollit të vrasjeve dhe, si i tillë, “moderonte” mysafirët e ftuar e të paguar, të ardhur nga Rusia, Italia e deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u argëtuar me vrasjen e boshnjakëve myslimanë.

Nuk mjaftoi që në Sarajevë serbët vranë princin e kurorës së Perandorisë Austro-Hungareze, Franz Ferdinand, dhe gruan e tij Sofinë, me çka nisi Lufta e Parë Botërore, e cila i kushtoi njerëzimit 20 milionë viktima të pafajshme. Nuk mjaftoi as ushtria e Mladiqit dhe Karaxhiqit për ta rrethuar Sarajevën në luftën e fundit në Bosnjë-Hercegovinë dhe për t’i ndërprerë deri edhe furnizimin me ujë të pijshëm si mjet vdekjeje. Qeveria e Serbisë dhe partitë e saj militare, si ajo e Sheshelit dhe e Vuçiqit, u kujdesën të aplikonin metodën më anti-njerëzore të ekzekutimit të myslimanëve: vrasjet me snajperë, madje edhe me snajperë “turistë” nga vende të tjera.

Vetë presidenti i sotëm i Serbisë ishte i angazhuar në këtë mision mizor. Sipas një emisioni investigativ në Slloveni, ai ishte jo vetëm snajperist në vrasjet ndaj myslimanëve boshnjakë, por edhe moderator i këtyre vrasjeve makabre. Ai kujdesej për qindra të pasionuar rusë, italianë e të tjerë që vinin për të marrë në shenjë dhe vrarë burra, gra, fëmijë, pleq e të moshuar të Sarajevës — vetëm e vetëm se viktimat ishin të besimit mysliman.

Sipas Konventës së OKB-së të 10 dhjetorit 1948 për parandalimin dhe dënimin e krimeve kundër njerëzimit, ky akt konsiderohet i dënueshëm dhe përbën genocid.

Akti i Aleksandër Vuçiqit, tashmë jo vetëm i përmendur, por edhe i argumentuar dhe mediatikisht i dokumentuar, është krim kundër njerëzimit. Sepse bën pjesë në përpjekjet e asgjësimit të një popullsie vetëm për shkak të besimit fetar. Kjo ka ndodhur edhe me shqiptarët — jo vetëm për shkaqe fetare, por edhe etnike.

Asgjësimi i një popullsie për shkak të dallimeve në besim, racë, gjuhë, zakone apo etni është absolutisht i dënueshëm penalisht dhe jo vetëm moralisht nga ligjet ndërkombëtare. Prandaj Aleksandër Vuçiq duhet të dalë para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Me faktet dhe provat e publikuara së fundmi, është e udhës të përgatitet dosja penale që do ta çonte atë para drejtësisë për genocid dhe krime kundër njerëzimit.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë drejtësia ndërkombëtare humbet kuptimin. Viktimat e snajperit Aleksandër Vuçiq dhe snajperistëve të tjerë nuk do të mund të prehen të qeta pa u ndëshkuar fajtorët.

Simo Häyhä ishte një vrasës gjakftohtë që i shënonte viktimat e tij në një fletore. Vuçiq, gjithashtu një snajperist gjakftohtë, ka “bëmat” e tij të publikuara dekada më vonë. Por, ndryshe nga finlandezi që u fsheh, Vuçiq nuk u fsheh kurrë. Ai u ngjit në majat e politikës serbe: fillimisht deputet dhe ministër i qeverisë së “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, më pas nënkryetar i Partisë Radikale të Sheshelit, kryeministër dhe sot president i Serbisë. Edhe vrasës, edhe deputet! Edhe snajperist, edhe ministër, kryeministër e president i një vendi me mentalitet asgjësimi ndaj jo-serbëve, përfshirë shqiptarët.

Është një skenar filmik që çdo regjisor botëror do ta kishte zili: një film horror që do të fitonte çmime Oscar. Ndoshta aty do të shfaqej edhe një e vërtetë tjetër: krimet e Aleksandër Vuçiqit i dinte prej kohësh Perëndimi, Rusia dhe çdo vend i interesuar — por në Perëndim besonin se këto krime mund të përdoreshin si mjet presioni për lëshime gjeopolitike.

Publikimi i këtyre fakteve sot duket si një hakmarrje ndaj tij. Vuçiq ka qenë mes dy zjarreve: ose të shkonte në gjykatë, ose të rrezikonte të eliminohej nga ndonjë snajper rus për tradhti ndaj Moskës. Zgjodhi të jetojë dhe të mos marrë damkën e tradhtarit, duke mos u larguar nga linja ruse e politikës dhe diplomacisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *