OPINIONTË FUNDIT

12 ditë betejë: Partitë në garë ‘të egër’ për t’i bindur votuesit

12 ditë afat kanë partitë politike që t’i bindin qytetarët e Kosovës për t’i votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Fushata zgjedhore do të zhvillohet nga 17 dhjetori deri më 28 dhjetor, duke e bërë këtë një nga fushatat më të shkurta të mbajtura ndonjëherë në vend, gjë që pritet të intensifikojë aktivitetet e partive dhe komunikimin me votuesit.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, anëtari i Komisionit, Arianit Elshani, ka sqaruar se procesi i certifikimit të partive politike është i ndarë në dy faza. Certifikimi i subjekteve politike do të zhvillohet nga 24 deri më 30 nëntor, ndërsa dorëzimi dhe certifikimi i listave të kandidatëve do të bëhet nga 24 nëntori deri më 7 dhjetor, datë që shënon afatin e fundit për paraqitjen e listave në KQZ. Po ashtu, ai njoftoi se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të mbahet më 8 dhjetor, një proces që tradicionalisht përcillet me interes të madh nga partitë.

Për votuesit jashtë vendit, është përcaktuar që periudha e aplikimit për votim nga diaspora të fillojë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 6 dhjetor, ndërsa periudha e votimit me postë do të jetë nga 12 dhjetori deri më 27 dhjetor. KQZ ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët dhe subjektet politike t’i respektojnë afatet dhe procedurat teknike, duke theksuar rëndësinë e procesit për garantimin e zgjedhjeve të rregullta, të studiuara mirë dhe transparente.

Nga ana tjetër, zyrtarë të KQZ-së kanë paralajmëruar se për shkak të dinamikës së shpejtë të zgjedhjeve, pritet një angazhim i shtuar logjistik, sidomos në menaxhimin e votimit nga diaspora dhe në trajnimin e stafit zgjedhor. Ata kanë siguruar se të gjitha përgatitjet po zhvillohen sipas planit dhe se synimi është që procesi të jetë sa më efikas dhe i besueshëm për publikun.

Analistët politikë thonë se fushata do të sillet rreth akuzave e kundër akuzave se kush është fajtori i bllokadës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, gjersa paralajmërojnë një përsëritje të akuzave edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Fushata politike dhe listat e njëjta

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se mejdanin do ta ndajnë LVV në njërën anë dhe partitë ish- opozitare në anën tjetër, ku palët do të mundohen ta bindin qytetarin se kush është fajtori i bllokadës politike.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
“Pres që të jetë fushatë shumë dinamike, ku do të bisotrojë një diskurs i ashpër ndërmjet partive politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Pra mejdanin do ta ndajnë LVV në njërën anë dhe partitë ish-opozitare në anën tjetër, ku të dy palët do të mundohen ta bindin qytetarin me akuza dhe kundërakuza për njëra- tjetërn se kush është fajtori i bllokadës politike e institucionale që si pasojë nuk u arrit materializimi i rezultati të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pra për të pasur qeveri dhe institucione të tjera”, deklaron Haziri.

Ai pret diskursin e fajtorit të bllokadës politike, gjersa shton se listat që do të garojnë për deputetë do të jenë të njëjtat që garuan edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Dhe ky diskurs pritet ta thellojë edhe me tutje polarizimin e skenës politike, dhe duke zëvendësuar programet, idetë dhe projektet që do të duhet t’i shfaqnin dhe elaburonin partitë politike për qytetarët tanë që të marrin besimin e tyre për qeverisjen e ardhshme. Edhe listat e kandidatëve për deputet më të cilat do të garojnë subjektet politike në këto zgjedhje, do jenë po ato të njëjtat me të cilat garuan edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, pra do të ketë shumë pak ndryshime në lista dhe ofertat e tyre”, shton analisti.

Kritika ndaj opozitës dhe mundësi përsëritje pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Ndërsa, analisti Gani Qarri, thotë se fushata sërish dominohet me shprehjen e inateve personale e grupore ndërmjet partive amorfe.

ImageGani QarriFoto galeri
Ai thotë se opozita u bashkua me “Listën serbe”, kundër interesave jetike të qytetarëve.

“Në fakt duke qenë se këto janë zgjedhjet e 4-ta, me radhë brenda një afati vetëm 10 mujor, dhe pothuajse gjatë gjithë kësaj kohë është bërë vetëm fushatë e ulët partiake, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim serioz për krijimin e institucioneve legjitime shtetërore nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, ashtu siç bëhet e ditur nga KQZ, fushata për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, me të drejtë është kufizuar vetëm në 12 ditë, me fillim nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor, e cila nga përvoja e deritanishme, pres që të jetë një fushatë e zbehtë dhe në vend të shfaqjes së programeve përmbajtjesore e projekteve të mirëfillta zhvillimore, fushata serish të dominohet me shprehjen e inateve personale e grupore ndërmjet partive amorfe, të cilat përfundimisht dëshmuan para të gjithë qytetarëve, se vetëm politikë nuk dinë të bëjnë. Derisa opozita e inkriminuar, përkundër nevojave jetike të vendit dhe thirrjeve të BE-së, nuk ka marrë pjesë as në votimin e buxhetit të shtetit dhe as në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, bojkotimi i kësaj natyre të paprecedent i PDK-s, LDK-s, AAK-s, e Nisma-s, të cilat serish u bënë bashkë me të ashtuquajturën “listë serbe” kundër interesave jetike të qytetareve dhe shtetit të Kosovës, përveçse është veprimi më i dëmshëm politike në një fazë kaq urgjente buxhetore siç ndodhet Kosova, është edhe veprimi më i rëndë anti-shtet, në gjithë periudhën e pasçlirimit nga Serbia, pas votimit të “zajednicës” një etnike serbe dhe Gjykatës Speciale, akt që shkon deri në tradhti të hapur shtetërore. Andaj partitë e tilla politike që bllokojnë në unison me të ashtuquajturën “listë serbe” edhe buxhetin e shtetit të Kosovës me qëllimin e mbrapshtë për të krijuar gjendje sa më kaotike në mbarë vendin dhe shkaktuar popullsisë së pafajshme vështirësi të papara financiare në stinën e ftohtë të dimrit, duke mos hezituar ta rrezikojnë me veprimet e tyre konspirative edhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës, akte të tilla, janë sulme të sinkronizuara kundër jetesës së qytetarëve, rendit kushtetues, e atak i rëndë ndaj sigurisë nacionale dhe tradhti e hapur kombëtare”, shprehet Qarri.

Duke marrë parasysh gjendjen e krijuar pas 9 shkurtit, edhe 12 ditë fushatë zgjedhore janë shumë, sepse parti të tilla si që janë në opozitë nuk kanë ide, programe, as kandidatë më serioz.

“Kur opozita përveç mosvotimit të buxhetit të shtetit nuk votuan as marrëveshjet ndërkombëtare, me 3 synimet skandaloze e më të paprecedent kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, me qëllimin kobzi që ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës, të nxisin trazira sociale në vend dhe me mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, një pjesë e konsiderueshme e parave prej mbi 1 miliardë eurove të parapara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën, të mos i marrë Kosova, por ti shkojnë Serbisë dhe vendeve tjera fqinje, një opozitë e tillë e inkriminuar nuk e di se si mund të votohet nga qytetarët, në këto zgjedhje. Një opozitë dubioze, e cila për 9 muaj me radhë, nuk ka paraqitur asnjë ide të vetme konstruktive, për konstituimin e institucioneve legjitime shtetërore dhe as një projekt të vetëm zhvillimor për çuarjen e vendit përpara, nuk e di se me çfarë opsionesh do të mund ta shpëlajë veten para qytetarëve, pasi që nga 9 shkurti, ka dëshmuar se është e përgatitur vetëm për skenarë meskin dhe bojkot konspirativ, që lënë vendin pa institucione legjitime shtetërore, pa buxhet të votuar dhe pa marrëveshje të miratuara ndërkombëtare. Ndaj marrë parasysh gjendjen e krijuar pas 9 shkurtit edhe 12 ditë fushatë zgjedhore janë shumë, sepse parti të tilla dëshmuan gjatë gjithë kësaj kohe, se nuk kanë ku të fokusohen që të arrijnë ta bindin qytetarin për votë, nuk kanë ide, programe as kandidatë më serioz për freskimin e garimit dhe zhvillimin e një fushate të njëmendtë zgjedhore”, thekson analisti.

Ai tutje vazhdon të kritikojë opozitën, gjersa se sjellje të ngjashme mund të përsëriten edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“ Për aq më keq vet përvoja e 9 muajve të kaluar dhe bllokimi i buxhetit të shtetit, na ka mësuar, se partitë opozitare nuk janë fare të interesuara as për mbarëvajtjen e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, por ndjehen aq të frikësuara për mundësinë e humbjes së pasurive të grumbulluara kundërligjshëm, gjatë 13 viteve të qëndrimit në pushtet, sa që përveç me të ashtuquajturën “listë serbe”, janë në gjendje të bashkohen edhe me dreqin e të birin, vetëm për të shkaktuar kaos e mjegullnajë sa më gjatë, nga e cila të mos mund të dal Kosova as qytetarët e saj. Fatkeqësia më e madhe për Kosovën është se përveç debateve të egra kundërshtuese dhe sulmeve të papara banale kundër kryeministrit në detyrë, opozita nuk ka treguar interesim jo vetëm për të kontribuuar, por përkundrazi edhe ka bllokuar çdo iniciativë për zgjidhjen e ngërçit politik duke mos votuar në fund as buxhetin e shtetit, as marrëveshjet ndërkombëtare dhe rrezikuar qëllimisht funksionalitetin e shtetit të Kosovës, nxitjen e problemeve sociale me qëllim që edhe një pjesë e konsiderueshme e parave të parapara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën, ti shkojnë Serbisë dhe vendeve tjera fqinje”.

“Kështu që, duke qenë se gjatë 9 muajve të kaluar, opozita e inkriminuar, nuk ka treguar asnjë interesim për të kontribuuar me çfarëdo qoftë në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës, duke na lënë në prag të dimrit edhe pa buxhet të miratuar dhe pa miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare shkaku i të cilave Kosova mund të humb rreth 1 miliard euro, duke luftuar në vazhdimësi për thellimin e krizës, me shpresën se qytetarët nuk do të dinë, ti kuptojnë akrobacionet e opozitës, dhe pas asnjë argument, do të mund ta bëjnë përgjegjës kryeministrin Kurti, sjellje të ngjashme nga po kjo opozitë e inkriminuar pritet të përsëriten edhe pas këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndaj qytetari i Kosovës, kësaj radhe duhet të tregohet shumë më i vëmendshëm, ti ketë fort parasysh të gjitha këto dhe ta jap votën aty ku duhet, sepse kjo është edhe në interesin jetik të vet qytetarëve, sigurinë nacionale të vendit, garantimin e qëndrueshmërisë dhe mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës”, përfundon Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *