TË FUNDIT

Skenarët e zgjedhjeve të 28 dhjetorit – këto janë parashikimet për partinë fituese dhe koalicionet e mundshme!

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit shënojnë një pikë kthese të rëndësishme për skenën politike në Kosovë, pasi ato do të mbahen pas një periudhe të gjatë bllokade dhe dështimi për bashkëpunim mes partive politike.

Përplasjet mes partive ishin të mëdha në këta muajt e fundit, derisa ato nuk kursyen akuza dhe kritika ndaj njëra-tjetrës.

Subjektet politike hyjnë në këtë garë me strategji dhe qëndrime të ndryshme. Partitë më të mëdha, bazuar në deklarimet dhe qëndrimet e tyre, duket se preferojnë të matin forcat e tyre individuale para se të mendojnë për koalicione.

Ndërsa, partitë me elektorat më të vogël, nga ana tjetër, duken më të interesuara për bashkëpunime e koalicione, duke tentuar të sigurojnë kalimin e pragut zgjedhor dhe të marrin ulëse në parlamentin e ri.

Radhitja e partive në këto zgjedhje, strategjitë që do të aplikojnë dhe koalicionet e mundshme mund të përcaktojnë jo vetëm strukturën e parlamentit të ri, por edhe drejtimin e politikës së brendshme për vitet e ardhshme.

E në lidhje me skenarët, koalicionet dhe lëvizjet e mundshme të partive politike, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Mehmeti: Lëvizjet politike të partive pritet të jenë shumë të vogla

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli opinionisti Gani Mehmeti.

Si fillim, ai tha se është vështirë të parashikohet se si do radhiten partitë, pas zhvillimeve të shumta dhe dinamike që ndodhën muajt e fundit.

“Për zgjedhjet parlamentare të shpallura për datën 28 dhjetor 2025, parashikimet se si e kush do të dalë, janë mjaft të ndërlikuara. E them këtë sepse kjo varet nga zgjedhësit, pra nga votuesit se kush si i sheh këto zgjedhje, a kanë ndryshuar në dhënien e votës kush dhe kujt.

Partitë politike kanë akuzuar njëra-tjetrën për ngërçin shtat-mujor, duke llogaritur nga 15 prilli e deri më 19 nëntor 2025 dhe sërish nuk u arrit formimi i qeverisë nga zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.

Dhe, sa i përket ngërçit, janë pjesëmarrëse të gjitha partitë politike me kryeneçësinë e tyre që treguan gjatë gjithë kësaj kohe, fillimisht me moszgjidhjen e kryetarit të kuvendit e më pastaj edhe me moszgjidhjen e qeverisë Kurti 3 ose Konjufca 1”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehmeti foli për pritshmërit që ka nga partitë politike në këtë fazë të re, atë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas tij, skena politike është ndarë në dy blloqe, LVV në njërën anë dhe ish-opozita në anën tjetër.

“Sido që të jetë, tani kemi hyrë në një fazë tjetër, prej të cilës paksa vështirë të dilet nga situata palidhur ndonjë koalicion mes partive të dy blloqeve, mes LVV në njërën anë dhe PDK e LDK në anën tjetër. Partitë tjera janë shumë të vogla për ta nxjerrë vendin nga situata ku jemi.

Do të ishte mirë që vetëm si parti të votohen, ndërsa deputetët e legjislaturës së nëntë të bojkotohen të gjithë e të mos votohen nga zgjedhësit. Kjo për t’u treguar se ata janë fajtorë për mosformimin e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kështu do të disiplinoheshin edhe deputetët, që të mos jenë tërësisht të varur nga partitë e tyre dhe kryetarët e partive, por të mendojnë e të veprojnë për vendin, shtetin e popullin, për çka janë zgjedhur”.

Gjithashtu, opinionisti përmendi edhe lëvizjet politike që mund të bëjnë partitë deri te dita e zgjedhjeve.

Në këtë pikë, ai u tregua pesimist se mund të ketë ndonjë lëvizje apo ndryshim të madh, bazuar në qëndrimet që partitë kanë pasur kohët e fundit.

“Asnjëri nga deputetët nuk hoqi dorë nga paga, nga mëditjet dhe nga beneficionet e tyre prej buxhetit të shtetit, pse nuk bënë asgjë për krejt gjatë kësaj kohe. Atyre, meqë janë të zgjedhur, do u takonte vetëm rroga e majme që e kanë, por jo edhe pagat e tjera. Për një seancë, e cila zgjati 59 ditë derisa e zgjodhën kryetarin e kuvendit, ata është dashur të marrin mëditjen vetëm për një ditë, jo për 59 ditë, sepse nuk kryen punë. Për gjatë kësaj kohe nuk ka qenë e arsyeshme të marrin as beneficione të tjera, prandaj nuk iu kanë takuar.

Nisur nga e gjithë kjo që e thamë, nuk pritet ndonjë reflektim as në zgjedhjet e 28 dhjetorit nga partitë politike.

Lëvizjet politike të partive pritet të jenë shumë të vogla, edhe nëse do të ketë”

Më tej, ai përmendi edhe mundësitë e koalicioneve dhe se cilat parti mund të rreshtohen njëra krah tjetrës.

Sipas tij, partitë politike i frikësohen koalicioneve parazgjedhore dhe për këtë shkak mund të kemi edhe pas 28 dhjetorit destabilitet politik.

“Tani kemi përcaktimin politik në dy blloqe kryesore në Kosovë, që vështirë të lidhin ndonjë koalicion mes tyre. Këto dy blloqe janë LVV në njërën anë dhe LDK, PDK, AAK dhe NISMA (e cila u shkri në LDK), në anën tjetër. LDK e të tjerat pritet të lidhin koalicion pas-zgjedhor, jo parazgjedhor. LVV-ja nuk ka me kë të lidhë koalicion. Kështu që, duket të jetë një situatë jo e qëndrueshme edhe pas këtyre zgjedhjeve. Gjendja do të mbetej stabile, vetëm nëse fiton njëri bllok për formimin e institucioneve shtetërore, pa pasur nevojë për koalicion mes këtyre dy blloqeve. E them këtë, sepse, edhe po lidhën një koalicion pas zgjedhor, është pikëpyetje se sa do të zgjasë koalicioni për të shkuar deri në fund të mandatit”, shpjegoi opinionisti.

Ndër të tjera, Mehmeti parashikoi se si mund të jetë radhitja e partive politike në këto zgjedhje, duke parë qëndrimet dhe dhe lëvizjet e deritanishme politike.

Ai tha se LVV do dalë partia e parë, derisa parashikoi rënie të LDK-së, pas refuzimeve që kjo e fundit ua ka bërë Gërvallës e Kurtit.

“LVV do të dalë gjithsesi e para. Ftesa e Gërvallës drejtuar LDK që të votojnë qeverinë Konjuifca ishte shumë e arsyeshme. LDK, jo që nuk iu përgjigj Gërvallës, por e akuzoi rëndë me Don Kishotët e Sanço Pançat, e humbi tërësisht toruan dhe ka një zhgënjim të elektorati i LDK, dhe pritet të ketë rënie në këto zgjedhje. Ftesa e Gërvallës ishte më shumë se një lutje që të mos shkohet në zgjedhje, ani që kjo qeveri do të ishte tejet afatshkurrtër. Kësaj mos përgjigje votuesit do i hakmerren Abdixhikut, sepse nuk është në parimet rugoviane LDK. Këtë le ta dijë. Ajo vetëm emrin LDK e mban, por nuk ka asnjë veti e cilësi të LDK-së së Rugovës. LDK gaboi që e mori edhe NISMA-n në gjirin e vet në koalicion parazgjedhor. Edhe këtu shihet sot se ku ka rënë LDK-ja”, përfundoi Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Pres befasi në këto zgjedhje, të cilat do të jenë më të rëndësishmet në historinë e Kosovës

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani tha se partitë e mëdha politike, LVV, PDK e LDK nuk do kenë probleme në zgjedhjet e reja, derisa njëjtë nuk mendon edhe për AAK e Nismën.

Ai në prononcimin e dhënë për “Bota sot” u shpreh se nuk pret që ish-opozita të bëhet bashkë dhe ta largojë LVV-në.

“Të gjitha partitë po duken komode, përveç NISMA-s, e cila mund të ketë telashe. As AAK nuk është mirë në nivel nacional dhe është në gjendje kritike për të kaluar pragun. Partitë e tjera shkojnë normalisht në zgjedhje.

Pra, nuk pres që blloku opozitar të bëhet bashkë dhe ta largojë VV-në. Do të ishte mirë nga njëra anë, por nga ana tjetër keq, sepse VV do të thoshte: “s’ka më opozitë, sepse janë bërë bashkë”, dhe këtë e shfrytëzon për lojë politike dhe përfitime partiake”, vlerësoi analisti.

Po ashtu, Burjani tha se pret befasi në këto zgjedhje dhe se beson që gara do jetë dramatike mes partive politike.

“AAK dhe NISMA është më mirë të shkojnë me PDK-në në koalicion, përderisa LDK nuk shkon me askënd në koalicion. Pres befasi në këto zgjedhje, të cilat do të jenë më të rëndësishmet në historinë e Kosovës. Gara mund të jetë dramatike.

Pra, se a do të ketë një ballafaqim shumë serioz, kështu si janë koalicionet, apo nëse do të mbetet e vetmja me një koalicion me parti të “rreme” që nuk kanë bashkë për kënd, mbetet për t’u parë”.

Në fund, analisti shtoi se radhitja e partive mund të mos ndryshojë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por përqindjet po.

“VV duhet të ketë një listë të gjerë me kredibilitet që të mbështesë Kurtin. Renditja mund të mos ndryshojë, por në përqindjet pres të shoh një rënie të VV-së dhe forcim të PDK-së dhe LDK-së”, përmbylli Blerim Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *