Tri gjenerata, një histori: Jakupi i përgjigjet Buzhalës
Analisti politik Zejnullah Jakupi i është përgjigjur gazetarit Berat Buzhala duke ndarë historinë personale të familjes së tij në tri gjenerata.
Ai thekson sakrificën e babait të tij që emigroi në Gjermani, mundin e tij për të ndërtuar një familje dhe suksesin e brezit të tretë, duke arritur doktoratura dhe karriera të suksesshme.
Jakupi nënvizon rëndësinë e vlerësimit të profesionistëve dhe refuzon paragjykimet, duke treguar se historia e familjes së tij është dëshmi e mundësive që ofron sakrifica dhe përkushtimi.
Shkrimi i plotë:
Me të lexuar këtë postim të gazetarit Berat Buzhala dua të jem më i drejtpërdrejtë dhe me ndjenjë — dua ta bëj këtë si një rrëfim që vjen nga zemra, jo nga zyrat apo statistikat. Dua t‘ i kundërshtoj paragjykimet e Berat Buzhalës- nuk dua ta quaj „Hajvan“. Albin Kurti ka të drejtë për mërgatën.
Rrëfim Personal – Historia Jonë në Tri Gjenerata
Historia ime nuk fillon me mua. Fillon shumë më herët, në një kohë të vështirë, kur babai im – Zoti e pastë mëshiruar – mori rrugën drejt Gjermanisë në vitet ’69–’70.
E shoh shpesh në mendje: i ri, i vetëm, me një valixhe të lehtë dhe me një barrë të rëndë mbi shpinë. Më shumë shpresë sesa para, më shumë guxim sesa mundësi.
Punoi si Klempner – hidraulik, zanat që ua mësonte jeta, jo shkolla. Duart e tij ishin gjithmonë të çara nga puna, por zemra e tij ishte e butë. Ai nuk na dha pasuri, por na dha karakter. Nuk na dha luks, por na dha dinjitet. Me rrogën e tij të thjeshtë ngriti një familje dhe na hapi rrugën që ne të shkonim më larg.
Kur e kujtoj sot, më mbyset fjala.
Ai ishte themeli jonë. Dhe pa themele, asnjë shtëpi nuk rri në këmbë.
Unë jam pjesë e gjeneratës së dytë, asaj që u rrit në mes të dy botëve: sakrificës së tyre dhe ëndrrave tona. Kur erdha në Gjermani para luftës, në vitet ’90, nuk kisha asgjë të sigurt – vetëm vullnetin dhe amanetin e babait: „Mëso e puno, jeto me ndershmëri.”
Nuk ishte e lehtë.
Gjermania nuk të fal asgjë, por të jep gjithçka nëse e meriton.
Me shumë mund, me shumë net pa gjumë, e me shumë krenari të heshtur – mbarova studimet, magjistraturën e deri në doktoraturë. Sot punoj në administratë, në institucione ku vendimet peshohen rëndë. Kur i kujtoj fillimet tona, çdo zyrë, çdo dokument, çdo arritje ka një histori të fshehtë pas saj: historinë e një njeriu që s’kishte asgjë por që punoi fort.
Pastaj erdhën fëmijët tanë – brezi i tretë.
Ata u rritën mes dy kulturave, por sot ecin krenarë në universitetet më të mira, në spitalet si Charité, në banka, institucione, në kompani të tyre. Disa prej tyre kanë doktoratura, disa kanë biznese të suksesshme, disa japin mësim në universitete.
Kur e shoh këtë brez, më zbutet zemra.
Ata janë dëshmia e gjallë se sakrifica nuk ka shkuar dëm.
Dje më telefonoi një bashkatdhetar. Djali i tij ende vetëm 27-vjeçar punon në Charité dhe po përgatit doktoraturën. Më kërkoi të bëja një raportim për media: “Si histori suksesi”, tha. Unë pranova, sepse historitë tona duhet të tregohen. Të njoftojmë botën se kush jemi, nga kemi ardhur, çfarë kemi kaluar.
Колена без болка – пробајте го ова навечер пред спиење
BoneControl
Për punën time nuk kërkoj honorar, e bëj vullnetarisht.
Nuk mund të marr para për historinë time.Nuk mund ta shes sakrificën e prindërve dhe mundin tonë.
Dua ta tregoj sepse është nder, jo pagesë. Sepse pas çdo fjale që them, unë shoh babain tim duke punuar me duar të çara.
Nganjëherë më dhemb kur shoh se në vendin tonë nuk vlerësohen profesionistët: nuk na duan si kuadro, as si votues, madje as si bashkëpunëtorë. Nganjëherë kemi përshtypjen se na duan vetëm për remitencat.Kjo plagos.Por nuk na thyen. T‘ i kujtojmë ata që dhanë edhe jetën në Luftën Çlirimtare 1998/99. Ishin nga Diaspora. LAVDI!
Sepse përtej politikës së ditës, përtej paragjykimeve, përtej padijes – ne kemi një histori që qëndron fort si malet e vendit tonë.
Kjo është historia ime.
Historia e familjes sime.Historia e tre gjeneratave që nisën nga asgjëja dhe arritën te doktoraturat, te integrimi, te suksesi.
Dhe e them me plot zemër:
Ne jemi dëshmia që një popull i vogël, me shumë dhimbje, por me shumë shpirt, mund të arrijë larg – shumë larg – kur i jepet një mundësi.
PS: Sa për fjalën e rënd që përdora në fillim – e kuptoj që buron nga zhgënjimi, nga lodhja prej paragjykimeve dhe nga mungesa e vlerësimit. Kur njeriu sheh gjithë atë mund që është bërë nga tri gjenerata, është e dhimbshme të përballesh me njerëz apo institucione që nuk duan të hapin mendjen.
Fjala “hajvan” është një fjalë e huazuar nga turqishtja (hayvan) dhe në origjinal do të thotë kafshë.
Në shqip, sidomos në bisedën e përditshme, përdoret si fyerje me kuptimin:
* njeri i paditur
* njeri që sillet pa mend
* njeri i pakulturuar / i pacipë
* njeri që nuk ka sjellje të arsyeshme
Pra, është një etiketë ofenduese që i vihet dikujt për ta nënçmuar. 🧐😟 @Highlight
