Provat e tmerrshme, presidenti serb nën hetim për vrasje gjatë rrethimit të Sarajevës: Dënim me burg përjetë ose…
Akuzat e fundit të ngritura ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me të ashtuquajturin “Safari i Snajperave”, kanë shkaktuar reagime të shumta brenda dhe jashtë rajonit.
Pretendimet se zyrtarë të lartë serbë kanë lejuar ose kanë qenë pjesë e aktiviteteve ku civilët në Sarajevë janë shndërruar në objektiva të një “gjuetie” makabre, kanë hapur debate të reja për përgjegjësinë individuale dhe shtetërore të Serbisë për krimet e luftës. Në këtë kontekst lindin pyetje të rëndësishme jo vetëm për bazën faktike të këtyre akuzave, por edhe për mundësinë juridike që një president serb të mbajë përgjegjësi para drejtësisë ndërkombëtare.
Pikërisht për të sqaruar këtë dimension historik, politik dhe ligjor, gazeta “Bota sot” ka kërkuar prononcim nga profesori Enver Bytyçi.
ImageProf. Dr. Enver Bytyçi
Profesori thekson se një sërë mediash ndërkombëtare dhe rajonale kanë raportuar akuza të rënda që lidhen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, këto media – përfshirë The Telegraph në Britaninë e Madhe, si edhe disa platforma gjermane, franceze, sllovene e kroate – kanë publikuar shkrime që e lidhin Vuçiqin me të ashtuquajturin “Safari i Snajperëve” gjatë viteve 1993–1994, në kohën e rrethimit të Sarajevës.
“Mediet bëjnë me dije se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, jo vetëm ka predikuar dhunën e terrorit për të ‘vrarë 100 muslimanë’, porse ai ka qenë pjesë e turneut turistik të luftës të quajtur ‘Safari i Snajperëve’! Nuk janë thjesht mediet në gjuhën shqipe ato që akuzojnë kreun e shtetit serb për përfshirje në akt terrori, duke vrarë njerëz të pafajshëm, madje fëmijë boshnjakë gjatë luftës së viteve 1992–1996. Janë gjithashtu mediet ndërkombëtare që flasin dhe shkruajnë për këtë akt të paprecedentë në historinë e luftërave moderne. P.sh., The Telegraph i Britanisë së Madhe, mediet gjermane, franceze, e sidomos ato sllovene e kroate. Mediet në gjuhën shqipe ishin pasuese të këtyre akuzave.
Këto media konfirmojnë se Aleksandar Vuçiq në vitin 1993–1994, gjatë rrethimit të Sarajevës, ka vepruar si snajperist për vrasjen e muslimanëve boshnjakë në Sarajevë. Gjatë asaj kohe, kryeqyteti boshnjak ishte i rrethuar nga snajperistët serbë, dhe siç provohet tani, këta snajperistë ftuan e paguan edhe turistë të huaj evropianë, sidomos italianë, si dhe rusë e amerikanë, me qëllim që ata të vinin në rrethinat e Sarajevës e të argëtoheshin me shenjimin e kokave dhe trupave njerëzorë si objekt qitjeje.
Fillimisht këtë lloj investigimi e kishte nisur gazetari kroat Domagoj Margetiq. Ishte ky gazetar që raportoi i pari faktin tragjik të turizmit të vrasësve dhe pjesëmarrjen e Aleksandar Vuçiq në varrezat hebreje në periferi të Sarajevës si vend pozicionimi për të vrarë nga distanca qytetarët muslimanë të Sarajevës. Asokohe Vuçiq ishte një nga figurat kryesore të partisë fashiste të Shejshelit dhe veproi si paramilitar i kësaj partie. Për këto merita, si dhe për fjalimin e njohur tashmë në parlamentin e Serbisë për vrasjen e 100 muslimanëve në hakmarrje për vrasjen e një serbi nga ana e tyre, Vuçiq u bë lideri kryesor i partisë nacionalshoviniste të Shejshelit.
Mesa duket, Vuçiq ishte i frymëzuar dhe motivohej nga krimineli i dënuar në Hagë, Vojisllav Shejshel, sa i përket kontributit të tij për të vrarë dhe masakruar popujt fqinjë jo serbë në emër të Serbisë së Madhe. Shejsheli shkruante në vitin 1995 në revistën NIN të Beogradit se do të duhej që “Serbia të paguante për t’i injektuar liderët politikë të Kosovës që vizitonin Perëndimin me virusin e SIDAS dhe kur ata të ktheheshin në Prishtinë kjo të bëhej publike e të diskreditoheshin”! Bota duhet të kuptojë se me çfarë monstrash kishte të bënte Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina në kohën e luftrave të fundit ballkanike brenda ish-Federatës Jugosllave”, deklaron ai.
Profesori shprehet se akuzat që po qarkullojnë në media ndërkombëtare paraqesin një tablo tepër të rëndë lidhur me rolin e mundshëm të Aleksandar Vuçiqit gjatë luftës në Bosnje. Sipas tij, gazetari kroat Domagoj Margetiq ka dorëzuar një ankesë zyrtare pranë prokurorëve italianë, të cilët tashmë kanë nisur hetimet për pretendimet se qytetarë italianë, rusë dhe amerikanë mund të kenë marrë pjesë në të ashtuquajturin “Safari i Snajperëve”.
Margetiq thotë se ka vënë në dispozicion të hetimit të gjitha informacionet që pretendon se lidhen me pjesëmarrjen e Vuçiqit në këto ngjarje, përfshirë video, fotografi, materiale audio dhe dokumentacion mediatik të kohës së luftës.
“Fantazia e Vuçiqit është aq e frikshme sa të jetë aktiv në vrasje civilësh, duke i marrë në shenjë. Cinizmi i tij shkon në kufijtë e cinizmit të nazistëve që morën pjesë në Holokaustin anti-hebre. Dhe është interesant se këtë monstër Serbia e promovoi në vitin 2012 si kryeministër e pastaj si president të vendit, funksion të cilin e kryen edhe sot. Margetiq ka paraqitur një ankesë kundër presidentit serb te prokurorët italianë, të cilët tashmë po hetojnë akuzat se italianët, rusët dhe amerikanët morën pjesë në ‘Safari i Snajperëve njerëzorë’ gjatë konfliktit. Ai thotë edhe se ka informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e tij në lidhje me lidhjen e Aleksandar Vuçiq me safarin njerëzor në Sarajevën e kohës së luftës. Në këto prova përfshihen video, dokumentacion fotografik, audio dhe dokumentacion mediatik i kohës kur janë kryer krime të tilla”, ka nënvizuar ai.
Bytyçi ka treguar se Presidenti i Serbisë i ka kundërshtuar akuza të tilla, por pyetjet enigmë lidhen me faktin se pse BE dhe SHBA lejuan që një kriminel si Aleksandar Vuçiq të vinte në krye të shtetit të Serbisë.
“Madje pse e promovuan dhe e mbështetën deri më sot atë?! Po ashtu një enigmë tjetër lidhet me atë se si ndjehet sot kryeministri i Shqipërisë me veprat kriminale të ‘vëllait të tij binjak’ në Beograd?! Ndërsa pyetja një milion dollarëshe do të ishte: ‘Pse këto fakte dalin në këtë periudhë? A është shantazhuar vazhdimisht Vuçiq me këto të dhëna e prova? Dhe çfarë paralajmërojnë për fatin e kreut të shtetit të Serbisë këto prova? A mos ndoshta karma kthehet? Pra ajo që Vuçiq përgatiti me akuzat kundër UÇK-së, sidomos për shtëpinë e verdhë dhe trafikimin e organeve, po kthehet si hakmarrje për këtë makiavelsit të kohëve më moderne?’”, ka potencuar Bytyçi.
Për profesorin, është shumë i qartë fakti se Vuçiq po ndëshkohet për pabesitë e tij, më shumë sesa për qëndrimet e tij radikale, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ndëshkimi me këto akuza është i qartë. Dënim me burg përjetë ose për një kohë shumë të gjatë. Ndoshta është kjo edhe një mjet presioni për t’i marrë atij në këmbim lëshime dhe kompromise për të garantuar sigurinë rajonale e europiane. Por është e vështirë të thuhet se kjo do të ndodhë. Atij ende nuk iu ka shëruar as dora e djathtë, as mendja. Ka mundësi që beson se nuk ka prova për akuzë. Por Sonja Biserko thotë se praninë e tij në ‘Safari i Snajperëve’ Vuçiq e ka pranuar vetë. Tani djalli ka dalë nga shishja dhe presidentit të Serbisë i duhet të bëhet gati të përballet me ndëshkimin ligjor të merituar!”, ka nënvizuar ai.
