Kryetar pa rivalë: Gashi rrëfen problemet që e ndjekin PDK-në dhe dy gjërat që mund të ofrojë Hamza
Pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë kundër kandidat, Bedri Hamza, u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, të hënën.
Hamza pas zgjedhjes ka premtuar se do të forcojë strukturat qendrore e lokale të partisë.
Ai ka thënë se tashmë ka një përgjegjësi të madhe, duke shtuar se këtë detyrë e pranon me nder dhe përkushtim të plotë.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Ju falënderoj për drejtimin e ri që i dhatë partisë sonë. PDK vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët. Kosova ka nevojë për vizion të qartë. Do e hapim partinë për çdo qytetar që dëshiron të kontribuojë, do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit. Zotimet do i mbajmë deri në fund. Sot ndërtojmë, nderojmë të kaluarën e jemi të përgjegjshëm për të ardhmen. Faleminderit të gjithëve për gjithçka që keni bërë e që bëjmë së bashku, vazhdojmë së bashku pa u ndalur drejt fitoreve të reja”- ka thënë ai.
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se kthimi i Hamzës në krye të PDK-së është më shumë reflektim i krizës së brendshme të partisë, sesa i ndonjë reformimi real.
Ai e konsideron Hamzën zgjidhje “të duhur” vetëm në sensin se është opsioni i vetëm i mbetur për ta shmangur zbërthimin total të partisë.
“ Kthimi i Bedri Hamzës në krye të PDK-së është më shumë reflektim i krizës së brendshme të partisë sesa i ndonjë reformimi real. PDK-ja nuk po rikthehet tek Hamza sepse ai është figura transformuese, por sepse nuk ka më asnjë figurë tjetër që mund të mbajë peshën e një partie të konsumuar nga e kaluara e vet. Në këtë kuptim, Hamza është zgjidhje e “duhur” vetëm në sensin se është i vetmi opsion i mbetur për ta shmangur zbërthimin total të partisë. Në mënyrë paradoksale, kthimi i tij tregon edhe frikën e PDK-së nga riformësimi i vërtetë: ajo zgjedh stabilitetin e rutinës, jo guximin e katarsisit. Pra, Hamza është një lloj rikthimi në një epokë teknokratësh. e jo nē një epokë reformatorësh. Dhe ky fakt e bën problemin e PDK-së më shumë mbijetesë institucionale sesa ringritje politike”, deklaron Gashi.
Në anën tjetër, bashkëpartiaku i Bedri Hamzës, Enver Hoxhaj nuk është ndarë aq “i kënaqur” me Konventën e PDK-së.
“Unë nuk e kam ndërmend të flas gjatë. Konventa e PDK-së ka qenë çdoherë ngjarje e madhe për Kosovën, por kur në Konventë janë zgjedhë personalitete e figura historike si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, i ka dhënë drejtim edhe vendit edhe pavarësisë e shtetformimit të Kosovës” , ka thënë Hoxhaj në fjalim të tij.
Hoxhaj u shpreh se ka pasur dëshirë që kjo Konventë meqë nuk mund të jetë historike, meqenëse s’i kemi liderët e mëdhenj, të jetë demokratike.
Ai përsëiriti se kërkesë e tij ka qenë të shtyhej Konventa për një javë.
“Unë mendoj që mes kohës dhe kualitetit, duhet të vendosim për kualitetin dhe kualiteti i garës do bëhej nëse është proces demokratik, nëse marrin pjesë më shumë se disa kandidatë në zgjedhje. Ne si PDK edhe kemi qeverisur, edhe kemi shkuar në zgjedhje të brendshme, edhe kemi shkuar në zgjedhje nacionale dhe asnjëherë nuk ka qenë problem një javë më shumë apo më pak. E di që ka rregullore e statute të partisë por ajo që duhet ta keni parasysh është që në momente të caktuara t’ i thirremi ndërgjegjes sonë. Çfarë dua të them nuk është personale por parimore e politike. Falënderoj kryetarin z. Krasniqi për udhëheqjen e PDK-së, por në mënyrën se si janë shpallur zgjedhjet e në konferencën e parë ka mbështetur një kandidat, si i ka ftuar disa kryetarë degësh dhe u ka thënë preferencën e tyre, e ka bërë garën të mbyllur dhe mendoj që gara nuk është demokratike” – tha Hoxhaj.
“Kam menduar që është shumë e rëndësishme që me të gjithë juve të flasim për platformën, ekipin e të kemi ballafaqim idesh brenda një jave e pastaj ta mbajmë Konventën e PDK-së. Kjo nuk është personale por ka të bëj edhe me faktin që mbrëmë jam takuar me zotëriun Bedri Hamza sepse jemi miq. Kam kërkuar prej Bedriut që ne si gjeneratë e artë e Hashimit e Kadrisë, kemi kapacitet që të merremi vesh edhe si me udhëheq e me mbajtë Konventën pas një jave. E kam pyetur se do të ketë Konventë për kryeministër tha po. I thash e shtyjmë, e bëjmë konventën për kandidat për kryeministër dhe ai bëhet edhe kryetar i partisë. Kam ndërmend të them që PDK ka nevojë për vizion të ri, rrëfim të ri. Kam pritur që kjo Konventë ma jep besimin dhe jo të bëjmë luftë për karrige sepse para katër vitesh kur e mora PDK si amanet nuk garova e hapa rrugën për Memli Krasniqin. Nuk shoh kushte të barabarta dhe si i tillë nuk marr pjesë në këtë garë, por e respektoj mendimin e juaj e qëndrimin e juaj. Mbi të gjitha e dua Kosovës, tani e dua UÇK-në, tani PDK e tani Hashimin e Kadrinë e pastaj juve që jeni në këtë sallë. Këtë që po e them sot besoj ju bie ndërmend nesër” – ka theksuar Hoxhaj.
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se në një parti ku zgjedhjet zhvillohen me një kandidat të vetëm, demokracia shndërrohet në dekor.
Ai thotë nëse askush tjetër nuk kandidon, janë dy probleme.
“Krejt sinqerisht, në një parti ku zgjedhjet zhvillohen me një kandidat të vetëm, demokracia shndërrohet në njē dekor, apo më një fasadë që i jep procesit pamje të rregullt, ndërsa substanca mbetet monolite. Nëse askush tjetër nuk kandidon, kemi dy probleme : 1. Frikë nga gara e brendshme, që është identike me frikën nga demokratizimi i vërtetë. 2. Marrëveshje paraprake të mbyllura, që e kthejnë procesin në formalitet ceremonial. Në të dyja rastet, legjitimiteti mbetet relativ dhe i kontestueshëm. PDK-ja e dëmton vetveten pikërisht në momentin kur përpiqet të krijojë përshtypjen e rinovimit. Sepse rinovimi pa alternativë është oksimoron politik — një reformë e paralajmëruar, por e frenuar që në lindje”, deklaron Gashi.
ImageLirim GashiFoto galeri
Në anën tjetër, kryetari i ri i PDK-së kishte folur edhe për zgjedhje të parakohshme dhe rikonceptim të programit të tyre, i pyetur për pritjet e kursit të ri të PDK-së nën drejtimin e Hamzës, Gashi thotë, se ai është menaxher i mire financiar, por nuk është inxhineri i kulturës politike të partisë.
Ai thotë se problemet esenciale nuk preken, atëherë çdo “program i ri” mbetet një vazhdim i politikës dhe retorikës së vjetër.
“Pritjet reale duhet të jenë më modeste sesa retorika e PDK-së. Hamza është një menaxher i mirë financiar, por nuk është inxhinier i kulturës politike të partisë. Ai nuk më duket si dikush që mund ta shkëpusë PDK-në nga trashëgimia e saj problematike si kapja e shtetit, aferat korruptive, nepotizmi dhe strukturat e vjetra. Dhe nëse këto probleme esenciale nuk preken, atëherë çdo “program i ri” mbetet një vazhdim i politikes dhe retorikes sē vjetër. Sidoqoftë, ai mund të sjellë dy gjëra: 1. Stabilitet të brendshëm — një qetësi teknike që i duhej PDK-së për të mos u shpartalluar. 2. Ton më institucional në opozitë, në kontrast me retorikën shpesh destruktive të figurave të tjera brenda partisë. Por “kurs i ri” kërkon dy gjëra që Hamza nuk i ka në dorë: Distancimin moral nga e kaluara, dhe guximin për ta çmontuar mekanizmin e vjetër të interesave të partisë. Nëse këto mungojnë, PDK-ja me Hamzën mund të bëhet më e qetë, më e menaxhuar, por jo domosdoshmërisht më e drejtë, më e pastër apo më vizionare..”, përfundon opinionisti.
