TË FUNDIT

Si e bllokojnë buxhetin dhe shtetin njerëzit që s’kanë karakter, mëshirë dhe turp?

Ka raste kur njeriu nxitohet jo nga e vërteta, por nga zakoni për ta fshehur atë. Kështu u ngut edhe Lumir Abdixhiku kur deklaroi me seriozitet prej aktori të lodhur se “nuk shkon në Kuvend për teatër”. Ironikisht, pikërisht aty ku ai refuzoi dje të ulej, po luhej drama e tij e preferuar, “Bllokimi”.

Le ta kthejmë filmin pas në vitin 2020.

Qeveria Hoti — e paligjshme me aktvendim të Gjykatës Kushtetuese — propozoi buxhetin. Lëvizja Vetëvendosje nuk e bllokoi. Sepse shteti nuk mbahet me inate, por me përgjegjësi.

E ligjshme apo e paligjshme, vetëm qeveria mund ta propozojë buxhetin. Dhe vetëm një opozitë e përgjegjshme e di se pagat e mësuesve, infermierëve, zjarrfikësve dhe administratës nuk janë skenografi teatri.

Qeveria Hoti nuk ishte teatër — teatri të paktën është art. Ajo ishte një gabim juridik në zbatim, por u tolerua për hir të funksionimit të shtetit.

“Edhe kur fqinji i padëshiruar të vjen në shtëpi, nuk ia fik asnjë sekondë dritën, sepse mbetesh bashkë me të në terr .” – thotë populli.

Sot, nuk ka asnjë mjegull dhe asnjë dyshim: bllokuesit njihen me emër e mbiemër dhe ecin në formacion të rregullt si ushtri e koordinuar.

Lumiri e bllokon buxhetin në Kuvend.

Përparimi e çon në Gjykatë Kushtetuese mungesën e buxhetit për Prishtinën.

Labani e vonon vendimin në Kushtetuese, siç i ka vonuar edhe shumë ligje të tjera, madje edhe vetë funksionimin e Kuvendit për gati gjysmë viti pas zgjedhjeve.

Kjo nuk është rastësi. Kjo është gjeometri politike.

Trekëndëshi i Bermudës nuk është më në oqean. Është zhvendosur në Prishtinë.

Në atë trekëndësh humbasin buxheti, ligjet, shteti… dhe bashkë me to, përgjegjësia morale.

KOORDINIMI KUNDËR SHTETIT, JO KUNDËR KRIMIT :

Hikmete Spikerica, e tha bukur:

“Opozita “nuk është e përçarë”.

Jo, assesi. Përçarja kërkon ide. Këta janë të bashkuar në mungesë idesh.

Të bashkuar në bllokim.

Të bashkuar kundër Albin Kurtit dhe kundër Vetëvendosjes.

Por kurrë kundër Listës Serbe. Kurrë kundër strukturave kriminale në veri. Kurrë kundër atyre që e kanë vënë Kosovën në provë historike.

Për ta bllokuar shtetin janë të sinkronizuar si orët zvicerane.

Për ta zbatuar ligjin në veri, sillen si orët nga rëra që s’dinë kurrë nga cila anë e botës lind dielli.

Populli ka një fjalë:

“Ai që çan trungun e vet, i bie sëpata në këmbë.”

Dhe sot, opozita po e çan trungun e Kosovës me një dëshirë të çuditshme për ta parë shtetin të dobët, vetëm që vetë të duket pak më e rëndësishme.

Por politika nuk është garë inatesh. Në fund të ditës, fëmijët e këtij vendi nuk hanë retorikë. Administrata nuk paguhet me fyerje. Bizneset nuk mbijetojnë me kalkulime personale.

Po, sot opozita është e bashkuar. Por jo si forcë demokratike.

Ajo është e bashkuar për ta bllokuar Kosovën, për ta dobësuar shtetin, për ta kthyer pas zhvillimin dhe për t’ia ngulur gozhdat në rrota qeverisë së Albin Kurtit, vetëm pse nuk mund ta mund me vota.

Dhe kështu, me vetëdije apo jo, liderucët e opozitës sonë sot e dëshmojnë një të vërtetë të lashtë shqiptare:

“Kur i prish muret dhe shtyllat e shtëpisë sate, mos prit të mbetesh me çati.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *