Haradinaj përmendi autostradat, reagon Durmishi: I kanë mbetë merak, zgjedhjet e reja s`do ta kaloni pragun
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka akuzuar Qeverinë Kurti për mos përfundimin e projekteve infrastrukturore, duke përmendur rrugën për Mitrovicë, Gjilan, Pejë e Gjakovë.
E pas kësaj deklarate ka reaguar ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi.
Në një postim në Facebook, Durmishi u shpreh se “I kanë mbetë merak Ramushit puna e autostradave”.
“Aq shumë merak i keni pasur autostradat, sa që prej asaj kohe keni dënime e aktakuza për keqpërdorim e korrupsion. Për Mitrovicë rruga veç po përfundon. Për Pejë i kemi nënshkruar kontratat 150 milion euro më lirë se ç’i kishit planifikuar ju, nga 240 milion, tash po bëhet për më pak se 90 milion euro. Problemet që na i keni lënë ju po e ngadalësojnë rrugën për Gjakovë, por tash do të kryhet me procedura të rregullta ligjore, jo me improvizime dhe abuzime”, ka shkruar Durmishi.
Madje Durmishi tha se në zgjedhjet e reja AAK nuk do ta kaloj pragun.
“Nuk e votuat qeverinë që kështu do të mbeteshit në opozitë, por megjithatë do të ishit në kuvend. Tash, Kuvendin e Kosovës, mund ta shihni vetëm në TV sepse jeni larg nga pragu”, shkroi Durmishi.
