OPINIONTË FUNDIT

Dështimi i Konjufcës ndez skenën politike – Halilaj akuzon opozitën për bllokadë të qëllimshme

Mandatari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka dështuar sërish në përpjekjen për të formuar Qeverinë e re të Kosovës. Kabineti i propozuar prej tij mori vetëm 56 vota për, 53 kundër dhe katër abstenime, duke mos arritur shumicën e nevojshme.

Me këtë dështim të dytë radhazi, sipas Kushtetutës, Kosova i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Avokati dhe anëtari i Guxo-s, Gazmend Halilaj, e ka quajtur dështimin e Glauk Konjufcës për të formuar Qeverinë si rezultat të një bllokade të qëllimshme nga opozita.

Ai tha se partitë opozitare po veprojnë për interesa partiake, duke prolonguar krizën politike dhe duke shmangur përballjen me zgjedhjet.

“Mosarritja e z. Glauk Konjufca për të siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re nuk është pasojë e mungesës së legjitimitetit të LVV-së, por pasojë e një bllokade të qëllimshme nga partitë opozitare, të cilat ditëve të fundit po veprojnë më shumë në funksion të kalkulimeve të tyre partiake sesa në interes të qytetarëve.

Si avokat dhe si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje, këtë lëvizje të opozitës e shoh si një tentim për ta prolonguar krizën politike, me shpresën se përmes presionit institucional do të rrisin peshën e tyre negocuese ose do të shmangin ballafaqimin me vullnetin e qytetarit në zgjedhje”, thotë ai.

Sipas Halilajt, ky veprim i opozitës jo vetëm që nuk i shërben stabilitetit politik, por e dëshmon qartë se bllokimi i institucioneve po bëhet për interesa të ngushta të partive të vjetra.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca e vetme që po përpiqet të ndërtojë institucione të qëndrueshme, ndërsa kundërshtarët politikë veprojnë ndryshe sa herë që nuk janë pjesë e pushtetit.

“Ky veprim nuk i kontribuon as stabilitetit, as demokracisë. Përkundrazi, ai e tregoi edhe një herë se LVV mbetet forca e vetme që kërkon të ndërtojë institucione të qëndrueshme, ndërsa të tjerët përpiqen t’i bllokojnë ato sa herë që nuk janë pjesë e pushtetit.

Në skenën politike, ky dështim do të prodhojë një efekt të qartë:

-do të mobilizojë edhe më shumë elektoratin e LVV-së, i cili po e sheh me sy të lirë se bllokada nuk po vjen nga mungesa e kapacitetit të Lëvizjes, por nga frika e partive të vjetra përballë ndryshimit.

Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja – siç tashmë po duket pothuajse e pashmangshme – pres që rezultati të jetë i qartë dhe i fuqishëm:

-qytetarët do ta ndëshkojnë këtë bllokadë artificiale dhe do t’i japin LVV-së një mandat edhe më të fortë, që t’i çojë proceset përpara pa pengesa.

LVV ka treguar se ka vullnet, kapacitet dhe vizion për të qeverisur. Zgjedhjet e ardhshme do ta konfirmojnë sërish këtë vullnet qytetar, dhe do të përmbyllin një periudhë manovrimesh politike që po e dëmtojnë vendin” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *