OPINIONTË FUNDIT

Kosova do e marr vetën e zotërimit, sikur edhe nga një mandat të drejtohet me parimet e Vjosës dhe Albinit

Vështirë e kishte Kosova për ta përcaktuar rrugën e vet pas çlirimit, sepse, mbas vdekjes së profetit të themelimit të pavarësisë së saj, dr. Ibrahim Rugova, ndjehej një zbrazëti në paraqitjen e vet si shtet sovran dhe e aftë për t’u prezantuar si shtet i besueshëm, me ndjesinë e përgjegjësisë për të kryer detyrat e veta. Kjo, sepse në ballë të saj u instaluan njerëz të pa ndërgjegjshëm, që pushtetin e kuptonin si pronë të tyre për përfitime vetiake dhe klanore.

Në këto rrethana, mund të ndeshemi me rrezikun e rrëshqitjes së shtetit, të cilin e ëndërruam shekuj me radhë, dhe do të ishte një krim i pafalshëm ndaj njerëzve dhe liderëve të këtij vendi nëse sot nuk dimë ta udhëheqim dhe ta drejtojmë pushtetin dhe shtetin në shërbim të popullit dhe vendit.

Prandaj, kemi të drejtë si shoqëri demokratike të formulojmë argumente vendimtare kundër masës shkatërruese, duke u nisur nga fakti se rritja e saj prodhon defekte dhe kufizon vlerat e një populli dhe historinë e tij të lashtë e të lavdishme. Për këtë ekziston shtysa urgjente për t’i dhënë përgjigje një problemi të tillë në shoqërinë tonë.

Çdo popull i dalur nga lufta në kushte dhe rrethana të tilla ndjehet i ngarkuar; përveç gjendjes shpirtërore, ekonomike e politike, ndjen edhe krizën e ndjenjës humane kur pësojnë vlerat e tij ekzistenciale. Ai domosdo duhet të orvatet të gjejë rrugëdalje të mundshme, pa e humbur vullnetin, ose të detyrohet të largohet nga vendi i vet për të gjetur një jetë më të mirë.

Sikur në çdo shoqëri apo vend tjetër, pak sa veçanti e hasim te ne si një lloj çlirimi të brendshëm ose përpjekjeje të qëllimshme inatçare në përballje me njëri-tjetrin për pushtet. Kjo flet vetë se është konflikt interesi personal e partiak, kur lidhet me pushtetin; angazhimet e grupeve janë përqendruar në zgjidhjen e problemeve përmes formave të ndryshme kriminale, përkundër nismave të thjeshta dhe deri te ato me perceptime madhore që lidhen me integritetin dhe territorin e shtetit.

Nuk është thjesht të përgjigjesh, se pikërisht që nga qeverisja e fundit në Kosovë, duke u nisur prej këtu, do i dallojmë vlerat demokratike të këtij vendi në krahasim me zanafillën dhe vijimin e krizave të deritanishme, të cilat e ndryshuan kahen e vet. Timonin e shtetit e marrin forcat e reja demokratike, duke ndryshuar tërë imazhin e realitetit të shtetit të Kosovës.

LVV, në krye me Albin Kurtin, si një lëvizje e re por shumë refleksive, ka reflektuar vazhdimisht mbi kauzat e saj për shumë çështje madhore të vendit, duke u shndërruar në energji të reja pozitive. Energjitë e saj politike dhe strategjike do t’i shfrytëzojnë për t’i dhënë vlerë këtij vendi, ashtu sikur e meriton.

Populli i Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm, por edhe i drejtpërdrejtë në ndryshimin e jetës së vet, sepse nuk është më në gjendje të përjetojë dhe të durojë abuzime të njëpasnjëshme nga pushtetet e dobëta të deritanishme, të cilët as sot nuk ndjejnë fare përgjegjësinë për shkatërrimin e vendit, veçanërisht udhëheqja e gjatë e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, apo kualicioni PAN.

Dhe mbi të gjitha, me marrjen e pushtetit nga presidentja dr. Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, shteti i Kosovës drejtohet me një ndjenjë tjetër vigjilence dhe serioziteti, me përgjegjësinë përballë problemeve të ndryshme, duke i dhënë vetës detyra që nuk bëjnë kompromis me keqbërësit dhe ata që përpiqen të manipulojnë popullin, duke e lënë të jetojë në ankth për një të ardhme më të mirë.

Qeveria e Vjosës dhe Albinit nuk ka pasur të lehtë të veprojë dhe të mbijetojë vetëm, nëse nuk do të kishte përkrahjen dhe mbështetjen e opozitës së vendit. Duhej të nisej prej fillimit duke çkapur shtetin nga e kaluara, veçanërisht nga sistemi i drejtësisë, i cili lidhet me një zinxhir nyjesh dhe abuzimesh të pa ndërprera, që sollën Kosovën në një kolaps të rëndë në të gjitha sferat e jetës.

Sigurisht, në këtë qeverisje të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti janë vërejtur shumë gjëra pozitive, duke u përpjekur për të ruajtur mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar mbrojtjen ligjore. Qeveria ka marrë përgjegjësi pa dallim, që qytetari të ndihet i lirë dhe i sigurt në shtetin e vet.

Ndërsa ata që ndihen të shqetësuar duhet të vihen para opsionit optimist dhe marrëdhënieve të mirëkuptimit të ndërsjellë, me qëllim që populli të mos ndihet i ngarkuar vetëm nga e kaluara e hidhur, por të shpëtojë nga urrejtja patologjike dhe imazhi që cënon marrëdhëniet ndëretnike dhe më gjerë.

Këtë e tregon periudha e fundit e qeverisjes, dhe besojmë se nuk është e vështirë të kuptohet se janë bërë ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe strategjike, edhe përkundër sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, të padrejta dhe pa merita, ndërkohë që Serbia dhe grupet e saj terroriste mbeten të paprekura.

Edhe pse shumë gjëra kanë marrë kahen e kundërt, faktet e dëshmojnë ndryshimin e vërtetë, i cili lidhet jo me udhëheqjen, por me opozitën kontraverse (PDK, LDK dhe AAK), që nuk ka interes për shtetin, por për pushtetin e vet. Kur njerëzit e guximshëm dhe me vullnet të mirë synojnë ndryshime pozitive, ata pengohen dhe shantazhohen, duke i baltosur rrugën qeverisëse. Këto janë përputhur me qëndrimet e armiqve të popullit dhe vendit.

Prandaj, qeveria Kurti në detyrë dhe përfundimi i mandatit të presidentes Osmani janë të rrethuar me sfida që lidhen me vullnetin e popullit, edhe kur personalitetet e tyre shpesh etiketohen gabimisht si pjesëtarë të organizatave armiqësore. Këto qëllime opozitare nuk ndryshojnë rolin e tyre dhe as nuk do të ndryshojnë tiparet fisnike dhe guximin që ata kanë për popullin dhe shtetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *