Frika nga Kurti po i bashkon kundër tij? Bukuroca zbulon prapaskenat e opozitës – përmend edhe ‘koordinimet’ me ambasadorët!
Kosova po përballet ende me një bllokadë institucionale, derisa nuk po arrin të formojë qeverinë e re.
Partitë politike, nuk po japin sinjal për bashkëpunim, në mënyrë që të kalohet ky ngërç dhe Kosova të ketë institucione të reja.
E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli opinionisti Lis Bukuroca.
Fillimisht, ai hodhi dyshime se mosformimi i qeverisë së re dhe refuzimi që po ai bën opozita, LVV-së, lidhet me koordinimet e tyre me ambasadorët.
Sipas tij, opozita nuk dëshirojë të bashkëpunojë me Kurtin, pasi ky i fundit nuk mund të shantazhohet dhe nuk tërhiqet lehtë nga qëndrimet e tij.
“Kam përshtypjen se mosformimi i qeverisë është pasojë e koordinimeve me ambasadorët. Nëse jo, atëherë opozita tregon mungesë të vetëdijes shtetërore, sepse nuk po sillen si subjekte politike moderne, por si grupe të mbyllura, si fise, të ngujuara në pritë për të asgjësuar armikun.
Ato nuk duan bashkëpunimin institucional dhe duket se janë urdhëruar të refuzojnë. Qëllimi duket të jetë pamundësimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë, pasi Albin Kurti nuk mund të shantazhohet dhe nuk tërhiqet lehtë nga qëndrimet e tij. Meqenëse nuk është gjetur mënyrë për ta “gjunjëzuar” Kryeministrin Kurti, strategjia e fundit duket të jetë një distancim i qëllimshëm i opozitës, armiqësore dhe agresive nga çdo qeveri ku ai do të ishte në krye. Në qëndrimet e opozitës mund të lexohet leçitja e saj. Edhe shkaku”, shtjelloi opinionisti.
Krahas kësaj, Bukuroca nuk sheh sinjal se mund të dilet shpejtë nga ky ngërç, madje vlerëson se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
Ai nuk pret që ndonjë parti të pranojë koalicion me LVV-në.
“Ngërçi nuk do të tejkalohet; unë nuk shoh shenja në këtë drejtim. Pasojë e pashmangshme janë zgjedhjet. Ose Kurti fiton mbi 50%, ose opozita arrin të formojë qeveri. Opozita e sheh Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, si armik dhe jo si kundërshtar politik. Ai ka prekur ose ata besojnë se synon të prekë interesat e tyre. Ata ndihen të sulmuar në thelb, ashtu si edhe disa oligarkë apo gazetarë që kanë frikë për pasojat e veprimtarive të tyre korruptive. Kriminele. Urrejtja e tyre patologjike flet për frikën e tyre, jo për dashurinë ndaj shtetit. Sikur ta kishin dashur, nuk do ta kishin zhvatur”.
Ndër të tjera, opinionisti shtoi se, nga LDK priste më shumë bashkëpunim, por që sipas tij që nga koha e Isa Mustafës, kjo parti është shndërruar në patericë të PDK-së.
“Është normale që partitë politike të synojnë pushtetin; ato e refuzojnë këtë. Së paku LDK do të duhej të ishte më kooperative, por që nga koha e Mustafës ajo është shndërruar në patericë të PDK-së. Ajo nuk ka më identitet të vetin. Kanë vjedhur së bashku. Kanë themeluar Gjykatën e Posaçme së bashku. Janë penduar së bashku. Kanë firmosur Asociacionin së bashku. Janë penduar së bashku dhe prandaj Vuçiqi thotë: “E duam vetëm Asociacionin e firmosur me Mustafën.” Ata janë penduar për shumë vendime, por për asnjë vjedhje, jo”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
