Prof. Dr. Enver Bytyçi: Kosova ka nevojë për qeverisje: – Bëjeni ose “vdisni”!
“Nuk e duam Albin Kurtin”! Kjo ishte retorika disavjeçare e opozitarëve në Kosovë. “Albini është spiun i Serbisë”, përsërit vazhdimisht Ramushi, duke spekuluar me publikimin e faktit se Haradinaj na qenka “spiun i CIA-s”! Kjo është akuza më e rëndë. Sa shumë akuza, fyerje, shpifje, trillime, mashtrime, shumë të pavërteta dhe gjysmë të vërteta u adresuan dhe adresohen te Albin Kurti. Me këtë devizë ish-opozita bllokoi fillimisht zgjedhjen e kryeparlamentarit e më pas zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër në krye të qeverisë Kurti 3. Deshën ta shtyjnë që ai t’i shtrijë dorën ose t’i ulet në gjunjë Listës Srpska. Por Kurti refuzoi këtë alternativë, të cilën e patën përdorur edhe PDK, edhe LDK, edhe Ramushi.
Nëse Albini do të ishte spiun e Serbisë, duhet konsideruar se do t’i bindej Aleksandër Vuçiq për të bërë koalicion me Listën Srpska. Por kjo nuk ndodhi. Po të ndodhte, atëherë do thuhej se Kurti është i vetmi spiun në botë që nuk i bindet shefit të tij. Tani kandidat për kryeministër është Glauk Konjufca. Çfarë do të thonë liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në këtë rast kundër Glaukut?! Deri më sot ata nuk kanë bërë asnjë akuzë, madje asnjë kritikë kundër tij. Kësisoj si do të dilnin para opinionit publik, nëse ata nuk do ta votojnë zotin Konjufca për kryeministër? Sigurisht që për këtë hipotezë partitë ish-opozitare janë vënë në vështirësi.
Por e vetmja kundërshti duket se përmendet përmes alibisë, sipas së cilës “Mandatimi i Glauk Konjufcës është një farsë”! Sikur zoti Kurti po bën blofin në këtë rast. Të tjerë thonë marrëzinë e radhës: “Kurti nuk do të pranonte që Konjufca të sigurojë votat e deputetëve për t’u zgjedhur si kryeministër”, duke aluduar se “Në këtë rast Konjifca konfirmohet si lider i Vetëvendosjes”! Por, politika nuk funksionon kësisoj. Partinë e përfaqëson ai lider që mbështetet nga anëtarësia. Kurti është i pakonkurueshëm. Këtë e dinë të gjithë. Për pasojë nuk mund të ketë një lidhje të hamendësuar midis votave në parlament dhe të qenit lider i një subjekti politik.
Glauk Konjofca është alternativë që nuk mund të injorohet, nuk mund të kundërshtohet dhe duhet të votohet edhe nga kundërshtarët politikë në Kosovë, qoftë edhe si qeveri e pakicës, deri në marsin e vitit të ardhshëm, kur duhet votuar për postin e presidentit të Republikës. Konjufca është patatja e nxehtë në duart e ish-deputetëve opozitarë. Ndërkohë ne na kujtohen deklarimet e ndonjë opozitari, kur thoshte “Kandidoni Konjufcën si kryetar parlamenti dhe ne do ta votojmë”! Ata deputetë që kanë deklaruar kësisoj, do të bënin autogol politik, nëse tërhiqen nga vota për qeverinë e re.
Por të gjitha sa thashë më lart janë thjesht kalkulime. Kryesorja lidhet me nevojën ulëritëse që ka Kosova për t’u qeverisur në mënyrë legjitime. Deputetët e opozitës ose ish- opozitës, pra rë PDK-së, LDK-s, dhe AAK-së, kanë obligim t’i japin vendit të tyre shtetin, institucionet e tij dhe qeverinë legjitime. Nëse jo atëherë ato do të etiketohen si subjekte politike anti-shtet, d.m.th anti-Kosovë. Nuk luhet me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, siç po luajnë këto tri subjekte politike të Kosovës. Çdo refuzim i Glauk Konjufcës për kryeministër do të lexohet si përpjekje për ta shkatërruar dhe rrënuar shtetësinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dhe në fakt ky do të ishte leximi më normal, më logjik, më racional.
Mirë deri dje ata thanë se “Nuk e duam Albin Kurtin” dhe e klasifikuan luftën politike si luftë kundët kryeministrit Kurti. Po tani, kur kryeministër nuk do të jetë Kurti, por do të jetë Konjifca?! Aaaa, do të thonë kundërshtarët që nuk votojnë ose votojnë kundër, Albini është zv. Kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Atëherë, sipas tyre, është njësoj si më parë. Por kjo nuk është e vërteta. E vërteta është se kryeministri është kreu i ekzekutivit dhe Konjufca ka autoritetin integritetin dhe personalitetin e nevojshëm për të qenë në lartësinë e detyrës që i besohet.
Kush spekulon duhet të mendohet mirë. Qytetarët e Kosovës kanë intuitë politike të jashtëzakonshme. Ata dinë të dallojnë të vërtetën nga alibia e mashtrimit. Dinë të shquajnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e padrejtë. Dinë të besojnë në ata politikanë që mbrojnë interesat e Kosovës dhe të përbuzin ata që bëjnë të kundërtën. Nëse nuk votohet Konjufca dhe shkohet në zgjedhje, përfundimisht narrativa e Kurtit, se ish-partitë opozitare kanë një lloj konspiracioni me ndikime nga Lista Srpska, do të ngjisë te elektorati i Kosovës dhe rezultati do të jetë qartazi në favor të lidershipit absolut të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo.
Prandaj PDK, LDK dhe AAK nuk kanë alternativë. – Ose duhet ta votojnë Glauk Konjufcën, ose duhet të shkojnë në thertoren e humbjes elektorale! Kosova ka nevojë për qeveri dhe për qeverisje. – Bëjeni ose “vdisni”!
