LDK në udhëkryq: Humbjet, dorëheqjet dhe lufta për ri ngritje
Lidhja Demokratike e Kosovës në balotazhin e 9 nëntorit ka humbur dy komuna të rëndësishme që u konsideruan bastione të saja.
Fushë Kosova e cila u udhëhoq nga Lidhja Demokratike e Kosovës për 25 vjet, tashmë do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas rezultateve të KQZ-së, Valon Prebreza i LVV-së, ka arritur të fitojë 54, 99 %, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së, 45.01 %.
Osmani kishte uruar Prebrezën përmes një shkrimi në Facebook, gjersa falënderoi edhe votuesit e tij.
Ai u shpreh mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin e qytetarëve votues.
“Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush që më qëndroi pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione.
Kjo garë ishte më shumë se një proces zgjedhor – ishte një udhëtim bashkë me njerëzit që duan përparim dhe më shumë dashuri për komunën tonë.
Edhe pse nuk arrita të fitoj për ta udhëhequr Fushë Kosovën, ndihem thellësisht mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin tuaj të sinqertë.
Jam krenar për çdo aktivist, çdo familje dhe çdo qytetar që kontribuoi me shpirt e zemër.
Uroj me sinqeritet fituesit e zgjedhjeve – me dëshirën që të punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate që do t’i ndiejnë qytetarët në përditshmërinë e tyre”, ka shkruar Osmani.
Edhe Obiliqi u humb nga LDK-ja dhe tashmë do të qeveriset nga Halil Thaçi i LVV-së.
Xhafer Gashi nga LDK përmes një shkrimi në Facebook, mori përsipër përgjegjësinë për humbjen dhe dha dorëheqje nga të gjitha funksionet e partisë.
“Falënderoj secilin prej juve edhe shumë të tjerë që s’janë prezentë këtu. Meqenëse jemi mundu me organizu, ndoshta nuk ia kemi dalë për arsye se dikun na kanë vjedhë. Unë si kryetar i degës së LDK-së në Obiliq, e marr përgjegjësinë për humbjen dhe jap dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm, nga kryesia e Lidhjes Demokratike dhe nga kryetar i nëndegës”’, ka thënë ai.
Por, dorëheqja e tij nuk u pranua nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se humbjet sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik.
Kam refuzuar sot dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Obiliq.
“Humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, ku qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme.
Katër vite më parë LDK në Obiliq ishte një parti me vetëm 10%. Gjatë rrugës u bashkuam me Xhafer Gashin, por nuk arritem bashkë ta bashkojmë shumicën e Obiliqit me ne. Gjithsesi, sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka.
Xhaferi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive. Ai është njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij. Në këto vite, ai i ka dhënë Obiliqit drejtim, dinjitet dhe stabilitet; në një komunë që ka parë shumë sfida. Sot, më shumë se kurrë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për njerëz të tillë, me karakter, me vizion dhe me besim në vlera.
Prandaj, e kam rikonfirmuar Xhafer Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degë të Obiliqit, ashtu edhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm. Sepse LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, LDK di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet”, kishte shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku nuk e kishte pranuar dorëheqjen e Gashit, por pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së, vëmendja shkoi për dorëheqjen e vetë Abdixhikut, pas rezultateve zgjedhore.
Njohësit e politikës thonë se duhet marrja e përgjegjësisë nga partia dhe reflektim. Sipas tyre, LDK nuk është freskuar dhe mbajtja në kryesi ‘pleqtë’ nuk është në frymë rugoviane.
LDK humbëse apo fituese?
Analisti politik Skënder Zogaj thotë se LDK ka dalë e fituar në këto zgjedhje, kjo për shkak të fitores morale.
Duke përmendur rastin në Obiliq, ai konsideron se kandidati tregoi integritet moral e politik duke pranuar dorëheqjen në shenjë të përgjegjësisë personale.
“Në zgjedhjet e fundit lokale, LDK edhe pse i ka humbur dy bastionet e saj më militante, ka dalë e fituar, sepse, krahas fitoreve reale zgjedhure, shpesh edhe më të rëndësishme janë fitoret morale, ato të pastrimit të zhgënjyerit të akumuluar për shumë vjet në radhët e partisë historike, që është LD e Kosovës! Sa i përket humbjes së LDK-s në Obiliq nuk jam mirë i informuar për gjendjen e degës prandaj edhe nuk mund të flas për arsyet e humbjes, por, them se, kryetar dhe kandidati për Kryetar, është një figurë me integritet moral e politik, që edhe e tregoi, menjëherë pas humbjes duke dhënë dorëheqje në shenjë të përgjegjësisë personale. Mirëpo, krejt ndryshe qëndron rasti i Komunës së Fushë Kosovës, ku ka vite që LDK-ja ka pësuar një degjenerim të skajshëm, sepse në strukturat partiake janë grumbulluar anti-LDK-istë dhe injorantë nën kupolën e Kuvendit Komunal, nga ku janë në hetim disa nga zyrtarët më të lartë, për keqpërdorime të llojit të organizuar të krimit dhe korrupsionit të organizuar!”, deklaron Zogaj.
ImageAnalisti politik Skënder ZogajFoto galeri
Ai kritikon LDK-në në Fushë Kosovë, gjersa thotë se Abdixhiku nuk duhet të tolerojë këtë.
Sipas tij, Abdixhiku ka proklamuar “Rrugën e re”, pa riparime programore, por “freskimi i Kryesisë me pleq, është mashtrim dhe i papranueshëm për konceptin rugovian.
“ Banda komunale e dalë nga LDK-ja në Fushë Kosovë, i ka irrituar qytetarët e veçanërisht elektoratin e LDK-s, prandaj, edhe pse Besnik Osmani ishte një kandidat i mirë, e pësoi nga puna e keqe e para ardhësit të tij, që ishte e pakalueshme dhe, humbja ishte e pritur dhe e merituar! Dega e LDK-së në Fushë Kosovë është inekzistente, e tëra jo legjitime, sepse është e sajuar sipas emërimit nga “kodishë” kështu që nëse nuk ndryshohet rrënjësisht, nga këto zgjedhje e ka fundin. Reflektimet duhet të ndodhin nga kreu qendror i LDK-s, sepse, nëse e neglizhon situatën, metastazimi shkon kah “zemra” dhe pasojat janë të pasanueshme! Këtë nuk guxon ta toleroj personalisht, Lumir Abdixhiku, sepse, ende e ka “zogun” në dorë – ka fituar në Kryeqendrën e Kosovës dhe 6 komuna tjera me votën e rreth 600 mijë votuesve, që e nxjerrin LDK-në më të votuarën në Kosovë. Abdixhiku e ka proklamuar “Rrugën e re” pa riparime programore! “Freskimi” i Kryesisë me pleq (si Alush Gashi) është mashtrim dhe i papranueshëm për konceptin rugovian. Anëtarësia e devotshme nuk do të mund të manipulohet si në dekadën e fundit!”, shprehet analisti.
Mbi 430.000 qytetarë votuan për herë të dytë të dielën e 9 nëntorit në 18 komunat e Kosovës, ku u zhvillua gara e balotazhit.
Ndërsa, sipas raportimeve, përqindja e votuesve në Fushë Kosovë ka qenë 37.21 për qind, ndërsa në Obiliq 48.97 për qind.
Humbje pa rastësi dhe ringritja e LDK-së
Avokati Gazmend Halilaj, thotë se se humbjet e LDK-së në Obliqi dhe Fushë Kosovë nuk janë të rastësishme.
Sipas tij, nuk do të ketë reflektim të vërtetë brenda LDK-së, pas humbjeve.
“Rezultatet e zgjedhjeve lokale kanë nxjerrë në pah një realitet të pakontestueshëm politik: LDK ka humbur dy prej komunave më simbolike dhe më strategjike për të – Obiliqin dhe, sidomos, Fushë Kosovën, e cila për dekada është konsideruar bastion i saj tradicional. Këto humbje nuk janë të rastësishme dhe nuk mund të relativizohen me retorikë apo me interpretime të momentit; ato janë pasqyrim i qartë i shkëputjes së kësaj partie nga elektorati i saj dhe nga realiteti politik në terren. Në këtë situatë, shtrohet një pyetje e thjeshtë, por thelbësore: A do të ketë reflektim të vërtetë brenda LDK-së? Jo reflektim formal, jo deklarativ, por reflektim të thellë – të ngjashëm me proceset që tashmë po zhvillohen brenda PDK-së – duke përfshirë edhe çështjen e përgjegjësisë politike në nivel të kryetarit dhe kryesisë”, deklaron Halilaj.
ImageAvokati Gazmend HalilajFoto galeri
Sipas tij, nuk mund të ketë ringritje nëse udhëheqja e një partie vazhdon të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur.
“Nuk mund të ketë reformë të vërtetë pa mbajtje përgjegjësie. Nuk mund të ketë ringritje, nëse udhëheqja e një partie vazhdon të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh: LDK vazhdon të shfaqet e vetëkënaqur, pavarësisht se rezultati real tregon më shumë humbje sesa fitore, më shumë rënie sesa progres. Në një skenë politike ku qytetarët po kërkojnë qeverisje të ndershme, efikase dhe të përgjegjshme – vlera të cilat po i mishëron Lëvizja Vetëvendosje – vazhdimi i qasjes së vjetër brenda LDK-së vetëm sa e thellon hendekun me votuesin. Prandaj, nëse LDK synon të mbetet relevante në politikën kosovare, reflektimi nuk është më opsion – është domosdoshmëri. Ndryshe, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë paralajmërim, por vetëm fillimi i një rënieje edhe më të thellë”, përfundon avokati.
