Konjufca pa shumicë? Opozita po e bllokon Qeverinë, por LVV del e fortë nga kriza
Mandatarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i skadon afati për formimin e Qeverisë më 19 nëntor.
Pa mbështetje nga partitë e tjera, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
AAK ka bërë të ditur përmes zëdhënësit Kushtrim Xhemaili se pas mbledhjes së Kryesisë, qëndrimi i partisë mbetet se duhet të shkohet në zgjedhje të reja dhe se nuk ka koalicion me VV.
LDK gjithashtu ka deklaruar se Konjufca nuk do të mund të formojë ekzekutivin, duke e konsideruar zgjedhjen e vetme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
PDK ka shtuar se, sipas tyre, siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur procesin nga VV do të dështojë.
Rexhepi: LVV dhe Albin Kurti dalin si palë e vetme me përgjegjësi shtetërore, ndërsa opozita shihet si grup partish të bashkuara për interesa afatshkurtra
Anëtari i Guxo, Agim Rexhepi, ka kritikuar vendimin e AAK-së, LDK-së dhe PDK-së për të mos votuar Glauk Konjufcën, duke e quajtur më shumë veprim taktik sesa strategji politike.
Ai thotë se ky unifikim opozitar nuk tregon fuqi, por mungesë alternative dhe vizioni, pasi bashkimi po bëhet vetëm kundër LVV-së, duke e bërë opozitën më reaktive se proaktive. Sipas tij, kjo situatë i favorizon pozitës.
“Qëndrimi i AAK-së, i harmonizuar me LDK-në dhe PDK-në, për të mos votuar Glauk Konjufcën nuk është reflektim i një strategjie të qartë politike, por më shumë një pozicionim taktik për t’u paraqitur të bashkuar kundër LVV-së. Ky unifikim nuk tregon forcë, por mungesë alternative ndaj agjendës së Albin Kurtit.
Sinjali politik që jep ky unifikim
Ky unifikim i opozitës dërgon sinjal se partitë opozitare nuk kanë vizion të përbashkët dhe as ofertë konkrete. Ato po bashkohen vetëm rreth “kundërshtimit” të një figure të LVV-së, duke konfirmuar se opozita është më reaktive sesa proaktive. Kjo i konvenon pozitës, e cila paraqitet më e qartë, më stabile dhe me drejtim të definueshëm politik”, thotë ai.
Tutje, Rexhepi, deklaron se në këtë situatë duket sikur opozita po e humb terrenin politik, ndërsa LVV po del më e fortë nga kriza.
Sipas tij, bllokada e opozitës shihet si mungesë ideje dhe strategjie, ndërsa qasja e Kurtit si më serioze dhe institucionale. Sa më shumë tension, aq më shumë po i shkon në favor pozitës në perceptim publik.
“Po, hendeku po rritet. Ndërsa Qeveria Kurti dhe LVV paraqiten me agjendë të qartë dhe me vullnet për funksionim institucional, opozita po zgjedh bllokadën si instrument politik. Kjo sjellje e bën opozitën të shihet si e papërgatitur për të marrë përgjegjësi, duke shtuar distancën mes saj dhe pozitës.
Rreziku për tensionim të skenës politike
Rreziku për tensionim vjen kryesisht nga opozita, e cila po kërkon zgjedhje të reja pa asnjë argument të fortë se pse vendi ka nevojë për to. Qeveria Kurti, në anën tjetër, po mban stabilitet institucional dhe po vazhdon punën. Tensioni lind kur dikush përpiqet të bllokojë proceset demokratike, jo kur institucionet kërkojnë të funksionojnë normalisht.
Përfitimi politik i pozitës
Në këtë situatë, pozita përforcohet. LVV dhe Albin Kurti dalin si palë e vetme me përgjegjësi shtetërore, ndërsa opozita shihet si grup partish të bashkuara për interesa afatshkurtra, pa vizion dhe pa ofertë për vendin. Kjo vetëm e rrit kontrastin në favor të qeverisë”, përfundon ai për “Bota sot”.
Hajdaj: PDK-LDK-AAK dhe NISMA, duan edhe më tutje të mbajnë Kosovën peng me politikat e veta të vjetra
Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, thotë se skena politike sot është e ndarë në dy blloqe dhe jo sipas ideologjisë, por sipas qasjes ndaj Kosovës.
Ai akuzon PDK-LDK-AAK-NISMËN se po mbajnë peng vendin me politika të vjetra dhe interesa klanore, duke lënë të hapur mundësinë që këto parti të ndikohen nga faktorë të jashtëm me synim eliminimin politik të Albin Kurtit.
ImageKujtim HajdajFoto galeri
“Sot si kurrë më parë po e shohim skenën politike të partive në Kosovë të radhitur në blloqe politike – nuk do t’i quaja të formacionit të djathtë apo të majtë – por thjeshtë kush si e ka trajtuar dhe po e trajton sot Kosovën dhe popullin e saj, në aspektin politik, ekonomik dhe social.
Pra, në njërën anë e kemi bllokun politik të PDK-LDK-AAK dhe NISMA, që po do edhe më tutje të mbajnë Kosovën peng me politikat e veta të vjetra, qoftë për interesa personale të klaneve përreth këtyre partive, apo për t’i shtyrë përpara disa procese ndërkombëtare që i patën lënë në gjysmë rruge në qeverisjet e Hashim Thaqit dhe Isa Mustafës.
Duke mos e përjashtuar aspak mundësinë që mbi këto parti të jetë një dorë e zgjatur qoftë që vie nga Tirana apo të ndonjë faktori tjetër të jashtëm ndërkombëtar, që për qëllim e kanë eliminimin politik të Albin Kurti.
Dhe në anën tjetër, e kemi bllokun politik LV-GUXO-ALT e që bashkë do t’i shtoja edhe përkrahjen e madhe popullore që e ka në Kosovë, forca politike këto që gjatë qeverisjes së tyre i sollën Kosovës një ndryshim të madh rrënjësor pozitiv në aspektin ekonomik e social, e sidomos në aspektin politik në raport me të arriturat që janë evidentuar në Mitrovicën Veriore, ku tanimë atje Kosova frymon e lirë dhe sovrane”, nënvizon ai.
Hajdaj thotë se raportet ndërkombëtare të LVV-Guxo-ALT janë të mira dhe se narrativa për izolim ishte propagandë e partive të vjetra.
Ai përmend vizitat e shumta ndërkombëtare dhe njohjen nga Siria si dëshmi.
Sipas tij, tensionet politike kanë filluar që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur partitë e vjetra humbën pushtetin.
“Nëse flasim për raportin e këtyre partive LV-GUXO-ALT me Bashkësinë Ndërkombëtare, edhe kjo është në nivel të kënaqshëm, anipse partitë e vjetra qeverisëse, sot opozitare, donin të krijonin përshtypjen se Kosova ndërkombëtarisht është e “izoluar si kurrë më parë”.
Por më kohën u demaskua politika e tyre mashtruese, dhe siç e keni parë, Kryeministri dhe Presidentja kanë patur vizita dhe takime të shumta bilaterale – me dhjetëra sosh – me miqtë dhe udhëheqës të shteteve tona aleate qoftë në Kosovë apo jashtë Kosove.
E si lobim i vazhdueshëm na erdhi edhe njohja nga Siria. Tash sa i përket pyetjeve tuaja për situatën e tensionuar politike në mes të këtyre dy blloqeve politike, kjo nuk është vetëm e sotit apo edhe e djeshme, daton shumë ma herët. Sidomos pas referendumit të votës popullore të 14 shkurtit 2021, kur partitë e vjetëra përfundimisht u privuan nga pushteti i korruptuar në qeverisje me Kosovën” – përmbyll ai për “Bota sot”.
