TË FUNDIT

AAK në provë të madhe / Vendimi i Haradinajt mund ta lërë jashtë parlamentit – ja parashikimi

Kosova vazhdon të jetë në një krizë institucionale, derisa edhe pas më shumë se 9 muaj nuk zgjedhjet parlamentare nuk është arritur formimi i institucioneve të reja.

Dukë parë zhvillimet e fundit, zgjedhjet e jashtëzkonshme, duken të jenë të pashmangshme, pasi asnjëra parti politike shqiptare nuk po pranon të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo që doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Derisa po diskutohet për zgjedhje të reja, së fundi kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mblodhi kryetarët e degëve, ku diskutuan dy çështje kryesore: zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet parlamentare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme, pa hyrë në asnjë koalicion parazgjedhor.

“Do të garojmë të vetëm në zgjedhje, pa koalicione. Mbetemi të hapur për zyrtarë e qytetarë që dëshirojnë të kandidojnë në listën tonë”, ka theksuar Haradinaj.

Madje, Haradinaj kërkoi të shpallen zgjedhjet e reja. Ai njoftoi se është arritur pajtueshmëri që lista e kandidatëve për deputetë të përfaqësojë gjerësisht të gjitha komunat e Kosovës.

Mirëpo, si duhet parë vendimi i Haradinajt që AAK të garojë e vetme në zgjedhjet e reja, folën analistët.

Ata u fokusan te gjasat që ka kjo parti ta kalojë pragun, pasi në zgjedhjet qendrore, ka pësuar në renie të madhe dhe si e tillë vihet në pikëpyetje mundësia që kjo parti t’i marrë votat e nevojshme për Kuvend.

Gacaferi: Haradinaj nuk bën koalicion me partitë tjera është sepse është “djegur” me Nismën

E për atë se pse Haradinaj vendosi të garojë AAK e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për “Bota sot” foli anëtari i ‘Guxo’, Luan Gacaferi.

Sipas tij, janë disa arsye pse lideri i AAK-së, refuzon të bëjë koalicion me partitë e tjera. E në këtë pikë, përmendi edhë dështimin e koalicionit të fundit me Nismën.

“Unë mendoj se arsyeja pse Haradinaj nuk bën koalicion me partitë tjera është sepse është “djegur” me Nismën. Do të thotë, Nisma i ka lënë shije të keqe; kjo është një prej arsyeve.

Arsyeja tjetër është se, siç duket, as PDK-ja e as LDK-ja nuk i kanë ofruar atë që ka kërkuar, domethënë nuk i kanë ofruar vende të sigurta në listë për deputetë – jo atij personalisht, por njerëzve të tij”, vlerësoi ai.

Krahas kësaj, foli për mundësinë e kalimit të pragut zgjedhor, e që ai kishte rezervat e tij për këtë pjesë.

Sipas tij, janë gjasat e mëdha që AAK të mos e kalojë pragun.

“Tash, a e kalon apo jo pragun, me bindje them se nuk e kalon, por si duket është pajtuar edhe ai me këtë gjë dhe prandaj ka thënë se nuk garon më dhe se dëshiron të dalë në “pension politik”. Si duket, ai po dëshiron ta marrë plotësisht partinë dhe të mos ia lërë askujt tjetër në dorë”, përfundoi Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Burjani: Nuk është parti e dëshiruar, për shkak se në këtë parti familjare sundon prijësi familjar

Kurse, edhe analisti Blerim Burjani vlerëson se, AAK e ka vështirë ta kalojë pragun, pasi sipas tij kjo nuk është parti shumë e dëshiruar dhe se koalicionet e shumta e kanë dëmtura atë.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se skena politike në Kosovë po ndahet çdo ditë e më shumë dhe si e tillë Haradinaj vështirë se mund ta gjej vetën, apo thënë më saktë ta kalojë pragun zgjedhor.

“Vështirë është të kalosh në nivel nacional. Nuk është parti e dëshiruar, për shkak se në këtë parti familjare sundon prijësi familjar. Gabimet e mëdha politike në nivelin nacional, si dhe sundimi i saj gjatë koalicionit me AAK-në, i kanë shkaktuar dëme të mëdha. Tek shumica e elektoratit të Kosovës, kjo parti njihet si “e Haradinajve”.

Herën e fundit, NISMA e kishte shpëtuar me vështirësi, dhe nëse do të hynte vetë në zgjedhje, mund të mbetej jashtë parlamentit. Skema politike në Kosovë po ndahet gjithnjë e më shumë: nga njëra anë opozita (LDK dhe PDK), dhe nga ana tjetër VV. Ramushi thotë se do ta kalojë pragun, por sipas mendimit tim, nuk ka siguri”, nënvizoi analisti.

Po ashtu, ai përmendi edhe disa periudha të vështirë, e të cilat ndikuan në dobësimin e AAK-së.

Ndërsa, përgjegjës për gjithë këtë situatë të krijuar në këtë parti, e bën Ramush Haradinajn.

“Historikisht, AAK ka pasur periudha të vështira. Dikur ekzistonte si koalicion, ndërsa tani si parti, Haradinaj e ka dobësuar AAK-në, e cila më parë përbëhej nga disa parti. Ajo ka qëndruar herë 6%, herë 7%, ndërsa tani më 9 shkurt ka vetëm 5%. Këtë herë, pa NISMËN, nuk dihet nëse do ta kalojë pragun. Përgjegjësia bie tek Ramushi.

AAK nuk ka qenë kaq dobët derisa ishte ai në krye, por tani niveli nacional ka rënë dukshëm. Ka shumë gjasa që AAK të mbetet jashtë parlamentit, që ndoshta është më mirë, sepse partitë e vogla shpesh janë të dyshuara për nepotizëm dhe korrupsion”, përfundoi Blerim Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *