Opozita do t’i mbetet besnike Listes serbe dhe Radoiçiqit
Fjala e opozitës, e dhënë publikisht, ka krijuar perceptimin se nuk do të shkojnë në veri në shenjë besnikërie, dhe sipas kësaj logjike ata kurrë nuk do ta kalojnë urën e Ibrit, asesi nëpër urat e reja. E vjetra, siç duket, do të shndërrohet në muze si objekt me konotacion antikombëtar, për hir të bllokimit të qarkullimit të automjeteve – sjellje iracionale kundrejt simbolit të urave, të cilat i bashkojnë komunitetet e jo t’i pengojnë lëvizjet e lira. Ky ishte rezultat i koncesioneve të ish-pushteteve, respektivisht të opozitës së sotme.
Populli, nisur nga e kaluara dhe e tashmja, nuk e ka besimin për t’ua dhënë votën përsëri. Këtu në SHBA e kanë një thënie interesante siç shprehen ata: “Më mashtrove herën e parë, qofsh i marrë ti. Po më mashtrove së dyti, qofsha i marrë unë.” Populli nuk e pranon marrinë për së dyti herë.
Tani, duhet të shtrohet edhe çështja e përmendores së Car Llazarit në qendër të Mitrovicës, e cila është vendosur, nëse nuk gaboj, në vitin 2016, në praninë e qeverisë së atëhershme, me mbi 7 metra e gjatë, dhe nuk e di sa rëndë peshon dhe nëse ka pasur leje zyrtare nga institucionet dardane apo është imponuar me dhunë nga Beogradi edhe pas shpalljes së Pavarësisë, dhe a e ka vendin bash në qendër të qytetit. Njëjtë është vepruar edhe me ndërtimin e kishës ortodokse serbe në oborrin e Universitetit dhe të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Ky “tempull i besimit ortodoks” është simbol i dhunës nga koha e Millosheviqit e jo për ritualet fetare. Kam pasur dilema se, pasi është ndërtuar pa leje, a është dashur të rrafshohet dhe të mbillen lule, ose të konservohet duke ia veshur një pllakë që dokumenton represionin shtetëror të regjimit të Millosheviqit, dhunën, apartheidin dhe më vonë gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Dardanisë – pasqyrë e historisë armiqësore shekullore serbe për zhdukjen e shqiptarëve nga toka pellazgo-iliro-dardane.
Ua kemi borxh gjeneratave të reja t’ua përkujtojmë këtë pjesë të asaj historie të dhimbshme – ja që nuk u dorëzuam, por megjithatë i rezistuam.
I nderuari Faton Peci, Kryetar i sapozgjedhur, mendoj se nuk duhet të anashkalohet apo të lejohet të përdhoset figura e heroit tonë kombëtar Isa Boletini.
Të dëshiroj sukses e punë të mbarë, duke të sugjeruar që, sapo ta kalosh pragun e zyrës së Kryetarit, të kujtosh heronjtë tanë kombëtarë, Adem Jasharin dhe Isa Boletinin. Nëse i mban mend dhe vepron sipas përkushtimit dhe heroizmit të tyre, nuk mund të gabosh – ose të paktën do të gabosh më pak – sepse ata sakrifikuan veten dhe familjen e tyre për një shtet ku shqiptari, në atdheun dhe truallin e vet, do të jetë përherë zot shtëpie.
Të tjerët që kanë mbetur brenda këtyre kufijve – fjala është për pakicën e komunitetit serb – duhet, së pari, ta njohin Republikën e Dardanisë, t’i respektojnë ligjet, rregullat dhe Kushtetutën, duke mos harruar kurrë se çfarë i kanë sjellë në të kaluarën e largët dhe të afërt popullit shqiptar; prandaj, në shenjë pendimi për masakrat dhe dëbimin me dhunë nga tokat dhe shtëpitë e tyre, duhet ta ulin kokën dhe të mos i ngacin plagët e hapura që ende kullojnë gjak. Ndërsa, përderisa shteti serb nuk i kthen mbetjet mortore nga varrezat masive anembanë Serbisë – që shqiptarët i presin me padurim – ata janë në një gjendje të rëndë psikologjike.
Prandaj, këtij komuniteti i sugjeroj që të mos i prekë varret ende të hapura, por të sillen si një komunitet që ka bërë vepra antinjerëzore ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë, duke tentuar të krijojnë një klimë afruese dhe bashkëjetese si e vetmja mënyrë për një të ardhme të sigurt, të qetë dhe një bashkëjetesë afatgjatë. Për ta arritur këtë, pakica serbe nuk mund të jetojë me kokë në Beograd e me trup në Dardani.
