TË FUNDIT

Është e turpshme të shfajësosh Hashim Thaçin duke fajësuar UÇK-në!

Mediet po i japin jehonë të jashtëzakonshme dëshmive të personaliteteve perendimore e sidomos atyre amerikane në rastin Thaçi dhe të tjerët në Gjykatën Speciale të Hagës në Kosovë. Të gjithë këta që po flasin në mbrojtje të ish-presidentit Thaçi theksojnë një fakt jo të krejtësisht të saktë: – Se Hashim Thaçi është i pafajshëm, pasi gjatë luftës “nuk e ka pyetur askush”, nuk e “ka përfilliur askush”, “nuk ka patur kompetenca”, dhe për pasojë “nuk ka kryer krime”! Narrativa kryesore e këtyre pohimeve është se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e ndërtuar me hierarki horizontale dhe jo vertikale”! Dmth se “krimet janë bërë nga të tjerët, por jo me urdhër të Hashim Thaçit”!

E vërteta është se organizimi ushtarak i UÇK-së ka qenë më shumë horizontal, sesa vertikal. Por politikisht ajo është përfaqësuar vetëm nga Hashim Thaçi dhe Adem Demaçi. Dëshmitarët e Thaçit u përpoqën në dëshmitë e tyre që barrën e përgjegjësive t’ia kalojnë në fakt Demaçit, këtij “radikali ekstremist”, që ishte i tillë, sepse “kishte vuajtur në burgjet serbo-jugosllave”! Është krejt e natyrshme që dëshmitarët e mbrojtjes të dalin në mbrojtje të klientit të tyre, në rastin konkret të Hashim Thaçit. Eshtë gjithashtu krejt e pranueshme dhe legjitime që krerët e NATO-s dhe diplomatët amerikanë ta mbrojnë Hashim Thaçin, sepse kishin bashkëpunuar me të.

Por është i papranueshëm argumenti, sipas të cilit “meqenëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte hierarki horizontale” atëherë aktiviteti i Hashim Thaçit, roli dhe përgjegjësia e tij janë null. Kjo nuk ka as logjikë, as nuk është racionale. Së pari, sepse p.sh Wesli Clarc shkruan vetë në librin e tij “Lufta moderne”, se aleat i NATO-s nuk ishte vetëm përfaqësuesi politik, Thaçi, por e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai në atë libër ngre në piedestal luftën e UÇK-së në Koshare kundër forcave serbe dhe shpjegon se si kjo betejë e ndihëmoi aleancën atlantike t’i bëjë presion Milosheviçit që të dorëzohej. Që do të thotë se dëshmitarët e Hashim Thaçit nuk mundet që duke mbrojtur klientin e tyre, të ngarkojnë me përgjegjësi komandat lokale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke i ngarkuar me përgjegjësi këto komanda, duket sikur në këmbim të “pafajësisë” së zotit Thaçi, po tentohet të fajësohet vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Avokatët politikë të zotit Thaçi u kanë thënë shqiptarëve nga dita e parë e deri më sot se “Në Hagë është UÇK”! Se “Liria ka emër Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin” e për pasojë jo UÇK-në që paska vepruar pa urdhëra prej këtyre, pa dijeninë dhe pa prezencën e tyre. Ndërkohë zoti Krasniqi ka shkruar një libër për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në atë libër ka shpjeguar me emra e mbiemra, me data dhe fakte se si ka qenë e organizuar dhe çfarë veprimesh ushtarake e politike ka ndërmarrë ajo gjatë luftës së fundit. Madje ai vëmendje të veçantë i kushton organizimit ushtarak e politike të kësaj ushtrie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *