“Shpërthim nga brenda dhe luftë mes dy kampeve”, analistët paralajmërojnë ‘tronditje’ për PDK-në
Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, vetëm një ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga ky post.
E në prag të Konventës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila pritet të vendosë për kryetarin e ri, në parti është hapur një debat i fortë pas kërkesës së Enver Hoxhajt për shtyrjen e saj.
Hoxhaj ka dërguar një kërkesë zyrtare ku ka theksuar se procesi aktual është tepër i shpejtuar dhe nuk garanton një garë të hapur, transparente dhe përmbajtësore.
Ai ka kërkuar që Konventa të shtyhet për disa ditë, duke argumentuar se delegatët kanë nevojë për më shumë kohë për të njohur kandidatët, platformat dhe drejtimin që secili prej tyre propozon për partinë.
Hoxhaj ka theksuar se PDK-ja po kalon një moment kritik dhe se “vendimet e ngutshme mund të prodhojnë ndarje, jo unitet”. Ai ka bërë të ditur se është i gatshëm të jetë pjesë e garës, por vetëm nëse procesi zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe gjithëpërfshirëse.
Kërkesa e tij ka ngjallur diskutime të brendshme. Disa figura të partisë konsiderojnë se shtyrja do të sillte më shumë qetësi dhe hapësirë për një garë substanciale, ndërsa të tjerë besojnë se afatet duhet të respektohen dhe se çdo vonesë mund të krijojë pasiguri në bazën e partisë.
Qarri: PDK po e shpërthen nga brenda – Lushtaku po vendos kryetarin
Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim ekskluziv për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke i cilësuar ato si “shpërthyese” dhe rezultat të drejtpërdrejtë të konfliktit të brendshëm ndërmjet grupeve të interesit.
Qarri thotë se dorëheqja e Memli Krasniqit nuk ishte vetëm akt politik, por “pasojë e një zinxhiri gabimesh dhe imponimesh brenda PDK-së”, e sidomos e orientimit të votave të anëtarëve të partisë në Prishtinë në favor të Përparim Ramës.
ImageGani QarriFoto galeri
Sipas tij, “vendimi i Memli Krasniqit që t’i porosiste anëtarët përmes telefonave që të votonin Përparim Ramën në Prishtinë, ndikoi negativisht dhe e goditi PDK-në në Mitrovicë, ku jetojnë edhe shumë qytetarë të zhvendosur nga veriu”.
Qarri shton se ky veprim “i ka kushtuar shtrenjtë partisë”, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Sami Lushtaku.
“Sami Lushtaku nuk ia fali këtë gabim Memli Krasniqit. Ai e konsideroi faj të rëndë dhe reagoi menjëherë sapo u certifikuan rezultatet në Mitrovicë”, deklaron Qarri.
Sipas tij, pas këtij momenti, lidershipi real në PDK mori drejtim të qartë.
“Lushtaku u kujdes që tradita e vjetër të mos ndërpritej. Ai kërkoi që në krye të PDK-së të vinte një njeri i dëgjueshëm, ndaj pa asnjë konsultim u propozua Bedri Hamza”, thekson Qarri.
Ai e quan procesin e vendosjes së Hamzës “pjesë të pazareve të brendshme të dakorduara paraprakisht”.
“Kandidatura e Bedri Hamzës nuk erdhi nga baza, as nga forumi i partisë. Ishte produkt i marrëveshjeve të fshehta të grupit të Lushtakut & Co.”
Qarri thotë se caktimi i Konventës me shpejtësi “të paprecedent” e ka tensionuar situatën në PDK.
“Konventa u caktua për 17 nëntor me një ngutje skandaloze, pa debat, pa konsultime, vetëm për ta mbyllur pazarin sa më shpejt”, shpjegon Qarri.
Në këtë klimë, sipas tij, nuk është i çuditshëm reagimi i Enver Hoxhajt.
“Enver Hoxhaj ka të drejtë kur kërkon shtyrje. Ai po thotë hapur se PDK duhet të ketë garë me më shumë kandidatë, jo një votim formal për një emër të dakorduar paraprakisht.”
Hoxhaj, sipas Qarrit, po përpiqet të shmangë një proces të mbyllur.
“Hoxhaj kërkon që Konventa të zhvendoset të paktën deri më 23 nëntor për t’u hapur hapësira për debat dhe kandidatura, jo për të votuar një emër të imponuar”, shton Qarri.
Qarri paralajmëron se përplasja aktuale është vetëm maja e ajsbergut.
“PDK është në krizë të thellë. Ka përplasje të hapura ndërmjet Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit, ka mospajtime të vjetra, ka rivalitet mes klaneve. Kjo situatë është eksplozive dhe mund ta çojë partinë drejt një përçarjeje të re”, deklaron Qarri.
Ai shton se figura të tjera brenda PDK-së, përfshirë edhe Vlorë Çitakun, mund të hyjnë në garë, ndërsa thekson rolin e ambicies personale të Hoxhajt.
“Enver Hoxhaj, qysh prej largimit të Kadri Veselit, ka pasur ambicie për kryetar. Tani nuk ka gjasë ta lëshojë rastin pa luftë politike”, shprehet Qarri.
Në fund, Qarri i jep një paralajmërim të qartë PDK-së.
“Nëse kryetari vendoset me pazar dhe jo me garë, PDK rrezikon përçarje të thellë. Partia duhet të zgjedhë: reformë reale, apo kontroll të një grupi të vogël”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Dorëheqja e Memlit ka hapur kutinë e Pandorës në PDK
Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se dorëheqja e Memli Krasniqit dhe mënyra e caktimit të Konventës kanë rikthyer në sipërfaqe tensione të vjetra të kësaj partie.
Mehmeti thotë se situata aktuale nuk është befasi.
“Dorëheqja e Memli Krasniqit vetëm sa e ka bërë të dukshme krizën e brendshme që prej kohësh ka gërryer PDK-në”, shprehet Mehmeti.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
Ai argumenton se caktimi i Konventës për datën 17 nëntor, ditë e hënë, ka prodhuar pakënaqësi të konsiderueshme brenda partisë.
“Një grup i rëndësishëm brenda PDK-së nuk është pajtuar me datën e caktuar. Këtë frustrim po e artikulon hapur Enver Hoxhaj”, thekson Mehmeti.
Sipas tij, kërkesa e Hoxhajt për ta zhvendosur Konventën në të dielën pasuese nuk duhet parë si çështje teknike.
“Kjo nuk është vetëm datë. Ka nuancë politike dhe tregon pakënaqësinë e thellë me mënyrën si po menaxhohet tranzicioni.”
Mehmeti thekson se dorëheqja e papritur e Memli Krasniqit ka krijuar vakum brenda strukturave të partisë, gjë që natyrshëm nxjerr në pah grupet dhe ambiciet e fshehura.
“Kur hapet gara për lidership, dalin në sipërfaqe të gjitha interesat që zakonisht mbahen nën tapet. Kjo po i ndodh aktualisht PDK-së.”
Ai vlerëson se Bedri Hamza shihet si kandidat i fortë, gjë që ka shtuar rivalitetin e brendshëm.
“Forca e kandidaturës së Hamzës nxit automatikisht kundërshti politike. Është krejt normale që rivalët e tij të kërkojnë kushte të tjera, përfshirë shtyrjen e Konventës”, shpjegon Mehmeti.
Sipas Mehmetit, kundërshtimi i Hoxhajt është sinjal i qartë për konfigurimin e brendshëm të partisë.
“Kritika e Hoxhajt nuk është e izoluar. Ajo tregon se në PDK ka të paktën dy kampe të interesit, të cilat po garojnë për të kontrolluar procesin e tranzicionit”, deklaron Mehmeti.
Në fund, analisti paralajmëron se për PDK-në sfida nuk është vetëm datëmbajtja e Konventës, por menaxhimi i një procesi të brishtë politik.
