OPINIONTË FUNDIT

Pse nuk formohet qeveria? Bukuroca: Koordinime, frikë dhe luftë për pasuri

Në një periudhë të tensionuar politike, ku institucionet e Kosovës po përballen me një krizë të funksionimit dhe mungesë të stabilitetit qeverisës, debati publik është bërë edhe më i ashpër.

Mospajtimet mes partive, bllokadat parlamentare dhe dështimi për të zgjedhur qeverinë e re, kanë nxitur diskutime mbi përgjegjësitë politike, rolin e opozitës dhe ndikimet ndërkombëtare në zhvillimet e brendshme.

Në këtë kontekst, Gazeta “Bota sot” sjell një intervistë me publicistin Lis Bukuroca, i cili ofron një perspektivë kritike dhe të drejtpërdrejtë mbi situatën aktuale, raportet mes partive, mundësinë e zgjedhjeve të reja, dialogun me Serbinë dhe sfidat e sigurisë.

Krahas kësaj, Bukuroca shpalosi shqetësimet, paralajmërimet dhe parashikimet e tij për të ardhmen politike të vendit.

Intervista e plotë

ImageLis BukurocaFoto galeri
Gazeta “Bota sot”: Në kontekstin e krizës institucionale dhe faktit që parlamenti ka dështuar disa herë të zgjedhë kryetarin, si e vlerësoni mungesën e një qeverie të re të qëndrueshme?

Lis Bukuroca: Kam përshtypjen se mosformimi i qeverisë është pasojë e koordinimeve me ambasadorët. Nëse jo, atëherë opozita tregon mungesë të vetëdijes shtetërore, sepse nuk po sillen si subjekte politike moderne, por si grupe të mbyllura, si fise, të ngujuara në pritë për të asgjësuar armikun.

Ato nuk duan bashkëpunimin institucional dhe duket se janë urdhëruar të refuzojnë. Qëllimi duket të jetë pamundësimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë, pasi Albin Kurti nuk mund të shantazhohet dhe nuk tërhiqet lehtë nga qëndrimet e tij. Meqenëse nuk është gjetur mënyrë për ta “gjunjëzuar” Kryeministrin Kurti, strategjia e fundit duket të jetë një distancim i qëllimshëm i opozitës, armiqësore dhe agresive nga çdo qeveri ku ai do të ishte në krye. Në qëndrimet e opozitës mund të lexohet leçitja e saj. Edhe shkaku.

Gazeta “Bota sot”: Vetëvendosje ka fituar më shumë vende pas zgjedhjeve, por ka mbetur pa shumicë parlamentare. Si mendoni se mund të tejkalohet ky ngërç dhe a është realist formimi i një koalicioni?

Lis Bukuroca: Ngërçi nuk do të tejkalohet; unë nuk shoh shenja në këtë drejtim. Pasojë e pashmangshme janë zgjedhjet. Ose Kurti fiton mbi 50%, ose opozita arrin të formojë qeveri. Opozita e sheh Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, si armik dhe jo si kundërshtar politik. Ai ka prekur ose ata besojnë se synon të prekë interesat e tyre. Ata ndihen të sulmuar në thelb, ashtu si edhe disa oligarkë apo gazetarë që kanë frikë për pasojat e veprimtarive të tyre korruptive. Kriminele. Urrejtja e tyre patologjike flet për frikën e tyre, jo për dashurinë ndaj shtetit. Sikur ta kishin dashur, nuk do ta kishin zhvatur.

Është normale që partitë politike të synojnë pushtetin; ato e refuzojnë këtë. Së paku LDK do të duhej të ishte më kooperative, por që nga koha e Mustafës ajo është shndërruar në patericë të PDK-së. Ajo nuk ka më identitet të vetin. Kanë vjedhur së bashku. Kanë themeluar Gjykatën e Posaçme së bashku. Janë penduar së bashku. Kanë firmosur Asociacionin së bashku. Janë penduar së bashku dhe prandaj Vuçiqi thotë: “E duam vetëm Asociacionin e firmosur me Mustafën.” Ata janë penduar për shumë vendime, por për asnjë vjedhje, jo.

Gazeta “Bota sot”: Disa parti opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme si zgjidhje. Sa e justifikueshme është për ju një zgjedhje e re në këtë moment, dhe çfarë rrezikesh sjell kjo për stabilitetin?

Lis Bukuroca: Zgjedhjet nuk janë normale pas një drame të Kuvendit, dhe populli është lodhur. Mirëpo, siç u tha më lartë, ata do të këmbëngulin. Votuesi u ka dhënë mandat të gjitha partive, por ato po e refuzojnë themelimin e qeverisë. Njësoj do të veprojnë edhe në zgjedhjet e ardhshme. ‚Koordinimi’ i opozitës është i dukshëm dhe vetëm në këtë mënyrë ata mund të ruajnë pasuritë e tyre të fituara në mënyrë të paligjshme përpara prokurorëve dhe gjykatësve. Para policisë.

Gazeta “Bota sot”: Qeveria në detyrë e Kurtit është kritikuar që nuk ka mandat të plotë për dialog me Serbinë — si e vlerësoni legjitimitetin e saj në negociata të tilla strategjike?

Lis Bukuroca: Në dialog me Serbinë duhen marrë vendime të mëdha, ato kërkojnë një mandat të qartë, pushtet të plotë dhe jo një kompetencë të përkohshme e të kufizuar. Normalisht, një qeveri në detyrë nuk duhet të merret me negociata të tilla, sepse do t’i mungonte legjitimiteti i plotë, por nëse këtë e kërkon Perëndimi, refuzimi do të ishte i gabuar.

Gazeta “Bota sot”: Me rritjen e buxhetit të sigurisë dhe investimin në prodhimin e dronëve dhe municionit, a po shohim një militarizim të politikës së Kosovës, dhe çfarë implikimesh mund të ketë kjo për raporte me Beogradin?

Lis Bukuroca: Për fat të keq, Serbia është armatosur dhe vazhdon të armatoset intensivisht. Për të siguruar sovranitetin dhe territorin, nevojiten investime serioze në mbrojtje. Edhe më shumë se deri tani. Vetëm një kapacitet i fortë mbrojtës mund ta dekurajojë Serbinë e sotme, e cila funksionon si një autokraci, me pushtet të përqendruar në një njeri.

Duhet të përgatitemi, por jo të kemi frikë. Ushtria serbe nuk ka qenë kurrë heroike kundër ushtrive të forta, pa mbështetje të jashtme, ndërsa shpesh ka ushtruar dhunë kundër civilëve të pambrojtur. Kjo ka krijuar herë pas here perceptimin e gabuar të një ushtrie të guximshme, ndërsa në realitet sulmet ndaj civilëve kanë pasur për qëllim të mbjellin frikë. Në rast të një konflikti të hapur, shumë ushtarë serbë të dezertonin. Nuk është më Kosova e vitit 99.

Regjimi në Serbi ka ndjekur një logjikë të ngjashme me atë të Rusisë: kur nuk arrin të fitojë në fushëbetejë, objektiv i dhunës bëhen civilët. Ka shumë dëshmi të krimeve të kryera në Kosovë kundër popullsisë së pambrojtur, si dhe mizoritë e dokumentuara në shumë vende, si Prekazi, Reçaku, Izbica dhe Srebrenica etj., të cilat tregojnë se ata masakruan ku gjetën njerëz të dobët. Ushtria serbe nuk ka guxim për luftë frontale, por për luftë ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve të paarmatosur.

Një ushtri që vret gra, fëmijë dhe pleq nuk tregon trimëri, por fytyrën e vet fashiste, gjenocidale. Për të siguruar që tragjedi të tilla të mos përsëritet, është e domosdoshme forcimi i mbrojtjes dhe investimi në armatim.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni zgjedhjen e Nenad Rasic, nga komuniteti serb, si zëvendëskryesues i parlamentit – a është kjo goditje për Listën Serbe?

Lis Bukuroca: Zgjedhja e Nenad Rasic si zëvendëskryesues i parlamentit paraqet një ofertë dhe mundësi për bashkëpunim dhe integrim. Lista Serbe, që është degë e partisë së Vuçiqit, e përjeton këtë si tradhti dhe shkëputje, duke e parë të cenuar monopolin e vet. Historia e qeverive serbe tregon se kundërshtarët politikë shpesh përballen me rreziqe serioze, me eliminime e kidnapime, dhe ky është një realitet që nuk mund të injorohet.

Gazeta “Bota sot”: Duke pasur parasysh mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe një qeverie me mandat teknik, cili është roli dhe përgjegjësia e elitës intelektuale (shkrimtarë, aktivistë, intelektualë) në garantimin e qëndrueshmërisë demokratike?

Lis Bukuroca: Për fat të keq, sot ata nuk mund të ndikojnë në ndryshime, sepse opozita ka qëndrime të ngurta dhe sillet më shumë si klane sesa si parti politike. Shumë prej tyre, nën flamurin e Kosovës, luftojnë kryesisht për të ruajtur përfitimet e tyre personale. Kur një qeveri synon të zbatojë drejtësi të madhe, ajo përballet me shumë armiq, përfshirë ata që kanë keqpërdorur pushtetin. Vetë fakti që nga 250 kallëzime penale të ngritura nga 11 ministri, asnjë nuk është shqyrtuar nga prokuroria, tregon se nuk kemi drejtësi të pavarur, por një sistem të kapur që merr pjesë aktive në rrënimin e shtetit dhe i shërben interesave të atyre që e kanë punësuar.

Parashikimi im është ky: do të ketë zgjedhje të reja, dhe nëse Albin Kurtit i mungon shumica, atëherë opozita së bashku me Listën Serbe do të krijojë qeverinë e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *