“Pse po e tremb Konjufca opozitën?” – Juristi ‘zbulon’ prapaskenat e votimit vendimtar
Zgjedhja e Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës paraqet një moment të rëndësishëm politik, pasi ajo vjen në një periudhë dinamike zhvillimesh institucionale dhe negociatash ndërmjet forcave kryesore politike.
Mirëpo, sa ka gjasa që të votohet Konjufca për kryeministër, ende nuk dihet.
E për këtë çështje, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai vlerësoi faktin që LVV nuk humbi kohë pas dështimit të Kurtit për t’u bërë kryeministër, derisa menjëherë e mandatoi Konjufcën.
Mirëpo, kritikoi partitë opozitare për këmbënguljen për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo për mundësinë e formimit të qeverisë së re.
“Mbase me 26 tetor 2025 kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk i mori votat e mjaftueshme për kryeminstër të ardhshëm, LVV-ja, pa humbur kohë, për të gjetur një zgjidhje racionale për daljen nga ngërçi politik dhe institucional, mbajti mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LVV-së, dhe propozi Glauk Konjufcën për kryeministër, të cilin presidentja me dekret e nominoi si kandidat për kryeministër të ardhshëm, që do të duhej të kalonte në Kuvendin e Kosovës deri me 19 Nëntor 2025, edhe pse PLAN-i menjëherë është deklaruar kundër nominimit të Konjufcës.
Pas dështimit të formimit të Qeverisë Kurti 3, në takimin që presidentja Vjosa Osmani e mbajti me të gjitha partitë politike për konsultim, me qëllim gjetjen e një zgjidhje për daljen nga ngërçi politik që po e paralizon funksionimin e shtetit, fatkeqësisht PLAN-i u deklarua se, ata janë të interesuar për zgjedhje të jashtzakonshme, e jo për formimin e Qeverisë”, shtjelloi juristi.
Krahas kësaj, Musliu tha se partitë opozitare kanë filluar “përgatitjet” për zgjedhjet e reja, derisa tha se sheh që PDK dhe AAK kanë një afrim, njëjtë si LDK me Nismën.
E nëse shkohet me koalicione parazgjedhore, partitë që do dilnin ‘’fituese’ sipas tij janë AAK dhe NISMA, pasi të vetme ato rrezikojnë seriozisht pragun zgjedhor.
“Madje, ende pa përfunduar afati kushtetues për formimin e Qeverisë, ish opozita, filloi bisedimet ndërpartiake për koalicione eventuale parazgjedhore, respektivisht PDK-ja po përafrohet me AAK-në, kurse LDK-ja me Nismën, apo të gjithë së bashku. Këto koalicione parazgjedhore për qëllim kanë të bëhen « më të fuqishëm » në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme, që pritet t’i shpallë presidentja Osmani, me synimin që të « bashkuar » t’i fitojnë votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit të ardhshëm dhe Qeverisë, pa Albin Kurtin dhe pa LVV-në. Nëse kështu veprohet, atëherë këto koalicione parazgjedhore më së shumti iu konvenojnë AAK-së dhe Nismës, të cilat rrezikojnë t’a kalojnë pragun zgjedhor.
Si po duket, PLAN-i mori mësim nga zgjedhjet e fundit që nuk bëri koalicion parazgjedhor, prandaj, sipas tyre, edhe i humbën zgjedhjet, sëkëdejmi ata tani po insistojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pikërisht me qëllim të një koalicioni parazgjedhor të përbashkët të ish opozitës, për t’a fituar LVV-në, sepse kjo do të ishte formula dhe shpresa e vetme për t’a fituar Albin Kurtin dhe për të ardhur përsëri në pushtet. Se a do t’ia dalin, ngelë për t’u parë, sepse për këtë vendos sovrani, i cili ende i ka të freskëta qeverisjet e njëpasnjëshme të PLAN-it për dy dekada, që dëmtuan rëndë Kosovën”, nënvizoi ai.
Më tej, jurisit nga Belgjika kritikoi ashpër partitë që po refuzojnë të bashkëpunojnë me Kurtin dhe po refuzojnë të votojnë pro Konjufcës.
Sipas tij, në këto zhvillimet e shumta që ndodhën muajt e fundit, Kurti ka zgjedhur kompromisin për të mriën e vendit, duke u tërhequr ai vetë nga kandidatura për kryeministër dhe nuk u tërhequr nga kandidatura e Haxhiut për kryeparlamentare.
“Me refuzimin kategorik dhe apriori të Glauk Konjufcës për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, si dhe deklaratave të tyre se, nuk kanë vota për asnjë kandidat tjetër për kryeministër nga rradhët e LVV-së, më në fund PLAN-it i ranë maskat, iu dolën në shesh rrenat, mashtrimet, demagogjija, si dhe manipulimi me opinionin, që për nëntë muaj e mbajtën peng dhe bllokuan konstituimin e Kuvendit dhe tani të Qeverisë. Që nga 15 prilli, LVV-ja, në vazhdimësi ka bërë koncesione ndaj opozitës për formimin e institucioneve, fillimisht duke e tërhequr kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe tani duke u tërhequr Kurti prej postit të kryeministrit, që janë dy lëshime të paimagjinueshme ndaj opozitës, e në dëm të LVV- së. Këto veprime të Kurtit, tregojnë se interesat e shteti janë më madhore se ambiciet personale dhe politike, që nuk është rasti me PLAN-in.
Me këto refuzime, PLAN-i ka vendosur që në mënyrë brutale dhe arrogante, pa vullnetin e sovranit, pa arsye të shëndoshë, por për interesa karieriste, inate primitive, t’a dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe pse LVV-ja me shumë veprime tentoi t’i evitojë këto zgjedhje. Këto veprime destruktive të PLAN-it, Kosovën do t’a mbajnë edhe më tej në një agoni të rëndë institucionale, ekonomike, politike si dhe do t’a dobësojnë dhe dëmtojnë imazhin në planin ndëkombëtar”.
Në vazhdim, Musliu tregoi dy shkaqet kryesor, përveç inatave politike, se pse partitë opozitare nuk votojnë pro Konjufcës.
E para, sipas tij, do ishte zhbllokimi i Kuvendit e që vlerëson se kjo nuk i konvenon partive opozitare, pasi me çdo kusht duan zgjedhje të reja, në mënyrë që të shpresojnë se mund të vijnë sërish në pushtet.
“Mirëpo, nuk duhet bërë analiza të thella për t’a identifikuar kuptimin dhe qëllimin e veprimeve destruktive të PLAN-it kundër LVV-së, kryeminstrit në detyre Kurtit dhe tani kundër Glauk Konjufcës si i nominuar për kryeministër. Përveç inateve politike dhe bajraktarizmit, dy janë arsyet kryesore, ndër disa të tjera, që e spjegojnë antagonizmin, armiqësinë dhe kundërshtimin agresiv të PLAN-it ndaj LVV-së.
Së pari, PLAN-i mbi tetë muaj po bllokon formimin e dy institucioneve më relevante dhe më vitale, pa të cilat nuk mund të funksionojë shteti, respektivisht Kuvendin dhe Qeverinë. Qëllimi i ish opozitës ishte që me këtë bllokadë, edhe pse ishin humbës të zgjedhjeve, të fitojë kohë për krijimin e kushteteve më të favorshme për të ardhur në pushtet, në veçanti, përmes propagandës së rrejshme t’a manipulojë opinionin duke e bërë qeverisjen e Kurtit si të dëmshme dhe të pa aftë për qeverisje. Dhe, gjithnjë sipas synimit të tyre, me ardhjen në pushtet, mbase edhe me Listën serbe, t’a rikthejnë qeverisjen kriminale kur lulëzonte kontrabanda, krimi i organizuar dhe korrupsioni, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me strukturat kriminale serbe me Radojçiqin dhe Veselinoviqin që funksionoi pa pengesa me PLAN-in. T’a rikthejnë kontrabandën përmes rrugëve ilegale me naftë, drogë, cigare, t’i rifunksionalizojnë laboratoret e drogës, mihjet e kriptovalutave… Mirëpo, edhe më e keqja është se, do t’a riaktualizonin ndarjen e Kosovës, me shpresë se kjo do të kishte ndikim pozitiv për zhvillimet në Gjykatën Speciale ndaj të akuzuarve aktual. Mirëpo, kjo e fundit, fatmirësisht nuk do të mund të realizohet, nëse nisma e dy sentorëve amerikan miratohet nga legjislativi dhe nënshkruhet nga Donald Trump, e që ka të bëjë me Projekt Ligjin që ndalon ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë eksplicite duke përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë”, shtjelloi ai.
Ndërsa, arsyeja tjetër, tha se me formimin e qeverisë nga LVV, atëherë partitë opozitare do përballeshin me drejtësinë.
“Së dyti, nëse LVV-ja formon Qeverinë, atëherë PLAN-i do të përballej me drejtësinë, të cilës i ka shumë borxh, sepse gjatë qeverisjes së ish opozitës, janë bërë shumë keqpërdorime, korrupsion dhe krim i organizuar, Kosovën e bënë si plaçkë lufte, politikanët dhe shumë komandant të rrejshëm u pasuruan në emër të UÇK-së… Prandaj, me Ligjin për Vettingun, Prokuroria dhe Gjyqësori i Kosovës në të gjitha nivelet, që pjesa më e madhe është e korruptuar dhe e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, do të verifikohen dhe rivlerësohen për profesinalizmin, pastërtinë, kredibilitetin, efikasitetin e lëndëve…..Dhe mos të harrojmë se, në sistemin e drejtësisë janë vendosur prokuror dhe gjyqtar nga Pronto mafia dhe politikan të fuqishëm, për t’ua mbrojtur krimet e tyre. Prandaj, me largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që nuk do t’a kalojnë Vettingun, politikanët dhe zyrtarët e PLAN-it, nuk do të ketë më kush t’i mbrojë. Po ashtu, me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do të përballen shumë zyrtar dhe politikan të PLAN-it, dhe jo vetëm, që kanë keqpërdorë pozitën zyrtare, e që nuk mund t’a justifikojnë pasurinë, shteti përmes procedurave të parapara me ligj, do t’ua konfiskojë. Këto janë dy arsyet kryesore që PLAN-i refuzon LVV-ën të vije prap në pushtet.
Mirëpo, momentumi në të cilin gjendet Kosova, është shumë serioze, kërkon veprime dhe zgjidhje të shpejtë për t’a evituar kollapsin ekonomik, krizën politike dhe institucionale, që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës. Përgjegjësia më e madhe, madje e vetme, bie mbi PLAN-in, e cila duke u sjellë skajshmërisht e papërgjegjshme, interesat personale, karieriste dhe partiake i ka vendosur mbi ato shtetërore”.
Në fund, juristi nga Blegjika vlerëson se Konjufca duhet votuar për kryeministër dhe të formohet qeveria e re, të paktën deri kur i kalon mandate presidentes së vendit.
“Gjykoj se, kandidatura e Glauk Konjufcës, pa kalkulime politike, do të duhej të miratohet në seancën e ardhshme të Kuvendit, për një kohëzgjatje derisa sa të zgjidhet kryetari-ja i/ja Kosovës gjatë muajit mars-prill 2026, kurse ndërkohë, gjatë Qeverisë së Glauk Konjufcës, mbase Kuvendi është i konstituar, do të mund të miratohej buxheti i RTK-ës, sepse të punësuarit e saj kanë ngelë pa paga, buxheti i Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, në veçanti të miratohet buxheti i shtetit, të përfitohet nga Plani i Rritjes së BE-së, të nënshkruhen disa Marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro në interes të qytetarëve që po i mban PLAN-i peng nga legjislatura e kaluar.
Në të kundërtën, PLAN-i do të mbajë përgjegjësi, mbase edhe penale, për krizën që do t’ia shkaktonte Kosovës me votën kundër Konjufcës”, përmbylli Skënder Musliu.
