Bllokim i ndihmave për shqiptarët e Preshevës, kërkohen sanksione ndaj Serbisë – ja thirrja për BE-në
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, së fundi, njoftoi të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se një bankë serbe nuk po i pranon mjetet financiare që Kosova po i dërgon për t’i ndihmuar shqiptarët në jug të Serbisë.
Në një shkrim në Facebook, Bislimi tha se 3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë të Preshevës janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) atje.
Megjithatë, shtoi ai, pagesa përkatëse prej 304.511,16 euro, për furnizim me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi.
“Në të tri rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatorë”, theksoi Bislimi.
Ai tha se kjo është shndërruar në çështje serioze që ka marrë karakter “të pengesës sistemike” ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, prandaj edhe “sot e kam njoftuar Peter Sorensenin”.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë përjetuar për vite me radhë praktika diskriminuese, përfshirë pasivizimin e adresave të banimit, dhe kanë protestuar disa herë gjatë këtij viti, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe praninë e mekanizmave ndërkombëtarë për të monitoruar kushtet e jetesës.
Veprimet e Serbisë ngrejnë pyetje serioze për rolin e komunitetit ndërkombëtar dhe nevojën urgjente për të siguruar zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë të rajonit.
Shabani: Veprimet e tilla të padrejta nga Serbia nuk janë të çuditshme
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani foli për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”.
ImageAmir ShabaniFoto galeri
Sipas tij, këto veprime të Serbia nuk janë të papritura, por që duhet domosdoshmërisht që ndërkombëtarët ta vëzhgojnë dhe ta ndalin atë, pasi pengesat vetëm sa po shtohen më shumë.
“Veprimet e tilla të padrejta nga Serbia nuk janë të çuditshme dhe diçka e papritur, madje kjo mund të konsiderohet pengesa më e vogël krahas pengesave, dëmeve që ka bërë dhe vazhdon të bëjë. Prandaj ndërkombëtarët duhet të monitorojnë vazhdimisht mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi pa neglizhuar, sepse pengesat sa vijnë e shtohen”.
Krahas kësaj, ai pengesat financiare, Serbia po ia bën Kosovës si pasojë e zhdukjes së dinarit serb në veri të shtetit tonë, ndonëse kjo e fundit ishte e ligjshme, derisa kjo që po bën Beogradit nuk është e drejtë.
“Unë mendoj se një pengesë e tillë e përkrahjes financiare që mundohet të realizojë Kosova për shqiptarët e Preshevës, e shfrytëzojnë si pasojë e zhdukjes së dinarit serb nga veriu i Kosovës, të cilën kryeministri Kurti e realizoi. Mirëpo ajo ishte e ligjshme, ndërsa pengesa e përkrahjes financiare është e paligjshme, sepse janë mjete për nevojat e qytetarëve shqiptarë që e ndjejn si obligim shqiptarët e Kosovës.
Njoftimi i Peter Sorensenit është i duhur por jo i mjaftueshëm, pasiqë pengesat e Serbisë në Kosovë dhe jo vetëm, duhet bërë alarmante në zyrat e BE-së”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.
Bexheti: Edhe durimi i europianëve do ketë fund
Po ashtu, edhe opinionisti Nexhat Bexheti nuk u befasua nuk ky veprim i Serbisë, pasi sipas tij, kjo është e pritshme, marrë parasysh politikat anti-Kosovë të Beogradit.
Mirëpo, ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi se edhe evropianët janë duke e humbur durimin me shtetin serb, prandaj duhet sa më parë të merren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
ImageNexhat BexhetiFoto galeri
“Ne nuk duhet të befasohemi nga politika anti-Kosovë nga ana e Serbisë, sepse ajo në mënyrë permanente zbulon mënyra për pengesa kur bëhet fjalë edhe për ndihma të cilat nuk kanë prapavijë politike por thjeshtë një ndihmë simbolike për qytetarët shtetas të Serbisë. Politika serbe kryesisht drejtohet kundër Kosovës ata nuk zgjedhin forma normale si vend Europian destruktiviteti i politikës serbe akoma nuk i ka ngacmuar në nerv politikanët europian, sepse ata akoma i mbyllin sytë kur është në pyetje Kosova, mirëpo edhe durimi i europianëve do ketë fund, që të marrin masa akoma më të rrepta deri në sanksione reale në dallim me formalitetet e deritanishme”.
Gjithashtu, Bexheti kërkoi nga liderët e Kosovës të kenë durim, pasi do ketë triumf politik ndaj Serbisë.
Sipas tij, nuk ka mbetur shumë kohë deri te demaskimi i plotë i Serbisë nga ana e ndërkomvëtarëve.
“Politikanët e Kosovës nuk duhet të zhgënjehen sepse nuk është hera e parë e pengesave për ndihma materiale apo ndihma me tekste shkollore të cilat hasën në pengesë nga politika zyrtare e Beogradit. Durimi ka qenë politik triumfuese e politikës ndërkombëtare e zyrtarëve kosovarë, duhet edhe pak kohë që ndërkombëtarët europianë përfundimishtë t’a demaskojnë plotësishtë Serbinë edhe tek aleatët e saj të cilët akoma kanë ndikim të fuqishëm në politikën ndërkombëtare sepse vendimet për sanksione kundër Serbisë duhet të merren me koncenzus gjatë votimit. Prandaj nuk ka zgjidhje për disa problematike të fuqishme”, shtjelloi ai.
Pavarësisht kësaj, opinionisti shtoi se, Kosova duhet të vazhdojë me ankesat te ndërkombëtarët për Serbinë, pasi që
“Zyrtarët e Kosovaës nuk duhet të heqin dorë nga ankesat drejtuar europianëve edhe sa më shumë ankime do ishte në favor të Kosovës. Europianët në kolluare i bëjnë trysni Beogradit në biseda joformale edhe kemi vërejtur lëshim pe pas një kohe të caktuar, qarqet e politikanëve europian sajojnë skema gradualisht inkognjito para opinionit që të shembet politika agresive kundër Kosovës nga Beogradi, është çështje kohe afatshkurte kur do përmbyset regjimi i Vuçiqit. Por politika kosovare duhet të bëhet më agile që t’u ndihmojë ndërkombtarëve për përmbysjen e Vuçiqit. Pra, duhet qeveria të konstituohet dhe institucionet e reja të funksionojnë, mos bëhemi ngërçi i vetëvetes, sepse ndihmën duhet t’a pranojmë jo t’a refuzojmë. Çdo vonesë i shkon në favor Vuçiqit”, përmbylli Nexhat Bexheti për “Bota sot”.
