TË FUNDIT

Anëtarësimi në NATO, Bytyçi tregon rrugën që duhet të ndjekë Kosova

Profesori dhe analisti i njohur politik, Enver Bytyçi, ka deklaruar se Kosova dhe NATO janë në një marrëdhënie unike, duke e quajtur këtë lidhje “simbiozë të njëra-tjetrës”.

Sipas tij, asnjë vend tjetër në hapësirën euro-atlantike nuk ka raport të tillë me Aleancën Atlantike, dhe kjo tregon rolin e pazëvendësueshëm që ka Kosova në arkitekturën e sigurisë rajonale.

“NATO dhe Kosova janë simbiozë e njëra-tjetrës. Nuk ka vend tjetër në hapësirën euro-atlantike që ta ketë një marrëdhënie të tillë, siç e ka NATO me Kosovën dhe Kosova me NATO-n,” – tha Bytyçi për “Bota sot”.

Ai theksoi se, ndonëse vendet anëtare të NATO-s gëzojnë garanci të sigurisë për integritetin e tyre territorial, Kosova është e garantuar realisht dhe praktikisht nga Aleanca, ndërkohë që po modernizon ushtrinë dhe forcat e sigurisë me mbështetjen e saj.

“Kosova është e garantuar realisht dhe praktikisht, dhe ndërkohë me ndihmën e kësaj Aleance po armatoset e po modernizon ushtrinë, forcat e sigurisë dhe mbrojtjen e vendit”, deklaron Bytyçi.

Bytyçi vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më shumë interes i Brukselit atlantik sesa vetëm i Kosovës, duke nënvizuar se vendi ka forca dhe përkushtim më të madh se shumë shtete anëtare të Aleancës.

“Asnjë vend i kësaj Aleance, përfshirë edhe vendet kryesore, nuk ka përkushtim dhe veprim profesional siç kanë forcat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës. Asnjë vend ballkanik nuk prodhon kontribute për NATO-n sa prodhon Kosova dhe kosovarët”, deklaron profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, vendimi për anëtarësimin e Kosovës në NATO është “shumë i vonuar”, dhe pengesë për këtë mbeten katër vendet që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

“Thuhet se pengesë e kësaj vendimmarrjeje është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga ana e katër vendeve anëtare: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia. Çfarë nuk ndodh në këtë Evropën tonë të shkalafitur,” shprehet Bytyçi.

Megjithatë, Bytyçi theksoi se këto vende nuk do të mund ta kundërshtonin anëtarësimin e Kosovës, nëse për këtë do të ishin të bashkuara vendet kryesore të Aleancës si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

“Nëse këto katër vende, bashkë me Turqinë, do ta kërkonin me ngulm marrjen e këtij vendimi, atëherë asnjëri prej katër vendeve nuk do të kishte guxim të vinte veton.”

Profesori përmendi gjithashtu potencialin industrial dhe ushtarak që po zhvillon Kosova, duke e konsideruar atë si dëshmi të gatishmërisë për t’u bërë pjesë e Aleancës.

“Në Kosovë sapo u përurua fabrika e prodhimit të dronëve dhe po ndërtohet fabrika më e madhe e prodhimit të municioneve në Pejë, së bashku me një kompani të fuqishme të kësaj industrie në SHBA. Këto kapacitete nuk i kanë tri vende anëtare të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, pa Kosovën, siguria e rajonit dhe e vetë NATO-s mbetet e pasigurt, pasi Prishtina përfaqëson “barrikadën e parë dhe më të fortë” kundër çdo agresioni të mundshëm nga Serbia dhe aleatët e saj.

“Pa Kosovën dhe kontributin e saj nuk do të ketë rajon të qëndrueshëm dhe të paqtë. Kosova është barrikada e parë, kryesore dhe më e fuqishme kundër një agresioni të tillë. Pa Kosovën, vetë NATO dhe kontinenti evropian nuk janë të sigurt përballë një destabilizimi të shkaktuar nga politikat ruse në Ballkan,” shprehet Bytyçi.

Në fund, Bytyçi bëri thirrje për veprim më të fortë diplomatik nga institucionet e Kosovës dhe mbështetje më të qartë nga aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Turqinë dhe Shqipërinë.

“Turqia ka bërë thirrje publike në samitet e NATO-s për pranimin e Kosovës në organizatë. Këtë duhet ta bëjë edhe Shqipëria, nëse mundet ta marrë lejen prej Aleksandër Vuçiqit. Ndryshe do të vazhdojë të zvarritet duke tërhequr ushkurin e potureve të presidentit të Serbisë.”

Për fund, Bytyçi thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri jetike për stabilitetin dhe paqen në Ballkan, si dhe për sigurinë e vetë Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *