TË FUNDIT

“Balotazhi i befasive”/ Bytyçi flet për rezultatet që ndryshuan hartën politike të Kosovës – ja mesazhi i tij

Pas përfundimit të garës zgjedhore të balotazhit në nivel lokal, skena politike në vend ka hyrë në një fazë të re reflektimi dhe analizash.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë sjellë jo vetëm fitues dhe humbës, por edhe surpriza që kanë ndryshuar pritshmëritë e shumë analistëve dhe qytetarëve

E për rezultatet që prodhoi balotazhi, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Mirëpo, së pari ai foli për procesin zgjedhor që e vlerësoi si mjaft demokratike dhe tha se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta, si asnjë vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Kosovë nuk ishin surprizuese, sepse edhe kësaj radhe Kosova dëshmoi se bën zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme më të mira se çdo vend tjetër i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë Europa e di se kushti themelor për një qeverisje demokratike janë zgjedhjet e lira dhe të pakontestueshme. Dhe për këtë arsye në një studim të një institute prestigjioz të Vjenës, Kosova zë vendin e parë në rajon për qeverisje të mirë, duke lënë pas Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bisnjë-hercegovinën. Megjithatë BE i vë masa shtrënguese Kosovës dhe asnjërit prej vendeve që përmendëm më lart.

Duke marrë lejen tuaj të dal pak nga tema për të cilën ju më pyesni, fakti që BE penalizon vendin më demokratike të Ballkanit Perendimor, Kosovën, duhet të na bëjë të mendojmë dhe të besojmë se në Bruksel ka një axhendë anti-Kosovë në kuptimin e ndryshimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve, apo diçka të tillë. Prandaj dhe duhet që disa qëndrime europiane të mos i trajtojmë si çështje emocionale, sepse po bëmë këtë gabojmë në analizën e situatës. Masat shtrënguese të BE-së për Kosovën nuk janë thjesht masa që duan të “bindin” një “të pabindur”, për të cilin mendohet se është Albin Kurti. Ato masa nuk kanë të bëjnë me Kurtin, por me Kosovën. Politika duhet ta lexojë mirë këtë lloj leksioni”, deklaroi ai.

E pas kësaj, ai u kthye të zgjedhjet dhe rezultatet e partive politike.

Sipas tij, zgjedhjet lokale nuk janë test real matës për elektoratin e partive politike, e për këtë dha disa argumente.

“Por le të kthehemi te zgjedhjet. Këto zgjedhje nuk janë test për të mat elektoratin e partive politike. Janë zgjedhje lokale. PDK thotë se ka fituar më së shumti vota të qytetarëve. Edhe nëse është e vërtetë, votat në zgjedhjet lokale nuk pasqyrojnë një realitet elektoral të përgjithshëm. LDK dhe Vetëvendosja thonë se kanë fituar më së shumti komuna. Sërishmi nuk është kjo matësi i forcës elektorale të një partie politike kur është fjala për zgjedhjet lokale. Më së shumti mund të jetë i gëzuar Haradinaj që ka fituar aq komuna sa edhe partitë e mëdha, megjithëse ka pesë deputetë në parlament. Gati një komunë për një deputet. Por sërishmi nuk është tregues i forcës elektorale. Sepse sipas kësaj, çfarë AAK ka fituar në zgjedhjet lokale, do të duhej të kishte nja 20 deputetë. Po ashtu Abdixhiku duhej të kishte mbi 30 deputetë etj.” – potencoi ai.

Më tej, profesori theksoi se e rëndëishme është që procesi zgjedhor shkoi shumë mirë, me maturi politike dhe frymë demokratike.

Ai përmendi edhe disa humbës moral të këtyre zgjedhjeve.

“Më rëndësi është se procesi zgjedhor edhe kësaj radhe ka shkuar shumë mirë. Maturia politike dhe demokratike u shpreh në pranimin e rezultateve dhe urimet për fituesit nga ana e humbësve. Megjithëse për mua Hajrulla Çeku, kandidati i PDK-së në Mitrovicë, ai i LDK-së në Obiliq etj, pra ata kandidatë që humbën për një përqindje të vogël, duhen trajtuar moralisht si fitues të garës së zgjedhjeve. Në fund të fundit nga dy konkurentë njëri do të ishte fitues e tjetri humbës. Por humbja është krejt dinjitoze, kur diferenca është e vogël.

Dalja e rezultateve të zgjedhjeve në një kohë record është gjithashtu sukses i jashtëzakonshëm dhe tipar karakterstik dallues i demokracisë kosovare. Kjo do të thotë se Kosova di të bëjë zgjedhje, di t’i menaxhojë ato, madje njësoj si edhe vendet më demokratike të Europës. Rezultati del në kohë rekord, edhe pse numërimi bëhet në mënyrë manual. Në ndryshim nga Shqipëria dhe vendet e e tjera të rajonit, Kosova jep leksion të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Kjo përforcon mendimin e ndërkombëtarëve se Kosova është shtet funksional dhe demokratik dhe si i tillë, ai duhet të njihet ndërkombëtarisht. Zgjedhjet e lira dhe procesi fer i organizimit të tyre dëshmojnë për karakterin unik dhe forcën e organizimit shtetëror të Kosovës. Këtë gjë nuk e kanë arritur vendet e tjera të rajonit si Kosova”, nënvizoi Bytyçi.

Krahas kësaj, ai përmendi disa nga befasitë më të mëdha, e që ishin Prishtina, Mitrovica, Obiliqi, Fushë Kosova dhe Drenasi.

“Befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve lidhen me thyerjen e bastioneve. LDK pretendon se Prishtina është bastion i saj. Por rezultati me mbi 48 përqind për Hajrulla Çekun dëshmon se Prishtina nuk është më bastion. Thjesht ishte një diferencë midis një prishtinaliu dhe një prizrenasi. Një Hajrulla Çeku i lindur në Prishtinë do ta kishte marrë patjetër komunën e saj. Që do të thotë se Vetëvendosja theu një tabu bastion. E njëjta gjë ndodhi në Mitrovisë kundrejt pastionit të PDK-së, në Fushë-Kosovë dhe Obiliq kundrejt dy bastioneve të Lidhjes Demokrarike. Por, kjo ndodhi edhe në Drenas, ku kandidati i pavarur, zoti Lladrovci, sfidoi kandidatin e PDK-së e kështu me radhë”.

Sipas Bytyçit, koalicioni LVV dhe Guxo kanë rezultate positive, ndonëse në Pejë dhe Prishtinë tha se ende është fryma e presidentit Rugova.

“Besoj se Lëvizja Vetëvendosja dhe ajo GUXO kanë krijuar risi positive me rezultatet e tyre. Kanë thyer mite dhe bastione të pamendueshme. Nga ana tjetër duhet marrë në konsideratë fakti se në Prishtinë, Pejë, etj është akoma gjallë te elektorati fryma e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Dhe në përpjekje për ta nderuar këtë figurë emblematike të Kosovës shumë zgjedhës nuk e tradhtojnë Lidhjen Demokratike, edhe pse kjo parti sot nuk gjë ose asgjë nuk ka të bëjë me filozofinë e Rugovës. Rugova kurrë nuk do ta linte shtetin pa institucione, siç bëjnë këta të sotmit. Prandaj dhe duhet pasur parasysh ky fakt. Kjo do të thotë se brezat e ardhshëm do të kenë qëndrime të tjera, sepse nuk do të pajtohen me spekulimet në emër të Ibrahim Rugovës”.

Në fund, profesori shtoi se zgjedhjet prodhuan demokraci dhe komunat të funksionojnë rregullisht.

“Por, në fund të fundit zgjedhjet prodhuan demokraci e promovuan demokraci. Tani komunat do të funksionojnë rregullisht. Madje edhe ato në veri të Kosovës e në brendësi të saj të cilat drejtohen nga partitë e pakicës serbe. Mund të shfaqen problem në transferimin e pushtetit nga kryetarët e tanishëm te kryetarët e zgjedhur nga minoriteti serb. Mundet që sidomos në veri të rikthehen Radoiçiqët. Por sërishmi tashmë janë vënë themelit e kontrollit të territorit dhe forcat e policisë e të sigurisë së Kosovës do t’i dalin zot atdheut”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *