OPINIONTË FUNDIT

Kimete Berisha: Mitrovica pas faljes së namazit elektoral!

Feja e shqiptarëve është mashtrimi.

Kandidati i PDK-së falej para kamerave në xhami, thuajse kandidonte për kryeimam.

Dhe po: ia doli t’u thyejë zemrat e thyera të besimtarëve.

Me namaz i mbuloi të gjitha gojëdhënat për të.

Nga “dytësor i Bedri Hamzës dhe i Sami Lushtakut”, u shndërrua në “haxhinë e qytetit”.

Siç e do rendi hyjnor: kur feja hyn në fushatë, dalin demonët.

Dhe dolën.

Kandidati që u fal në xhami, humbi.

Kandidati që s’u fal, fitoi.

Kjo është prova më e qartë që PDK nuk beson në Zot.

Të besonte, do ta dinte se Zoti të vret!

Prandaj, me shishe rakie në dorë, falej dhe predikonte për vota.

Në anën tjetër, kandidati i Vetëvendosjes fitoi edhe me përkrahjen e të krishterëve të Lidhjes së Deçanit.

Ndërsa gazetarët “e krishterë” të Kosovës përkrahën kandidatin që falej në xhami, vetëm për inat të Albin Kurtit, “ateistit” të paragjykuar.

– Mitrovica, pronë private e urrejtjes

Pra, kjo s’është as politikë, as fe…është anarki e urrejtjes.

Një armiqësi pa armiq, një rivalitet fals, një urrejtje për qejfi.

Askush nga ta nuk e urren Albin Kurtin për ndonjë arsye.

E urrejnë thjesht… për efekt qetësues.

PDK e kishte ndarë Mitrovicën në tri: një për shqiptarët, një për serbët dhe një tjetër për vetveten.

Prej vitesh, qyteti ishte pronë private, që udhëhiqej nga odat e Skënderajt.

Por këtë herë, Mitrovica ndryshoi pronar.

Jo pse Vetëvendosja kishte më shumë strategji,

por sepse urrejtja e PDK-së e hëngri vetveten.

Si gjarpri që kafshon bishtin dhe e ha veten për inat.

Duke e humbur Mitrovicën, PDK nuk u ndëshkua.

U çlirua.

U çlirua nga Sami Lushtaku.

Nga hijet e veta.

Nga besimi se pushteti është pronë familjare.

– Mitrovicën nuk e fitoi Faton Peci

Mitrovicën e humbi urrejtja.

E humbi predikimi i fesë në emër të politikës së tenderëve.

E humbi feja, kur doli në pazarin e fushatës.

E humbi PDK-ja, sepse urrejtja e saj është tashmë sëmundje nervore.

Nuk e urrejnë LDK-në që i quajti kriminelë.

E urrejnë Albin Kurtin që refuzoi ta votojë burgun që i priste.

E urrejnë sepse në Albin Kurtin e shohin veten në pasqyrë.

Po.

Ne duam gabimisht, por edhe urrejmë gabimisht.

Prandaj jemi kaq fatkëqinj.

– Të çlirohesh nga çlirimtarët

PDK ka qenë viktimë e propagandës, por në fund u dashurua në propaganduesit e vet.

Janë bërë shërbëtorë të atyre që i quajtën “kriminelë”, për shkak të të cilëve janë edhe në burg.

Etiketa s’iu hoq më nga dera…

dhe nga ajo derë e mbyllur me dry,

ata ende urdhërojnë urrejtje dhe mllef në drejtim të gabuar.

– Të çlirohesh nga çlirimtarët, ky është marifeti që po ndodh

Edhe LDK u dashurua në “vrasësin” e vet të paragjykuar, PDK-në.

Prandaj të dyja janë sado-mazohiste:

u pëlqen të duhen dhe të vuajnë për njëra-tjetrën…derisa të hahen.

P.S.

“Të shpëtova nga pushtuesi, që të bëhem pushtuesi yt.”

Allahile?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *