POLITIKATË FUNDIT

“Zhvillime interesante në horizont” – Kryeziu zbërthen lëvizjet e fshehta mes PDK-së dhe LDK-së

Kadri Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së ish-deputetës së LDK-së, Mubera Mustafa, e cila vlerësoi pozitivisht qeverisjen e Shaqir Totajt (PDK) në Prizren.

Në një shkrim në Facebook, Kryeziu tha se e pëlqeu sinqeritetin e Mustafës dhe shtoi se koalicioni PDK–LDK në Prizren reflekton një afrim më të gjerë mes dy partive tradicionale.

Ai analizoi gjithashtu pozicionet e figurave të tjera brenda LDK-së, si Driton Selmanaj e Lumir Abdixhiku, si dhe ndikimin që rezultatet në Prizren e Prishtinë mund të kenë në balancat e brendshme të partisë, përcjell “Bota sot”.

Krahas kësaj, Kryeziu paralajmëroi zhvillime interesante në horizont.

Postimi i plotë

Më pëlqeu deklarata e Mubera Mustafës (LDK), e cila tha se mendon që Shaqir Totaj (PDK) ka qeverisur mirë gjatë këtyre katër viteve. Sinqeriteti është gjithmonë një vlerë.

Koalicioni PDK–LDK në Prizren nënkupton se edhe Driton Selmanaj mendon njësoj dhe se disidenca e tij me PDK-në i përket së shkuarës. Meqë Lumir Abdixhiku nuk e kundërshtoi këtë koalicion, siç bëri me rastin e Xhafer Tahirit, atëherë nënkuptohet se edhe ai e mbështet.

Të dielën do të mësojmë nëse Shaqa do të vazhdojë edhe katër vite të tjera apo nëse Prizreni do t’i hapë derën ndryshimit, duke ia dhënë shansin një djali të ri e të papërlyer.

Në anën tjetër, Uran Ismaili (PDK) nuk mendon se Përparim Rama (LDK) ka qeverisur mirë, ndaj ka zgjedhur të qëndrojë anash. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku po përpiqet të shesë mjegull brenda LDK-së, duke përhapur idenë e një marrëveshjeje jopublike me PDK-në për balotazhin në Prishtinë. Kjo është, në thelb, mënyra për t’ia bërë qejfin Përparimit, sepse Lumiri e sheh atë si rival të mundshëm në të ardhmen.

Nëse Përparim Rama fiton në Prishtinë, fitorja do të jetë plotësisht merita e tij personale, jo e Lumirit — dhe rrjedhimisht ai duhet të bëhet kryetari i ri i LDK-së. Por nëse fiton Hajrullah Çeku, LDK do të rrëshqasë në nivelin e partisë së tretë në Prishtinë.

Suma sumarum: zhvillime interesante në horizont.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *